1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temë debati avionët luftarakë pa pilot

Jeanette Olga Seiffert30 Qershor 2014

A ka nevojë Bundeswehri për avionë të armatosur pa pilot? Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen nuk është pozicionuar për këtë temë. Kjo tani mund të ndryshojë - megjithatë tema mbetet e diskutueshme.

https://p.dw.com/p/1CSLD
Avioni pa pilot Heron
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ato quhen Heron, Mikdao, Aladin, KZO ose Luna: rreth 600 avionë pa pilot të tipeve të ndryshme ka ushtria gjermane, Bundeswehri. Avionët pa pilotë të telekomanduar (Unmanned Aerial Vehicle, UAV) janë të gjithë të paarmatosur. Avionë pa pilotë të armatosur Bundeswehri nuk ka në inventar Akoma jo. Përpara se të blihen avionë të tillë nevojitet një debat i gjerë shoqëror, deklaroi në maj ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. "Ky debat shoqëror do të zhvillohet në parlament këtë verë."

Tani vendimi për këtë hap po afrohet: të hënën (30.06.2014) është planifikuar për këtë një seancë publike dëgjimi në Komisionin e Mbrojtjes. Ekspertët do të shprehen për çështje të së drejtës ndërkombëtare dhe kushtetuese, të politikës së sigurisë dhe çështje etike në lidhje me avionët e armatosur pa pilot. Mbi këtë bazë, ministrja e Mbrojtjes do të krijojë mendimin e saj dhe do ta prezantojë atë ditët e ardhshme në Bundestag, tha një zëdhënës i ministrisë. Por në bazë të një informacioni të gazetës Bild, ekziston tashmë një dokument i brendshëm i ministrisë së Mbrojtjes, në të cilin von der Leyen mbështet blerjen e avionëve të armatosur pa pilot. Vërtet që kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht. Por edhe revista der Spiegel shkruan se ka informacione, në bazë të të cilave ministrja e Mbrojtjes do të shprehet hapur në Bundestag për blerjen e avionëve të armatosur pa pilot.

Mbështetje vjen nga ushtria. "Neve na nevojiten avionë të armatosur pa pilot, sepse në skenare të caktuara ato janë të pazëvendësueshme për mbrojtjen e ushtareve dhe ushtarëve tanë", i thotë DW, Andre Wüstner, kryetari federal i Shoqatës Federale të Ushtrisë Gjermane (DBwV).

Ursula von der Leyen në Kosovë 15.05.2014
Ursula von der Leyen në Kosovë 15.05.2014Fotografi: picture-alliance/dpa

Temë shumë e diskutueshme

Politikisht me këtë temë nuk mund të mbledhësh pikë. Vitin e kaluar, problemet lidhur me avionin e paarmatosur të zbulimit "Euro Hawk" për pak i kushtuan postin paraardhësit të von der Leyenit, Thomas de Maiziere. Përdorimet e diskutueshme të avionëve të armatosur pa pilot nga shërbimi i fshehtë amerikan, CIA në Jemen, Somali ose në zonën kufitare afgano-pakistaneze, ku mendohet se e kanë humbur jetën rreth 3000 vetë, midis tyre edhe civilë, luan një rol. Koncepti politik "avion luftarak pa pilot" është i ngarkuar politikisht. Shumë qytetarë gjermanë i konsiderojnë avionët e armatosur pa pilot si vrasës në heshtje. Kundërshtarët e avionëve pa pilot druhen se përdorimi i avionëve të armatosur pa pilot do ta ulë ngurrimin për angazhimin e tyre. Humbja e materialeve në shtetet demokratike nuk duhet të legjitimohet njësoj si humbja e jetës së ushtarëve. Kësaj i shtohet edhe droja se avionëve automatikë pa pilot do të vendosin një ditë në mënyrë të pavarur për jetë apo për vdekje. Që tani, avionët pa pilot mund të ngrihen dhe ulen në bazë të programimit, në një distancë të caktuar, pa ndërhyrjen e njeriut. Aktualisht, në të gjithë botën askush nuk po projekton apo ndërton një avion të armatosur me pilot. Ndryshimi i mendësisë ka nisur.