1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tadiq: Serbia dhe Kosova kanë arritur marrëveshje për kufirin

Lindita Arapi4 Dhjetor 2011

Presidenti serb Boris Tadiq konfirmoi arritjen e një marrëveshjeje për kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. "Ka një zgjidhje për të cilën ne kemi rënë dakord për kufijtë", tha Tadiq në Berlin.

https://p.dw.com/p/13MFC
Boris Tadiq
Boris TadiqFotografi: AP

Presidenti serb i cilësoi bisedimet si "pozitive". "Kemi arritur ç'është e mundur për momentin", tha Tadiq në një konferencë ndërkombëtare të zhvilluar nga Partia Socialdemokrate gjermane. Por ai theksoi se "kanë mbetur edhe shumë gjëra që duhet biseduar".

Serbët duhet t'i largojnë barrikadat

Ai kërkoi nga serbët e veriut që të largojnë të gjitha barrikadat, një lëvizje kjo e cila mund të ndihmojë Serbinë në afrimin e mëtejshëm me BE-në.

Borisllav Stefanoviq
Tadiqi flet ndryshe nga Borisllav StefanoviqiFotografi: picture alliance/dpa

Pas marrëveshjes për kufirin presidenti serb, tha se është e rëndësishme që marrëveshjet të implementohen, duke shtuar se "kjo është "plotësisht e mundur". Serbia dhe Kosova duket se ranë dakord për menaxhimin e përbashkët të kufirit të premten vonë, pas tri ditësh bisedime në raundin e tetë të negociatave të ndërmjetësuara nga BE që nga marsi. Me këto deklarata Tadiq, shkruan agjencia e lajmeve dpa, hodhi poshtë deklaratat e kryenegociatorit serb, Borisllav Stefanoviq, i cili të premten ishte shprehur se "marrëveshja është shumë pranë, por nuk e kemi ende në dorë".

Prezenca e barabartë në kufi

Të dyja palët e interpretuan marrëveshjen sipas mënyrave të tyre. Kryenegociatorja e ekipit kosovar në Bruksel, Edita Tahiri tha se dy palët do të jenë me prezencë të barabartë në kufi, duke aluduar kështu se Beogradi i njeh tashmë autoritetet e Prishtinës. Ndërsa kryenegociatori, serb, Stefanoviq bëri fjalë për "vëzhgues" kosovarë në kufi. Sipas tij nuk do të ketë simbole shtetërore kosovare në kufi.

Sipas një deklarate të BE-së të premten vonë, menaxhimi i kufirit do të bëhet në mënyrë të përbashkët nga Kosova dhe Serbia dhe "do të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur. Edhe EULEX-i do të jetë prezent në kufi.

Angela Merkel dhe Boris Tadiq
Angela Merkel dhe Boris TadiqFotografi: picture-alliance/dpa

Koncesionet e shpejta të Serbisë vijnë në një kohë, kur Serbia pret së shpejti fjalën e fundit për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Vendimi nëse Serbisë do t'i jepet ky status do të kumtohet me 9. dhjetor. Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi të premten se është e papranueshme që Beogradi të kontribuojë në tensionimin e situatës në veri, ku sulmohen edhe ushtarët e KFOR-it. Presidenti serb, i pyetur nga dpa, nëse kjo marrëveshje për kufijtë do të ndryshojë pozicionin gjerman për Serbinë në BE, tha se "nuk do të nxitohesha kur vjen puna për këtë, edhe po qe se kjo nuk ndodh, ne nuk duhet të heqim dorë nga aspirata drejt Bashkimit Evropian".