1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Taksa mbi transaksionet financiare ndan Evropën

Bernd Riegert / Eliana Xhani21 Maj 2013

Taksa e planifikuar mbi transaksionet në bursë po vonohet. Në samitin e ardhshëm për temën e "tatimeve", zënka për këtë taksë do të vazhdojë. Dy shtete të BE-së kanë ngritur madje padi kundër saj.

https://p.dw.com/p/18bQX
Fotografi: Bilderbox

Në çështjet fiskale BE-ja duhet t'i marrë vendimet njëzëri me 27 vendet anëtare. Kjo i bën diskutimet të gjata dhe rezultatet nganjëherë të pamundura. Pas përvojave negative në krizën financiare, 11 shtetet anëtare të BE-së duan të fusin një taksë të re mbi transaksionet financiare në bursa. 17 vende janë kundër. Asnjë shans pra për taksën mbi transaksionet financiare?

Jo, kjo nuk është plotësisht e vërtetë, pasi 11 shtete, me në krye Francën dhe Gjermaninë, përdorën një truk: marrëveshjet e BE-së parashikojnë mundësinë që një grup shtetesh të fillojnë një "bashkëpunim më të ngushtë" jashtë juridiksionit të BE-së. Pikërisht këtë kanë bërë 11 përkrahësit e taksës mbi transaksionet. Komisioni i BE-së paraqiti në shkurt 2013 një projektligj përkatës. Kleçka në këtë mes: taksa mbi transaksionet financiare, ose shkurt FTT, do të vendoset vetëm në 11 shtete dhe jo në gjithë BE-në.

Duhet dënuar spekulimi

Kancelarja gjermane Angela Merkel angazhohet për FTT-në në bursë. Në samitin për çështje fiskale të mërkurën (22.05.'13) FTT nuk është vërtet në axhendën zyrtare të takimit, por mbi të do të diskutohet në sfond. Pasi në diskutim është gjithë politika fiskale e BE-së: bëhet fjalë për luftimin e evazionit fiskal, sekretin bankar, oazet fiskale dhe të ardhmen e tregjeve të mëdha financiare në BE si Luksemburgu apo Londra. Por edhe normat e ndryshme tatimore brenda BE-së për sipërmarrjet dhe përkufizimi se çfarë duhet të tatohet (baza e tatimit), luajnë një rol jo pak të rëndësishëm. Në çështjet fiskale mungon harmonia, shtetet i bëjnë konkurrencë njëri-tjetrit me modele tërheqëse.

Merkel dhe Cameron
Taksa mbi transaksionet financiare: Merkel e do, Cameron e kundërshtonFotografi: Getty Images

Kancelarja gjermane është e bindur se nëse në çështjen e taksës mbi transaksionet të paktën një grup vendesh ecën përpara:"ky sigurisht është vetëm një fillim, pasi do të ishte mirë që të gjithë të merrnin pjesë. Por megjithatë në kuadër të një bashkëpunimi më të ngushtë kjo do të jetë e mundur. Qeveria gjermane do të bëjë gjithçka që konsultimet për futjen e kësaj takse të zhvillohen me shpejtësi", tha Merkel në një mesazh video në internet. Ajo e argumenton angazhimin e saj për taksën mbi transaksionet me kërkesën që bankat dhe spekulantët të mbajnë një pjesë të kostove të krizës financiare: "Ne duam që ata të cilët kanë shkaktuar krizën në të ardhmen të japin një kontribut për ndreqjen e pasojave të saj."

Kush paguan taksën shtesë?

Komisioni i BE-së vlerëson se me një taksë mbi transaksionet financiare në bursë, 11 shtetet mund të merrnin çdo vit 30 deri 35 miliardë euro. Ministrat e financave do të gëzoheshin për këto të ardhura fiskale, por shoqata evropiane e tregtarëve të bursës paralajmëron se në fund taksën nuk do ta paguanin bankat, por do t'u kalonte klientëve. "Çdo klient final, qoftë i një fondi pensionesh apo një investues institucional, dhe çdokush që blen ose shet në bursë aksione, obligacione, valuta apo lëndë të para, do të paguajë çmimin. Kjo është një barrë e madhe", thotë Mark Spanbroek, sekretar i përgjithshëm i shoqatës evropiane të tregtarëve të bursës në bisedë me DW. Kjo do t'i thajë tregjet dhe njerëzit do të shkojnë gjetkë për të të bërë biznes ose do të shpiken produkte të reja për ta shmangur taksën.

Sven Giegold, zëdhënës për çështje financiare i ekologjistëve në Parlamentin Evropian, beson se këtu lobiistët përpiqen të ngjallin frikë. "Shitësi i luleve në qoshe të rrugës nuk e përdor bursën, koncerni i madh i tregtisë së luleve ndoshta. Pra kjo taksë prek ata që janë përdoruesit më të fortë të tregut financiar." Giegold, i cili e përkrah prej kohësh taksën mbi transaksionet financiare, mendon se modele të caktuara transaksionesh si tregtia spekulative me frekuencë të lartë, nuk do të funksionojnë më në bursa. "Nuk është pra për t'u habitur që ata të cilët sot jetojnë prej kësaj tregtie, e kundërshtojnë taksën", thotë Giegold në bisedë me Deutsche Welle-n.

Eurodeputeti i gjelbër Sven Giegold
Përkrahës i FTT-së - Eurodeputeti i gjelbër Sven GiegoldFotografi: picture-alliance/dpa

Padi në Gjykatën Evropiane

Kundërshtim i fortë ndaj taksës së re për transaksionet financiare vjen nga Britania e Madhe dhe Luksemburgu. Të dy shtetet kanë ngritur padi në Gjykatën Evropiane kundër planeve të 11 shteteve. Ministri britanik i Financave George Osborne lufton në çdo takim të ministrave të financave të BE-së kundër FTT-së dhe për mbrojtjen e interesave të sheshit financiar Londër: "Ne flasim për diçka që do të largojë nga Evropa një degë të qenësishme biznesi. Nëse duam vërtet që BE të jetë konkurruese në gjithë botën dhe të krijojë vende pune, atëherë nuk duhet të flasim për diçka që do të ketë si pasojë transferimin e 70 deri 90 për qind të këtij biznesi në rajone të tjera të botës." George Osborne paralajmëron se konkurrenca globale nuk do të fusë një taksë të re. "Përfytyrimi se SHBA, Kina apo Singapori e marrin në konsideratë qoftë edhe si ide futjen e një takse të tillë, është sinqerisht, thjesht fantazi."

Londra, sheshi më i rëndësishmën i transaksioneve financiare në Evropë
Londra, sheshi më i rëndësishmën i transaksioneve financiare në EvropëFotografi: Getty Images