1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tërmet në Iran

afp, dpa12 Gusht 2012

Mbas tërmetit të rëndë që tronditi veriperëndimin e Iranit është duke u bërë pak nga pak e qartë përmasa e katastrofës. Bilanci i ndërmjetëm është 250 vetë kanë humbur jetën dhe rreth 2000 janë plagosur.

https://p.dw.com/p/15oHk
Tërmet në Iran
Tërmet në IranFotografi: picture-alliance/dpa

Në zonën e tërmetit rreth qytetit Tabriz, punonjësit e forcave të shpëtimit janë duke kërkuar për njerëzit e mbetur nën rrënoja. Ekipe shpëtimi dhe grupe me qenë janë futur në punë. Fshatra të tërë janë shkëputur nga pjesa tjetër e botës. Numri i të vdekurve mund të rritet, tha shefi vendas për mbrojtjen nga katastrofat.

Sipas të dhënave të Institutit sizmologjik në Universitetin e Teheranit, tronditja kryesore e tërmetit që ra të shtunën pasdite sipas orës lokale, ishte i shkallës 6,2. Epiqendra ndodhej 60 kilometra larg Tabrizit. Vetëm 11 minuta pas tërmetit të parë, ra sërish një tjetër i shkallës 6,0. Më pas ranë edhe disa tërmete të tjera të vogla.

Tërmet në Iran
Tërmet në IranFotografi: Reuters

Strehim emergjent për të pastrehët

Mes 1,5 milionë banorëve të qytetit Tabriz ra paniku. Shumë u larguan nga shtëpitë dhe dolën në natyrë. Linjat telefonike të një pjesë të rajonit u ndërprenë, rrjetet e telefonisë celulare po ashtu. Zjarrfikësit njoftuan për ndërprerjen e rrymës elektrike në shumë zona. Mijëra vetë e kaluan natën përjashta. Gjysmëhëna e kuqe iraniane krijoi në një stadium një strehim emergjent për 16 mijë vetë, siç bëri të ditur agjencia e lajmeve, Fars. Rreth 3000 çadra janë përgatitur për të pastrehët.

Në Iran bien shpesh tërmete, sepse pllakat tektonike takohen atje me njëra tjetrën. Një tërmet i rëndë ra në dhjetor të 2003-it. Në juglindje të vendit humbën atëherë jetën 25 mijë vetë.