1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

010710 Srebrenica Klage

2 Korrik 2010

Gjenocidi i Srebrenicës, kur njësitë serbe në luftën e Bosnjës vranë rreth 8.000 meshkuj të rinj dhe të rritur vazhdon të mbetet një çështje e hapur për shumë të afërm.

https://p.dw.com/p/O8tt
Varr masiv në Srebrenicë
Varr masiv në SrebrenicëFotografi: AP

Pacënueshmëria dhe rëndësia e saj në mbarë botën justifikojnë imunitetin e OKB-së dhe ky është më i rëndësishëm se interesat e grupit "Nënat e Srebrenicës", pra të rreth 6.000 grave, që humbën prej masakrës së para 15 vjetëve burrat, djemtë dhe apo baballarët e tyre. Ky ishte gjykimi që mori para disa kohësh një gjykatë civile në Hagë. Për Nënat e Srbrenicës kjo qe një shuplakë në fytyrë. Për këtë avokatët e tyre kanë kërkuar prej Gjykatës së Lartë të Holandës që t'ia heqë edhe një herë imunitetin OKB-së. Avokati nga Amsterdami Axel Hagedorn synon që me këtë të sqarojë para së gjithash çështjen:

"A është e pranueshme që brenda BE-së, të ketë një organizatë të tillë si OKB-ja, e cila mund të veprojë pa u prekur prej ligjeve dhe që nuk ka nevojë t'i japë llogari askujt, pra as një gjykate të pavarur, pavarësisht se çfarë ndodh?

Akuza: mos ndërmarrje veprimi nga helmetkaltrit holandezë ndaj trupave serbe

Në rast se do të hiqej vërtet imuniteti i OKB-së atëhere 15 vjet pas masakrës së Srbrenicës do të sqarohej një gjë: Mos ndoshta duke mos ndërmarrë asgjë, ushtarët helmetkaltër holandezë, që ishin ngarkuar prej OKB-së ta mbronin enklavën e Srebrenicës, e mundësuan këtë masakër? Ushtarët holandezë akuzohen, se nuk ndërmorën asnjë lloj veprimi kur po shihnin se si trupat boshnjako-serbe të ish-kryeministrit Radovan Karadzic po i afroheshin Srbrenicës dhe se mund t'i vrisnin në këtë mënyrë të gjithë myslimantë meshkuj. Radovan Karadzici është aktualisht në bankën e të akuzuarve të Gjykatës së Hagës nën akuzën për gjenocid.

Në rast se do të vërtetohet se ushtarët e OKB-së janë bashkëpërgjegjës, atëhere priten dëmshpërblime të mëdha. Përveç dëmshpërblimeve për Nënat e Srebrenicës, që kanë humbur gjatë masakrës familjarët e tyre, Axel Hagedorn synon që me padinë e tij të arrijë edhe diçka:

"Që OKB-ja e cila është e pranishme gjithnjë e më shpesh në zona krize në botë të ndërmarrë një reformë të brendshme, që të mos vojë në një pozitë të tillë në të cilën humbet vazhdimisht kredibilitetin, sepse konsiderohet si palë lufte dhe jo më si organizatë, e cila angazhohet për të drejtat e njeriut."

Barrë e rëndë para Gjykatës së Lartë të Holandës

Avokati nga Amsterdami është i ndërgjegjshëm që me padinë e tij i ka vënë në kurriz një barrë të rëndë Gjykatës së Lartë të Holandës. Ai mendon se trauma e Srebrenicës është ende e pranishme në ndenjat e holandezëve.

Në rast se gjykatësit e Gjykatës së Lartë të Holandës nuk do të marrin ndonjë vendim atëhere të vetmen shpresë që kanë Nënat e Srebrenicës dhe avokatët e tyre është që ta kalojnë çështjen në Gjykatën Evropiane në Luksemburg, e cila është e çliruar prej ndjenjave kombëtare.


Autor: Jürgen Kleikamp/Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi