1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200111 Obama Hu

20 Janar 2011

Presidenti i Kinës Hu Jintao filloi një vizitë shtetërore në SHBA. Pritja me nderime të larta ushtarake para Shtëpisë së Bardhë dhe një banket shtetëror tregojnë sa e rëndësishme është Kina për SHBA-në.

https://p.dw.com/p/zzyU
Hu Jinato dhe Barack Obama
Hu Jinato dhe Barack ObamaFotografi: AP

Barack Obama e mbajti fjalën. Ai kishte paralajmëruar më parë se gjatë vizitës së presidentit kinez do të flas troç. Kështu ai kritikoi hapur politikën monetare të kinezëve:


"Unë i thashë presidentit Hu që ne e përshëndesim faktin që Kina ia përshtat tregut pak më shumë monedhën e saj. Por mua mu desh t'i them atij po ashtu se Juani mbetet ende i nënvlerësuar dhe se duhet të ketë përshtatje të tjera të kursit të shkëmbimit. Kjo mund të jetë një mjet efektiv për Kinën për të stimuluar kërkesat në tregun e brendshëm dhe për të zbutur presionin e inflacionit. Ne shpresojmë që vlera e monedhës kineze do të përcaktohet gjithnjë e më shumë nga tregu në mënyrë që asnjë shtet mos të gëzojë përparësi të padrejta ekonomike."

Bartësi i çmimit Nobel për paqë, Barack Obama foli po ashtu me fjalë të qarta edhe për të drejtat e njeriut:


"Unë e theksova se Amerika është e obliguar që të respektojë të drejtat e përgjithshme të të gjithë njerëzve. Këtu bëjnë pjesë të drejtat e njeriut si dhe liria e shtypit dhe e mendimit, liria e tubimit dhe demonstratave dhe liria e fesë. Këto të drejta janë të njohura edhe me kushtetetën kineze. Pikëmpamja jonë është se të gjitha kombet po ashtu edhe Kina do të ishin më të suksesshme dhe të begatshme nëse do të respektonin këto të drejta."

Hu Jintao US Weißes Haus NO FLASH
Para Shtëpisë së BardhëFotografi: AP

Një temë tjetër e ndieshme për qeverinë kineze është lufta e tibetianëve për vetëvendosje. Presidenti amerikan Barack Obama nuk e anashkaloi as këtë temë:


"Shtetet e Bashkuara të Amerikës e pranojnë që Tibeti është pjesë e Kinës. Por ne e mështesim dialogun e mëtejshëm në mes të përfaqësuesve të qeverisë kineze dhe Dalai Lamës për të hequr dyshimet dhe mosmarrëveshjet. Këtu bën pjesë edhe mbrojtja e integritetit dhe kulturës së popullit tibetian."

Në konferencën e përbashkët për shtyp për të drejtat e njeriut ka folur edhe presidenti kinez Hu Jintao. Edhe pse Kina po e mban prapa grillave të burgut nobelistin aktual për paqe Liu Xiaobo, presidenti i saj deklaroi se:

"Kina është gjithnjë e detyruar të mbrojë dhe të respektojë të drejtat e njeriut dhe ka bërë përparime të mëdha."

Pak më vonë Hu Jintao relativizoi me kujdes lavdëratat e tij dhe e pranoi se:

"Kina është një vend në zhvillim me një popullsi të madhe në një fazë vendimtare të një reforme. Prandaj në këtë kontekst Kina ndodhet përballë shumë sfidave ekonomike dhe shoqërore. Dhe në aspektin e të drejtave të njeriut Kina ka ende shumë për të bërë."

Flash-Galerie Obama und Hu Jintao
Presidenti amerikan Barack Obama pret Presidentin kinez Hu JintaoFotografi: AP

Debati për të drejtat e njeriut është i rëndësishëm por megjithatë në qendër të vizitës ishte ekonomia. Ajo është pjesë qendrore e marrëdhënieve amerikano-kineze. Shtetet e Bashkuara të Amerikës eksportojnë çdo vit në Kinë mallëra dhe shërbime në vlerë prej 100 miliardë dollarësh ndërsa pas Kanadasë dhe Meksikës, Kina është partneri më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas të dhënave të qeverisë amerikane nga eksporti në Kinë varen një gjysëm milioni vende të punës në SHBA.

Kështu që në bisedat e zhvilluara pas dyerve të mbyllura temë qendrore ishte biznesi. Gjatë takimit janë lidhur disa marrëveshje të cilat e rrisin eksportin amerikan për 45 miliardë dollarë. Presidenti amerikan foli për një "rivalitet të shëndoshë". Siç duket të dyja palët varen nga njëra tjetra. Ndërsa nga marrëdhëniet harmonike këto dy vende janë ende larg.

Autor: Christina Bergmann/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë