1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tani bisedimet me Prishtinën

27 Maj 2011

Vizita e përfaqësueses së lartë të BE për politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Catherine Ashton (pa)pritmas u zhvillua ditën, kur u arrestua Ratko Mlladiqi. Çështja e Kosovës tani është pikë kyçe në bisedimet me BE.

https://p.dw.com/p/11P8k
Catherine Ashton
Catherine AshtonFotografi: dapd

Është plotësisht e sigurtë që Catherine Ashton nuk ka pritur që gjatë vizitës së saj në Begrad të arrestohet Ratko Mlladiqi, por në njëfarë mënyre kjo u kthye në një lloj "dhurate" për zonjën Ashton, thotë për Deutsche Wellen gazetarja Ljiljana Smajloviq. Kryetari i Serbisë Boris Tadiq u përpoq të sigurojë opinionin publik se ky ishte një veprim i qëllimshëm, me të cilin efektet pozitive për integrimet evropiane do të jenë maksimale, thotë Smajloviq: "Megjithatë, tani në njëfarë mënyre duket sikur Brammertzi nuk ishte i mirë ndaj nesh dhe atij nuk i kushtuam vëmendjen e duhur para tetë ditësh, ndërsa zonja Ashton ka qenë gjithmonë pozitive ndaj Serbisë dhe ndodhi që Mlladiqi të arrestohet pikërisht, kur ajo ndodhej këtu në Beograd."

Nuk do të funksionojë më taktika e zvarritjes

Boris Tadic in Brüssel
Boris Tadic në BrukselFotografi: DW

Komisioni Evropian edhe më herët ka njoftuar se arrestimi i Mlladiqit nuk është kusht për kandidaturën serbe për anëtarësim në BE, tërheq vëmendjen për Deutsche Wellen Dushan Janjiq, kryetar i Forumit për marrëdhënie etnike. Prandaj tani i mbetet radha bisedimeve me Kosovën: "Kjo nuk duhet të jetë diçka negative. Por duket qartë se ka ardhur koha, që të arrihen disa marrëveshje dhe në këtë mes nuk mund të funksionojë taktika e zvarritjes. Unë supozoj që edhe Catherine Ashton do të duhej të merrte pjesën e saj të përgjegjësisë, për shkak se pa një rol aktiv të Komisionit Evropian nuk ka dalje nga qorrsokaku aktual, në të cilin është futur procesi i negociatave."

Njohja nuk është akoma në rendin e ditës

Çështja e Kosovës është dashur të jetë në fokus të bisedimeve, që zonja Ashton zhvilloi në Beograd, por arrestimi i Mlladiqit e zhvendosi atë në plan të dytë. Ashton megjithatë theksoi se ky dialog është i rëndësishëm për zgjidhjen e çështjeve praktike për jetën e njerëzve. Shefi i grupit negociator të qeverisë serbe për dialogun me Prishtinën, Borislav Stefanoviq, deklaroi se tani pas arrestimit të Mlladiqit Serbia hyn me energji të re në dialog me Prishtinën. Ljiljana Smajloviq vlerëson se kjo është kurora e politikës së Boris Tadiqit, por çështja tani është se a do të mjaftojë kjo, për të hequr të gjitha pengesat në rrugën drejt BE-së: "Unë supozoj se nga Serbia kërkohet shumë më shumë, kur është në pyetje statusi i Kosovës. Përkatësisht, kur është fjala për të pranuar realitetin e ri, se Kosova është shtet i pavarur. Por mendoj se një gjë e tillë nuk do të kërkohet për hapin e ardhshëm, kandidaturën e Serbisë për Bashkimin Evropian. Prandaj unë mendoj se Boris Tadiq tashmë ka plotësuar të gjitha dëshirat e Catherin Ashton."

Dusan Janjic, kryetar i Forumit për marrëdhënie etnike
Dusan Janjic, kryetar i Forumit për marrëdhënie etnikeFotografi: Zulfija Jakupi

Çfarë do të thotë përparim në negociata

Dushan Janjiq thekson se arrestimi i Mlladiqit është gjithsesi një hap pozitiv, porse për vazhdimin e integrimeve evropiane tema e Kosovës do të jetë shumë e rëndësishme, apo më e rëndësishmja: "Ende është herët të thuhet se përparimi në negociata është parakusht për kandidaturën. Unë supozoj se është shfrytëzuar edhe mundësia që të përcaktohet se çfarë do të thotë përparim në negociata. Dhe kjo aktualisht është maksimumi i asaj se çfarë mund të arrihet."

Ljiljana Smajloviq pret që nga Serbia do të kërkohet që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë nëpër Serbi edhe pse ajo nuk njeh dokumentet e Kosovës dhe të normalizohen raportet mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete fqinje, të pavarura. Vetë pranimi i Kosovës si shtet i pavarur nuk do të kërkohet, vlerëson Smajloviq, por edhe kjo dikur do të jetë në rend të ditës. Kjo nuk do të ndodhë shumë shpejt, pasi që edhe Serbia është ende larg pranimit në Bashkimin Evropian, përfundon Ljiljana Smajloviq.

Autor: Ivica Petroviq/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica