1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tërmet i ri në lindje të Turqisë

10 Nëntor 2011

Si pasojë e një tërmeti të ri me fuqi 5,6 ballë në lindje të Turqisë, humbën jetën shumë vetë. Rreth 100 persona konsiderohen të humbur.

https://p.dw.com/p/138eW
Ekipet e shpëtimit kërkojnë të mbijetuar nën rrënojat e një hoteli të shembur në Van, në lindje të Turqisë.
Ekipet e shpëtimit kërkojnë të mbijetuar nën rrënojat e një hoteli të shembur në Van, në lindje të Turqisë.Fotografi: AP

Toka në provincën Van u lëkund sërish. Vetëm dy javë më parë, në 23 tetor, si pasojë e një tërmeti me fuqi 7,2 ballësh atje humbën jetën 600 vetë. Mijëra të tjerë pësuan lëndime, një numër i madh godinash u shkatërruan.

Të mërkurën në mbrëmje (09.11.2011) një tërmet me fuqi 5,6 ballë tronditi sërish provincën. Të paktën dhjetë vetë humbën jetën, rreth 100 banorë janë ende të humbur, njoftuan kanalet televizive turke.

Rreth 20 ndërtesa janë shembur në qytetin Van në provincën me të njëjtin emër. Ndihmësit deri tani kanë arritur të nxjerrin 28 vetë nga rrënojat. Sipas njoftimeve ndërtesat e rrëzuara ishin dëmtuar gjatë tërmetit të mëparshëm.

"I kemi njoftuar vazhdimisht njerëzit atje, të mos kthehen në shtëpitë e dëmtuara. Dyshojmë se numri i të vdekurve është 70 deri 80 vetë", tha për portalin "Milliyet", Dogan Kalafat nga qendra e vëzhgimit seizmologjik

Ekipet e shpëtimit përpiqen të nxjerrin të njerëzit e mbetur nën rrënoja
Ndërtesat e rrëzuara ishin dëmtuar gjatë tërmetit të mëparshëmFotografi: picture alliance / dpa

Nën rrënoja edhe ndihmësit

Siç njofton kanali televiziv NTV, nga lëkundja e tokës u shemb edhe një hotel me gjashtë kate, në të cilin ndodheshin kryesisht gazetarë dhe punonjës të Gjysmëhënës së Kuqe turke, të ardhur në rajon pas tëmetit të rëndë në tetor.

Zëvendëskryeministri turk Basir Atalay tha se nga kryeqyteti Ankara dhe zona të tjera janë dërguar ekipe shpëtimi në rajonin e prekur. Epiqendra e tërmetit ishte në qarkun Edremit, rreth 20 kilometra në juglindje të Vanit. Disa lëkundje të tjera pas tërmetit e tronditën rajonin, dy prej tyre me fuqi 4,5 ballë. Provinca Van ndodhet në verilindje të Turqisë, në kufi me Iranin. Ajo banohet kryesisht nga kurdë. Në Turqi ndodhin shpesh tërmete të fuqishme.

Autore: Julia Elvers-Guyot / (dpa, dapd, afp)
Redaktoi: E.Xhani