1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të papunët meritojnë mbështetje më të mirë

Nina Werkhäuser26 Nëntor 2007

Partia ekologjike kërkoi në përfundim të kongresit të saj triditor, në qendër të së cilit ishte politika sociale, më tepër para dhe ndihma shtetërore për të papunët.

https://p.dw.com/p/CTD4
Kryetarët e Partisë Ekologjike, Reinhard Buetikofer dhe Claudia RothFotografi: AP

Personi më i padëshiruar i kongresit të ekologjistëve quhet Oswald Metzger: politikani i mirënjohur i partisë ekologjike nga landi Baden-Württemberg u shpreh në kongres me përçmim për ata që jetojnë me ndihma sociale. Shumë prej tyre e shohin kuptimin e jetës tek të parit televizor, te konsumimi i karbohidrateve apo i alkoolit, u shpreh Metzger ndaj atyre që jetojnë me ndihma sociale. Për këto fjalë ai u kritikua ashpër prej kolegëve të vet, të cilët synonin që në këtë kongres të forconin profilin social të kësaj partie dhe në këtë kontekst nuk kishte vend për deklaratat e Metzgerit.

Në radhët e delegatëve të kongresit të ekologjistëve dominoi ideja se të papunët meritojnë një mbështetje më të mirë, pra më tepër para dhe ndihma nga shteti. 420 euro në muaj janë minimumi për të jetuar me dinjitet, ky ishte mendimi i njëzëshëm i përfaqësuesve të partisë ekologjike. Kjo shumë është shumë e lartë se sa ndihma e tanishme sociale, por përfaqësuesit e kësaj partie janë tani në opozitë dhe për këtë për momentin nuk kanë pse ta vrasin mendjen se si do ta vinin në jetë një ide të tillë, e cila do të kushtonte miliarda. Po në rast se ekologjistët duan të rikthehen sërish në pushtet, ata duhet të sqarojnë se nga do të gjendeshin paratë për një masë të tillë. Vetëm me shtimin e taksës së trashëgimisë nuk mund të arrihet shuma e nevojshme për paguar ndihma sociale prej 420 eurosh në muaj.

Tipik për debatin ishte fakti se ekologjistëve as që u shkoi për asnjë moment në mendje që t'i bënin të papunët apo ata që jetojnë me ndihma sociale vetë përgjegjës për fatin e tyre. Me çiltërsi dhe pa mendjemadhësi delegatët e këtij kongresi diskutuan për rrethanat e jetesës së shumë njerëzve në Gjermani, të cilët kanë rroga tepër të ulta, që janë të papunë apo kanë halle të tjera.

Sipas mendimit të ekologjistëve ai megjithë përpjekjet nuk gjen punë nuk duhet të bjerë në gjunjë përpara punonjësve të zyrave sociale duke u sjellë si lypës, dhe nuk duhet të detyrohet që të shpenzojë kursimet që ka mbledhur për pleqërinë përpara se të kërkojë ndihmë nga shteti.

Jo-ja e ekologjistëve ndaj zvarritjeve dhe grackave të burokracisë të çfarëdolloji ishte bindëse, kurse perceptimi i shtetit në tërësi jo. Shteti duhet t'i vijë çdo qytetari në ndihmë në çdo moment, nuk duhet t'i vërë qytetarët nën tutelë dhe të veprojë gjithmonë në mënyrën më të përshtatshme – një gjë e tillë është vërtet e lakmueshme, por utopike.

Kërkesa e shumë ekologjistëve për një të ardhur bazë pa asnjë kusht për të gjithë ishte jashtë çdo realiteti. Kryesia e partisë lëshoi një psherëtimë lehtësimi, kur ky propozim u hodh poshtë. Së shpejti zhvillohen në landin e Hesenit dhe të Saksonisë së Poshtme zgjedhjet për parlamentet e landeve dhe një model i tillë nuk shitet dot kollaj.

Me debatin 5-orësh për politikën sociale ekologjistët siguruan dy gjëra: të kënaqur dolën si ëndërrimtarët edhe realistët dhe dallgët opozitare nuk iu nënshtruan krejtësisht politikës reale. Kjo ishte e mjaftzeshme për të përmirësuar dukshën gjendjen e kësaj partie disi të shkalafitur.