1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tasovac: Të kuptuarit vjen duke treguar interes

Auron Dodi6 Nëntor 2014

Ministri i Kulturës së Serbisë, Ivan Tasovac nënshkroi të martën (04.10.2014) në Berlin anëtarësimin në programin Traduki. Programit shqip të DW ai i sqaroi pozicionin serb ndaj shqiptarëve.

https://p.dw.com/p/1Di4r
serbische Kulturminister Ivan Tasovac
Fotografi: DW

DW: Çfarë do të thotë për Serbinë anëtarësia në programin Traduki?

Ivan Tasovac: Në fakt do të thotë shumë më tepër se sa fakti që shkrimtarët tanë do të përkthehen në gjuhë të tjera dhe do të bëhen anëtarë të familjes Traduki. Anëtarësinë tonë te Traduki unë e shoh thjesht si një hap të mëtejshëm për anëtarësinë tonë të plotë në familjen e shteteve evropiane.

Të kuptuarit vjen duke treguar interes, u tha në diskutim. Sa u intereson intelektualëve serbë kultura shqiptare?

Ivan Tasovac: Më duket se kjo pyetje, sa të interesuar janë intelektualët serbë për kulturën shqiptare dhe anasjelltas është pyetje e preferuar në takimin në Berlin. Dhe besoj që duke insistuar në një pyetje të tillë ne kemi humbur nga vështrimi rëndësinë e Tradukit si platformë multikulturore. Unë besoj se duke punuar në mënyrë multilaterale në projekte si ky ne do të jemi në gjendje të zgjojmë interesin për kulturën, për të gjithë rajonin në përgjithësi.

Ministri serb i Kultures Ivan Tasovac në Berlin
Ministri serb i Kultures Ivan Tasovac në BerlinFotografi: DW

Si përfaqësues i kulturës së vendit tuaj, Serbisë, që jeni: a u habitët nga shpërthimi i dhunës në ndeshjen e futbollit në Beograd midis Shqipërisë dhe Serbisë? Si qytetar i lindur në Shqipëri unë vetë u befasova. A u befasuat edhe ju nga kjo ndeshje në vendin tuaj, që u shoqërua me energji kaq agresive nacionaliste?

Ivan Tasovac: Unë jam absolutisht dakord. Nuk besoj se ka armiqësi midis dy palëve. Por ndodhi në ndeshjen e futbollit me dronën që fluturoi. Ishte një provokim dhe një moment thellësisht antikulturor.

Po tifozët serbë në stadium thërrisnin: "vritini shqiptarët"...

Ivan Tasovac: Unë vetë nuk kam qenë në stadium. Po natyrisht, kur media të fillojë të raportojë në mënyrë të përshtatshme për atë që ndodh në ngjarje të ndryshme, ne do të kemi shumë më pak keqkuptime.

Po ju si qytetar i Serbisë si e keni marrëdhënien me botën shqiptare, me kulturën shqiptare, a keni rezerva?

Ivan Tasovac: Natyrisht që unë nuk kam rezerva dhe antipati. As të tjerët. Dëshiroj të kujtoj faktin se ne sot kemi ardhur këtu sepse u bëmë pjesë e Tradukit. Dhe unë shpresoj shumë se pjesëmarrja jonë në këtë projekt do të na ndihmojë të gjithëve ne të ndërtojmë ura mbi diferencat e dallimet, mbi keqkuptimet tona.

Intervistën e zhvilloi Auron Dodi