Tek ndërkombëtarët po rritet pakënaqësia nga mënyra se si po realizohen reformat në Maqedoni?
25 Gusht 2011Mos zgjidhja e çështjes së emrit, ka lënë peng për disa kohë edhe realizimin e reformave, të cilat janë kushti kryesor për fillimin e negociatave për antarësimin e Maqedonisë në BE. Çdo ngecje në reforma apo mosrealizimin e tyre deri në fund, qeveria e arsyeton me angazhimin për zgjidhjen e çështjes së emrit. Ndërkombëtarët nuk hezitojnë të tërheqin vërejtjen për ngecjen në reforma, në veçanti në gjyqësi dhe administratën publike. Ripërsëritja e vazhdueshme e kritikave për sundimin e shtetit ligjor, lirinë e mediave dhe marrëdhëniet ndëretnike, janë sinjal se tek ndërkombëtarët po rritet pakënaqësia nga mënyra se si po realizohen reformat në Maqedoni.
Çështja e emrit po keqpërdoret si alibi për dështimet në reforma
Për analistin Nano Ruzhin, zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë, mbetet obligim parësor i qeverisë në rrugën evrointegruese. Por gjithnjë sipas Ruzhin, çështja e emrit kohëve të fundit po keqpërdoret si alibi për dështimet në reformat e brendëshme.
“Gruevski gjithnjë pretendon të kapë pozicione më të favorshme në politikëbërje. Ai ka keqpërdorur disa herë moszgjidhjen e çështjes së emrit për dështimet në politikat e brendëshme. Emri praktikisht është kthyer në një arsyetim të mirë për mos realizimin e proceseve reformuese”, vlerëson Nano Ruzhin.
Profesori universitar Mersel Bilalli, vlerëson se qeveria gjithë kohën manipulon me çështjen e emrit, si në bisedat me ndërkombëtarët, ashtu edhe me opinionin në vend. Por në fakt në Maqedoni ka probleme serioze me proceset reformuese:
“Në një shtet i cili ka elemente serioze të diktaturës , nuk mund të bisedohet për reforma. Çfarë reformash mund të bëjmë në një shtet ku liderët e opozitës burgosen, kur mediumet mbyllen, kur administrata shtetërore është partizuar dhe numerikisht është shtuar deri në absurd, kur ekonomia dhe ligjet e tregut janë seleksionuese , kur gjykata është seleksionuese e gjykimeve “, thotë Mersel Bilalli.
Vendet fqinje të Maqedonisë po e lënë mbrapa Maqedoninë në proceset reformuese
Krahas përkushtimeve deklarative të qeverisë që të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, Maqedonia ka edhe shumë punë për të bërë në aspektin e reformave të brendëshme, thotë profesori universitar Nikolla Dujovski. Vendet fqinje të Maqedonisë dukshëm po e lënë mbrapa Maqedoninë në proceset reformuese.
“Përparimi i të tjerëve duhet të thotë se edhe ne jemi afër tyre. Për fat të keq kjo nuk po ndodh me Maqedoninë. Çështja e emrit po merret si arsyetim për mossuksesin e evrointegrimeve. Por Maqedonia po ngec edhe në implementimin e reformave të brendëshme dhe kjo është e keqja”, thotë Dujovski.
Stefano Sanino, drejtor për Zgjerim në BE, kohë më parë u ka dorëzuar autoriteteve në Shkup një listë plotësuese për realizimin e reformave që Maqedonia duhet t'i plotësojë deri në përpilimin e raportit për të arriturat gjatë vitit 2011.
Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Esat Ahmeti