1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të rinjtë si sfond e në funksion të imazhit politik

8 Mars 2013

11 % e të rinjve në Shqipëri interesohen për politikën, vetëm 3 %e tyre ndihen të përfaqësuar në aktivitetin partiak. Studimi i Fondacionit "Friedrich Ebert" tregon se të rinjtë e shikojnë politikën si mjet përfitimi.

https://p.dw.com/p/17tbh
Fotografi: Arben Muka

Shqipëria ka një moshë mesatare rreth 30 vjeç, ku gjenerata 18 - 24 vjeç arrin shifrën e rreth 400 mijë vetëve. Por nga ana tjetër pjesmarrja e të rinjve në jetën publike dhe politike është gati e pandieshme. Një studim që publikoi ditët e fundit në Tiranë zyra e Fondacionit gjerman "Friedrich Ebert" ka konfirmuar pasivitetin e të rinjve në raport me zhvillimet e vrullshme të tranzicionit në vend.

Megjithëse në zgjedhjet e fundit që janë zhvilluar para dy viteve, votuesit që morrën pjesë për herë të parë në procesin elektoral përbënin rreth 12 përqind të numrit total të votuesve, ose rreth 180 mijë vetë, të dhënat e studimit japin një tablo mosinteresimi të mazhorancës së tyre për politikën. Nga të rinjtë e moshës nga 19 deri në 27 vjeç, që janë pyetur në kuadër të studimit, më shumë ata nuk besojnë që vota e tyre ka rëndësi dhe ndikim në mënyrën se si drejtohen insitucionet. Duke mos gjetur perspektivën në vendin e tyre, të rinjtë në masën rreth 50 përqind kanë shprehur gatishmëri për emigrim jashtë vendit.

Pjesëmarrja në politikë si përfitim personal, afatshkurtër

Vladimir Thano flet për DW
Vladimir Thano flet për DWFotografi: Arben Muka

Juristi Vladimir Thano, prej vitesh drejton degën për Shqipërinë të Federalistëve të Rinj Europianë. Në bisedë me DW-në ai shprehet se angazhimi i të rinjve më shumë i ka fillesat në periudhën e studimeve universitare, ose duke e përgjithësuar fenomenin, angazhimi nis më shumë pas përfundimit të shkollës së mesme. "Është koha, kur tek cilido ndodh një ndryshim esencial në të gjitha apektet jetësore".

Sipas Thanos dy janë linjat e tyre kryesore ku ata angazhohen, në rrjetin e forumeve politike partiake dhe në organizatat joqeveritare.

"Në rastin e rekrutimit politik vendimi i të rinjëve shikohet më shumë si një përfitim personal, afatshkurtër. Ata e kane kuptuar se duke ndejtur pranë selive të partive kanë më shumë perspektivë punësimi a karriere. Për fat të keq, sjellja e partive ndaj të rinjëve është pragamatiste, që të marrin votat, por dhe të marrin efekte potiviste në imazhin e kastës politike. Në vend që këtë mbështetje nga partitë politike për këta rinj, në vend që të ketë programe konkrete si mbështetje dhe përfshirje të kësaj gjenerate të re në jetën publike e politike, ndodh e kundërta: përdorja më shumë për sfond gjatë tubimeve të ndryshme. Këtë nuk duhet ta lejojnë të rinjtë. "

Angazhimi politik për përfitime
Angazhimi politik për përfitimeFotografi: Arben Muka

Duke iu kthyer të dhënave të studimit të "Friedrich Ebert" del se dëshira për pjesëmarrje vullnetare e të rinjve në komunitet është vetëm 16 për qind. Shumica e të rinjve e mendojnë përfshirjen në organizata joqeveritare thjesht si një burim të ardhurash dhe si mënyrë punësimi.

"Në sektorin e shoqërisë civile hapësirat për të rinjtë janë të vogla, kjo nga vetë performanca e zbehtë e aktorëve të shoqërisë civile, varësia e tyre nga politika, atrofizimi i menaxhimit të tyre për shkak të përfitimeve të individëve ose një grupi të vogël"- thotë Vladimir Thano për DW.

Të bëhesh i pasur brenda natës

Erion Kristo flet për DW
Erion Kristo flet për DWFotografi: DW/A. Muka

Për pedagogun e sociologjisë kulturore, Erion Kristo, aktivist i shoqërisë civile, rinia shqiptare shfaqet si e mpirë, siç e përshkruan ai në mënyrë figurative, "duke ia kushtuar kohën dhe energjinë e saj pasurimit të brazilianëve, të cilëve u konsumojnë kafenë me shumicë...". Kristo thotë për DW se në përgjithësi të rinjtë shqiptarë nuk kanë modele dhe janë si në një prerje.

"Duan të largohen nga vendi dhe të bëhen të pasur brenda natës. Nëse kjo e fundit mund të quhet ideal, ata janë krejt idealistë. Ata njohin shumë mirë futbollin dhe futbollistët evropianë, po dinë shumë pak për rrënjët dhe vlerat e kombit të tyre. Ata janë njerëz që çalltisin dhe kanë celularë e makina të shtrenjta, edhe pse s'kanë punuar ndonjëherë. Janë pragmatistë dhe pretendojnë se nuk duan të përdoren, por janë peshqiri i politikës dhe përdoren gjerësisht nga politika si mbushës radhësh. Me mijëra të rinj e të reja marrin karta anëtarësie, që të sigurojnë një vend pune, e pastaj zhgënjehen tërësisht".

Sipas Erion Kristos një pjesë e të rinjve e kuptojnë se nuk kanë të ardhme në këtë vend, sepse nuk kanë punë. Por dhe as nuk e duan punën.

"Kanë energji kolosale, por e harxhojnë kundër njëri-tjetrit, pa prodhuar sinergji, pa prodhuar solidaritet. Nuk e duan rrugën e vështirë, po atë të lehtën e gjejnë gjithmonë. Jetojnë vetëm çastin, dhe nuk mbjellin, por vetëm duan të korrin".

Gjallërimi i angazhimit qytetar i të rinjve shqiptarë ka qenë në fokus dhe të një projekti të mbështetur nga Ambasada gjermane në Shqipëri dhe e implementuar nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë. Duke e parë angazhimin qytetar të brezit të ri si një hap të parë drejt pjesmarrjes aktive të tyre në vendimmarrjen publike dhe politike, projekti ka gjetur aplikim me organizatat rinore të Tiranës, Korçës dhe Durrësit.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Auron Dodi