1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Terrorizmi nuklear rrezik global

23 Mars 2012

Të hënën 50 kryetarë shtetesh diskutojnë në Seul për sigurinë nukleare. Synimi është të mbrohet njerëzimi nga terrorizmi me substanca bërthamore. Pheniani e sheh zhvillimin e samitit në afërsi të tij si gjest kërcënues.

https://p.dw.com/p/14Plo
Fotografi: AP

Ritmin në përpjekjet ndërkombëtare në këtë fushë e jep presidenti amerikan Barack Obama. Ai e shpalli kontrollin e materialeve bërthamore, të shpërndara në mbarë botën, si një nga pikërëndesat e angazhimit të tij si president. "Dy dhjetëvjeçarë pas përfundimit të luftës së ftohtë rreziku i një lufte atomike ndërmjet dy shteteve është reduktuar, por rreziku i një sulmi atomik është rritur." Kështu u shpreh presidenti amerikan para kryetarëve të shteteve dhe qeverive, që kishte ftuar në samitin e parë të sigurisë bërthamore, në prill 2010 në Uashington. Tani zhvillohet takimi tjetër në Seul me 26.-27.03.2012.

Vetëdija për rrezikun është rritur

Rezervat e plutoniumit në mbarë botën për qëllime civile dhe ushtarake vlerësohen të jenë mbi 200 tonë. Një sasi, që teorikisht mjafton, për të ndërtuar dhjetëra e mijëra bomba atomike. Në industrinë bërthamore në mbarë botën konsumohen çdo vit rreth 4000 kg uranimin i pasuruar. Në disa shtete këto substanca nuk janë të kontrolluara dhe të siguruara sa duhet. Materiali është i shpërndarë në dhjetëra vende. Grupe terroriste si Al-Kaida duhet të jenë përpjekur disa herë të zotërojnë material bërthamor. Rreziku i terrorizmit bërthamor për një kohë të gjatë ka qenë një nga kërcënimet më të nënvlerësura për sigurinë globale. "Ky samit bërthamor mund të shërbejë, për të rritur ndërgjegjësimin për këtë problem", thotë Annette Schaper nga fondacioni për studimet për paqen dhe konfliktet në Hessen. "Përveç kësaj ne duhet të zhvillojmë standarte të përbashkëta ndërkombëtare për trajtimin e materialeve bërthamore."

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: dapd

Mungon inventari global

Në Uashington shtetet pjesëmarrëse u zotuan për forcimin e masave të kontrollit. Disa kanë filluar ndërkohë që ta transformojnë uranimin e pasuruar fort. Të tjerë kanë marrë masa, për të zvogëluar rrezikun e përhapjes. Gjithsej në 8 vitet e fundit në mbarë botën janë marrë më shumë se 2000 kilogramm uranium i pasuruar nga reaktorët dhe janë kthyer mbrapsht në Rusi dhe SHBA. Ukraina e kthen të gjithë inventarin e saj në Rusi. Por për vetë ekspertët është e vështirë, që të krijojnë një vizion të përgjithshëm. "Statistika globale për sasinë e reduktimit të uranimit me shkallë të lartë pasurimi janë të rralla", thotë Oliver Thränert, eksperti i mbrojtjes pranë Institutit gjerman për politikën ndërkombëtare dhe sigurinë.

Impiant për pasurimin e uraniumit në Natans të Iranit
Impiant për pasurimin e uraniumit në Natans të IranitFotografi: picture-alliance/dpa

Shtete problematike Irani dhe Korea e Veriut

Kjo vjen si pasojë e shteteve problematike si Korea e Veriut, apo Irani. Të dy vendet munguan në samitin e parë për sigurinë bërthamore në Uashington. Edhe në Seul ato nuk do të jenë në tryezën e konferencës. Korea e Veriut është tërhequr nga traktati për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe nga anëtarësimi në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike. Prej vitesh bashkësia ndërkombëtare e shteteve përpiqet më kot ta bindë vendin të kthehet nën regjimin ndërkombëtar të kontrollit. Pheniani e sheh zhvillimin e samitit në afërsi të tij si gjest kërcënues, që "shërben vetëm për të justifikuar luftën atomike kundër Koresë së Veriut", shkruante në fund të shkurtit gezeta shtetërore Roding Sinmun. Megjithatë qeveria koreanoveriore njoftoi një moratorium të përkohshëm për pasurimin e uraniumit dhe ftoi ndërkohë inspektorë të Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore (IAEA), për të rifilluar kontrollet në Korenë e Veriut.

Në foto, Hillary Clinton dhe Sergey Lavrov
Në foto, Hillary Clinton dhe Sergey LavrovFotografi: AP

Rasti i Iranit është ndryshe. IAEA ka vënë një linjë ndarëse ndërmjet uranimit me pasurim të ulët dhe të lartë, në nivelin e pasurimit 20 përqind. "Irani, sipas asaj që dimë, ndodhet pak nën këtë nivel", thotë Oliver Thränert. Vendi ka pasuruar uranium vetëm deri në vlerën prej 19,75 përqind. Një diferencë minimale, që i shkakton shqetësime sidomos shteteve perëndimore, kur është fjala për programin atomik iranian.

Kontrabanda me material bërthamor vazhdon të jetë problem

Rrjetin më të madh për zgjerimin e armëve atomike e zhvilloi i ashtuquajturi babai i bombës atomike pakistaneze, Abdul Q. Khan. Rrjeti furnizoi në vitet 90-të Iranin, Libinë dhe Korenë e Veriut dhe ndoshta edhe aktorë joshtetërorë me njohuri dhe material për pasurimin e uraniumit. "Në qarqet e ekspertëve deri sot nuk janë krejtësisht të sigurtë, nëse ky rrjet i gjerë i ka ndërprerë me të vërtetë të gjitha aktivitetet e tij", thotë Oliver Thränert për Deutsche Wellen. Kësaj i shtohet edhe që Pakistani prodhon material të zbërthyeshëm për programin e tij të armëve bërthamore dhe ka porositur në Kinë të tjerë reaktorë, që janë të përshtatshëm edhe për prodhimin e plutoniumit për prodhimin e armëve. "Pakistani bashkëpunon me IAEA në sigurinë bërthamore në impiantet e sigurisë nukleare për përdorimin civil", shpegon Thränert.

INë foto, Abdul Qadeer Khan
Në foto, Abdul Qadeer KhanFotografi: AP

Rusia dhe SHBA paraprijnë

Rusia e ka mbyllur në prill 2010 reaktorin e saj të fundit, që prodhonte pluton. Por edhe në rastin e Rusisë ka ende dyshime, nëse gjatë trazirave të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik është vjedhur lëndë bërthamore. Ndoshta edhe shkencëtarë bërthamorë nga kohët e BE-së ia kanë shitur njohuritë e tyre aktorëve të tjerë shtetërorë, apo jo shtetërorë. Me SHBA është arritur ndërkohë një marrëveshje për shkatërrimin e 34 tonë plutoniumi, të përdorshëm për armatim. Ajo duhet të fillojë në vitin 2018.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: AP

Marrëveshje të këtij lloji janë deri tani të pakta në botë. "Konferenca mund të miratojë vetëm plane veprimi, zbatimi është një akt sovran i secilit vend", shpjegon eksperti i armatimit Thränert. Qeverinë gjermane do ta përfaqësojë në Seul ministri i Jashtëm Guido Westerwelle. Gjermania angazhohet për një politikë gjithëpërfshirëse parandaluese, për luftimin e vendosur të kërcënimeve nga terrorizmi bërthamor dhe parandalimin e kontrabandës bërthamore..

Seuli ka gjasa të mos jetë konferenca e fundit për sigurinë bërthamore. Sepse megjithë konventat e shumta për mbrojtjen nga materiali bërthamor, deri tani nuk ka një marrëveshje ndërkombëtare të vlefshme, që të aplikohet në mënyrë globale.

Autor: Daniel Scheschkewitz / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti