1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takim Rama - Ivanov

Ani Ruci18 Shtator 2013

Marrëveshja Serbi- Kosovë i hap Ballkanit Perendimor mundësi të reja bashkepunimi.

https://p.dw.com/p/19k0v
Edi Rama, Kryeministri i ShqipërisëFotografi: AFP/Getty Images

Shqipëria dhe Maqedonia janë të interesuara të rrisin bashkëpunimin dypalësh në interes të ndërsjelltë. Kjo ide zoteroi në takimin që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi sot në selinë e kryeministrisë, në Tiranë, me Presidentin e Maqedonisë, George Ivanov. Për kryeministrin shqiptar Rama rritja e bashkëpunimit dypalësh kerkon zbatimin rigoroz të marrëveshjeve ndërkombëtare për bashkëjetesën harmonike mes pjesës maqedonase dhe asaj shqiptare në Maqedoni.

“Kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për implementimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave të dakortësuar lidhur me mbarëvajtjen e bashkëjetesës mes pjesës maqedonase te popullsisë dhe asaj shqiptare në Maqedoni. Dua të shpresoj e të besoj se së bashku si fqinj dhe si miq ne do çojmë para një proces bashkëpunimi, ku zbatimi i këtyre marrëveshjeve dhe mekanizmave do jenë të padiskutueshme”, tha kryeministri Rama në këtë takim.

Marrveshja Serbi- Kosovë - vizione dhe projekte të reja bashkëpunimi në rajon

Kryeministri Rama vlerësoi rolin e Maqedonisë për ruajtjen e ekuilibrave në rajon, gjë që, sipas tij, përbën një arsye tjetër të qënësishme për forcimin e bashkëpunimit shqiptaro-maqedonas. .
“Ne kemi qenë, jemi dhe do mbetemi të interesuar për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe qeverive. S'ka dyshim se kjo është një kohë e re pas marrëveshjes Kosovë-Serbi që hap mundësi të reja për rajonin. Pas kësaj kohe dhe Shqipëria dhe Maqedonia duhen të shohin para me vizion të ri dhe projekte të reja”, u shpreh Rama.

Integrimi Europian – interesi i përbashkët

George Ivanov von VMRO DPMNE
George Ivanov, Presidenti i MaqedonisëFotografi: Petr Stojanovski

Presidenti maqedonas George Ivanov në takimin me kryeministrin Rama e konsideroi procesin e integrimit europian si “ rruga që ndryshon realitetin e dy vendeve si edhe atë të rajonit.

“Të gjithë e njohim të kaluarën e Ballkanit, por është hera e parë që kemi diçka që na bashkon për të ardhmen” tha në Tiranë, në kete kontekst, Presidenti Ivanov.

Presidenti maqedonas theksoi se ritmet e ecjes drejt anëtarësimit në BE janë në interes dhe me rëndësi për gjeneratën e re që po rritet.
“Jetojmë në një kohë kur nuk mund të bllokohet interesi i njerëzve. Jeton një brez që nuk ka kohë dhe durim për të pritur për të arritur në një destinacion të caktuar. Brezit të ri duhet ti japim një infrastrukturë të caktuar, rrugë të reja, kabllo të reja, kabllo optike të reja, gazsjellës të rinj etj.

Presidenti maqedonas George Ivanov mori pjese në takimin që përfundoi dje në Durrës të Presidentëve të rajonittë Ballkanit Perëndimor.