1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

USA Dalai Lama

19 Shkurt 2010

Presidenti i SHBA-së Barack Obama priti Dalai Lamën në Shtëpinë e Bardhë. Takimi u zhvillua në dhomën e hartave, në të cilën priten zakonisht të ftuarit privatë të Presidentit të SHBA-së.

https://p.dw.com/p/M5ZE
Takimi në Shtëpinë e Bardhë u trajtua në nivel simbolik.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë u trajtua në nivel simbolik.Fotografi: AP

Takimi në Shtëpinë e Bardhë nga ana protokollare u trajtua në nivel simbolik për të shmangur pakënaqësi të mëtejshme të kinezëve. Qeveria kineze e ka kritikuar ashpër Presidentin e SHBA-së për shkak të pritjes së Dalai Lamës. Kina e akuzon Dalai Lamën, se përpiqet të drejtojë Tibetin drejt pavarësisë. Por vetë Dalai Lama thotë, se ai kërkon vetëm një autonomi më të gjerë për popullin tibetian.

Në takimin e Presidentit amerikan Barack Obama me udhëheqësin shpirtëror të tibetianëve bëhej fjalë më shumë për simbole se sa për përmbajtje. Kështu ata biseduan në krahun jugor të Shtëpisë së Bardhë, në pjesën e zyrave. Ashtu si edhe presidentë të tjerë më parë, edhe Obama nuk doli përpara shtypit së bashku me Dalai Lamën. Megjithatë Dalai Lama u shpreh i kënaqur, kur u pyet nga gazetarët pas takimit: "Unë ndihem shumë i nderuar që munda të shoh presidentin e demokracisë më të madhe. Që në fëmijëri unë e kam admiruar gjithnjë Amerikën."

Obama dhe Bill Klinton.
Nga një politike e shpresës drejt një politike të qartë amerikane interesi të veçantë. Dalai Lama dhe Bill Klinton 1998.Fotografi: AP

Asnjë fjalë nga Dalai Lama për refuzimin zhgënjyes të një takimi me Obamën gjatë vizitës së tij të fundit në nëntor. Përkundrazi: Dalai Lama, duke i drejtuar edhe një sinjal Pekinit, u përpoq të theksonte se raporti i tij me Presidentin amerikan është i patrazuar. "Që përpara se të bëhej President, gjatë fushatës elektorale më pati telefonuar dhe tani si President ai shfaq interes të sinqertë për Tibetin."

Në një deklaratë për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, Obama premton mbështetjen e tij për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për tibetianët, shprehimisht "si pjesë e Republikës Popullore të Kinës", dhe u bën thirrje të dyja palëve për dialog të drejtpërdrejtë.

Në SHBA takimi i Obamës me Dalai Lamën nga vëzhguesit politikë vlerësohet si një tjetër hap drejt ndryshimit të politikës: nga një politike e shpresës drejt një politike të qartë amerikane interesi të veçantë. Kelly Currie, në të kaluarën koordinatore për Tibetin në Ministrinë e Jashtme amerikane, thotë: "Vitin e kaluar është bërë përpjekje për t'i shtrirë dorën Kinës. Por në çështjet thelbësore kjo nuk ka sjellë rezultat."

Dalai Lama thotë se raporti i tij me Presidentin amerikan është i patrazuar.
Dalai Lama thotë se raporti i tij me Presidentin amerikan është i patrazuar.Fotografi: AP

Kështu qeveria amerikane ndien se nuk merr nga kinezët mbështetje të mjaftueshme në çështjen e Koresë së Veriut dhe atë të Iranit. Veç kësaj qëndrimi defensiv i Kinës në samitin për klimën në Kopenhagë, nuk u prit mirë nga amerikanët. Nga ana tjetër kinezët janë të zemëruar për livrimet amerikane të armëve Taivanit dhe për shkak të taksave të larta doganore të amerikanëve mbi gomat e makinave nga Kina.

Megjithatë filli i bisedimeve mes dy fuqive të mëdha nuk është këputur. Ata janë të varur ekonomikisht nga njëri-tjetri. Amerikanët si kredimarrës dhe kinezët si livrues mallrash. Kështu tonet e larta të zërit, janë pjesë e konkurrencës për vendin e parë mes dy superfuqive. Në të njëjtën kohë, vizita e Dalai Lamës në Shtëpinë e Bardhë dhe sfidat amerikane ndaj Kinës sinjalizojnë edhe një orientim të ri, mendon ekspertja për Tibetin, Kelly Currie: "Ky mund të jetë një fillim i ri - një politikë amerikane më realiste ndaj Kinës."

Autor: Rüdiger Paulert / Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama