1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tadiq: „Nuk kemi asgjë për të fshehur"

3 Qershor 2011

„Frankfurter Allgemeine Zeitung“ (FAZ) boton një intervistë me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq. Tadiq flet për kriminelët e luftës dhe të ardhmen evropiane të Serbisë.

https://p.dw.com/p/11U13

…FAZ: "Një pengesë e madhe në rrugën e Serbisë për në Evropë tashmë është kapërcyer, por mbeten të tjera pengesa – më e madhja është Kosova. Ju së fundi anulluat një takim me Barack Obama-n në Varshavë dhe nuk merrni pjesë në samitin në Romë, sepse e ftuar ishte edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Çfarë arrin Serbia me këtë?

Tadiq: Mospjesëmarrja ime nuk u sjell asnjë dobi qytetarëve të Serbisë, ndërsa pjesëmarrja ime shkakton dëm. Edhe presidenti rumun Basescu nuk mori pjesë në takimin në Varshavë, për të njëjtën arsye si unë. Nëse në këto rrethana unë do të kisha shkuar në Varshavë, apo në Romë, atëherë do të humbiste edhe kuptimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, që ne e kemi nisur tashmë. Ne duam të gjejmë një zgjidhje, që të mundësojë pjesëmarrjen e të gjitha entiteteve, duke përfshirë edhe Kosovën, në forumet rajonale dhe në evenimentet ndërkombëtare, por kjo zgjidhje duhet të jetë e tillë që të mos rrezikojë as integritetin e Serbisë dhe as të drejtën ndërkombëtare. Ne nuk kemi asnjë interes, të bllokojmë diçka, as në Kosovë dhe as në rajon. Por është edhe një interes i yni legjitim, që të mos lejojmë të kërcënohet integriteti territorial i Serbisë dhe dinjiteti i këtij shteti. ...

FAZ: Diplomati gjerman Wolfgang Ischinger, i cili nën mandatin e BE-së drejtoi bisedimet në fazën e fundit për Kosovën në vitin 2007, parashtroi si model marrëveshjet gjermane bazë të vitit 1972 për marrëdhëniet serbo-kosovare. Në këtë mënyrë Beogradi mund të hynte në marrëdhënie politike me Prishtinën, pa qenë nevoja që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Tadiq: Ky është gjithësesi një ndër propozimet më racionale, që ka pasur dhjetëvjeçarin e kaluar për Kosovën. Unë i jam mirënjohës z. Ischinger për idenë, që ka parashtruar në bisedimet tona. Por në të vërtetë nuk mund të kopjosh as formulimet juridike dhe as detaje të një plani të caktuar. Nëse megjithatë ndërmerr ndonjë ndryshim, ndoshta ky plan nuk do të pranohej për Serbinë. Projekti im politik në Serbi është, që ne ta bëjmë më efikase shoqërinë tonë. Në duam një zgjidhje. Ne duam t' i japim fund konsumimit të energjive dhe resurseve për gjëra të pakuptimta. Ne duam t'u përkushtohemi zgjidhjeve praktike dhe konkrete, që i shërbejnë popullit tonë dhe interesave tona shtetërore, që janë njëkohësisht edhe në interesin evropian. Qëndrimi serb ndaj Kosovës duhet të jetë racional, por shteti demokratik i Serbisë e meriton që të mirëkuptohet për pozicionin e tij.

FAZ: Askush nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën.

Tadiq: Por kjo duhet të vlejë si për njohjen implicite ashtu edhe për atë eksplicite. Eshtë shumë e rëndësishme, që ta themi këtë. Askush nuk mund të presë prej Serbisë, që të mos e njohë Kosovën formalisht, por praktikisht ta njohë atë.

FAZ: Ndoshta në Prishtinë shpejt do të shtrohen çështje krejt të ndryshme. Tani për herë të parë ka një parti politike të konsiderueshme, që kërkon hapur bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Tadiq: Politikanët shqiptarë janë mjaft efikasë në ndjekjen e qëllimeve të tyre, unë kurrësesi nuk e nënvleftësoj këtë. Bashkësia ndërkombëtare as që nuk do ta dëgjojë një gjë të tillë, por ai që mund ta lexojë historinë, do të kuptojë se krijimi i Shqipërisë së madhe është plani afatgjatë politik i shqiptarëve. Ky plan si një qëllim i njëanshëm është shumë i rrezikshëm, por ne mund të pajtohemi me të, nëse kemi zgjidhje me marrëveshje. Një marrëveshje, në bazë të së cilës të gjitha palët marrin diçka, e cila krijon një zgjidhje të qëndrueshme, paqe dhe stabilitet, mund të jetë për të gjitha palët jashtëzakonisht e dobishme. Unë nuk jam për t'iu shmangur zgjidhjeve, por për dialog dhe bisedime. Nëse ne jemi pragmatikë, mund t'i zgjidhim problemet. Unë nuk besoj se Serbia e madhe është një zgjidhje e madhe. Po ashtu jam edhe kundër ndarjes së Bosnjes. Unë jam kundër një politike për krijimin e shteteve të mëdha. Ndaj le të përpiqemi, të gjejmë zgjidhje praktike për problemet.“

Pjesë nga intervista me presidentin serb Boris Tadiq, botuar në gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung" (03.06.2011)

Redaktoi: Filaj/Verbica