1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takim mes historive personale të serbëve dhe shqiptarëve

13 Nëntor 2010

A është e mundur që pas një periudhe të gjatë mungese komunikimi, arti të jetë në gjendje të kontribuojë që shqiptarët dhe serbët të flasin sërish me njëri-tjetrin? Kjo është pyetja e një ekspozite në Novi Sad...

https://p.dw.com/p/Q7lE
Monument në kujtim të viktimave të Luftës së II Botërore, Novi Sad
Monument në kujtim të viktimave të Luftës së II Botërore, Novi SadFotografi: DW / Dinko Gruhonjic

Ekspozita e fotografive dhe intervistave nga jeta e serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë nën titullin "Vështrime: takime mes historive personale të serbëve dhe shqiptarëve", realizohet në bashkëpunim të Shoqatës 'Kultura e re' nga Novi Sadi dhe Qendra Multimediale në Prishtinë. Gjatë verës së këtij viti ata kanë intervistuar pjesëtarë të popullatës serbe dhe shqiptare në Kosovë, i kanë pyetur ata për kujtimet e tyre, me çfarë sysh e shohin sot botën dhe si e mendojnë të ardhmen. Përveç intervistave, përmes fotografive prezantohet atmosfera autentike e jetës në Kosovë, krejt kjo me qëllim që të tregohet dallimi mes tregimeve të jetës së serbëve dhe shqiptarëve.

Paragjykimet gjunjëzohen para realitetit

Njëri prej autorëve të fotografive, Nikola Bradonjiq ka qenë për herë të parë në jetën e tij në Kosovë dhe menjëherë ka larguar paragjykimet që kishte më herët. "Jam ndier shumë mirë në shoqëri të serbëve dhe të shqiptarëve dhe kam ndier kënaqësi kur kam vizituar Prishtinën dhe Graçanicën. Kënaqësi në kuptimin që natyrisht mu shembën disa mendime që i kam pasur për shqiptarët dhe për Kosovën. Por në të njëjtën kohë në njëfarë mënyre isha edhe pak i trishtuar për shkak se kur arrini në enklavat serbe e kuptoni se ata njerëz janë të izoluar tërsisht. Përndryshe nuk i përkasin as Serbisë e as Kosovës."

Gazetarja e re Ivana Srdanov, njëra prej autoreve të intervistave po ashtu ka qenë për herë të parë në Kosovë: "Përshtypja ime është se secili prej tyre ka të drejtë dhe secili prej tyre ndihet ashtu si ndihet për shkak se kanë paragjykime të caktuara ose frikë pikërisht për atë se ka kaluar ajo çfarë ka kaluar."

Shtëpia e fëmijëve, Novi Sad
Shtëpia e fëmijëve, Novi SadFotografi: Dinko Gruhonjic

"Kapadaillëk" atje dhe këtu

Nikola Bradonjiq ka vërejtur ngjashmëri në kohët e tranzicionit. "Gjendja është në përgjithësi ashtu si gjendja e këtushme: kemi makina luksoze në rrugë por kemi edhe mjerim. Pra në parim ekziston një kapadaillëk i madh nëse mund ta them kështu. Pra na ngjajnë shumë."

Nuk kemi intervistuar asnjë shqiptar nga Kosova dhe shkak për këtë është mospjesëmarrja e autorëve shqiptarë në ekspozitë. Ata nuk kishin pasur mundësi të udhëtojnë për në Novi Sad për shkak se Serbia nuk i njeh dokumentet kosovare të udhëtimit. Në ekspozitë ka marrë pjesë reporteri i medieve nga Kosova dhe Shqipëria Idro Seferi, i cili për problemet e tilla fajëson vetëm politikanët të cilët sipa tij janë fajtorët kryesor për mungesën e komunikimit mes dy popujve.

"Shqiptarët dhe serbët më nuk dijnë për njëri-tjetrin. Të rinjtë shqiptarë nuk flasin më gjuhën serbe, serbët nuk flasin shqip. Është shumë keq që për shembull dikush që vjen nga Graçanica në Prishtinë duhet të flasë në gjuhën angleze ndërkohë që Graçanica është vetëm pesë kilometra larg. Po ashtu nëse dikush nga Prishtina shkon në Graçanicë duhet të flas në gjuhën angleze. Dhe kjo është një histori e trishtuar nga Kosova", thotë Seferi.

Projekti ka edhe fazën e dytë që përfshin shfaqjen në skenë të një pjese tetrale në të cilën aktorët do të provojnë të tregojnë marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, ngjashmëritë dhe dallimet e tyre, dhe të gjitha këto në bazë të intervistave të mbledhura.

Projekti është mbështetur nga Fondacioni kulturor evropian, Fondacioni Erste, Fondacioni kosovar për shoqëri të hapur, Fondi për shoqëri të hapur në Serbi dhe Fondacioni gjerman Heinrich-Böll për Evropën Juglindore.