1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi dhe Daçiq në Bruksel bien dakord për zbatimin e IBM-së

Bahri Cani18 Janar 2013

Menahimi i integruar i kufijve, fond zhvillimi për veriun dhe zgjedhje lokale për serbët në veri janë çështjet e shqyrtuara në raundin Thaçi Daçiq në Brukel. Takimi u vlerësua si kontruktiv.

https://p.dw.com/p/17Mhq
Hashim Thaci - Kosovo Premierminister, EU-Außenbeauftragte Catherine Ashton und Ivica Dacic, Premierminister, Serbien Foto: Marina Maksimovic (Korrespondentin) zugeliefert durch: Ivan Djerkovic
Hashim Thaci Premierminister KosovoFotografi: DW

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq zhvilluan takimin e radhës me ndërmjetësimin e përfaqësues së BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton. Në agjendë ishin tema të rëndësishme dhe u shënuan disa hapa përpara: "Pas takimit të sontëm jam më optimist se herët e tjera, se gjërat po lëvizin në drejtim të normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë – Serbi dhe se ky proces do të përmbyllet me njohjet reciproke mes këtyre dy shteteve“. Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi pas takimit të zhvilluar të enjten (17.01.2013) në Bruksel me homologun e tij serb Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë, Chaterine Ashton.

Fond zhvillimi për veriun

Këtë takim Thaçi e quajti si korrekt dhe konstruktiv duke shtuar se palët kanë rënë dakord që të zbatohet në tërësi marrëveshja për kontrollin e integruar të kufirit (IBM). „Prej nesër do të kemi një zbatim të plotë të IBM-së“, theksoi ai. Kryeministri Thaçi dhe homologu i tij serb Ivica Daçiq konfirmuan se palët kanë rënë dakord që në pjesën veriore të krijohet një fond zhvillimi, ku do të derdhen paratë e mbledhura nga doganat. Ky fond ka për synim zhvililmin më të shpejtë ekonomik të kësaj pjese, që do të thotë se doganat do të paguhen por paratë mbeten në këtë pjesë të vendit. Thaçi bëri të ditur se në këtë fond do të marrin pjesë përfaqësuesit e Kosovës, institucioneve lokale të serbëve si dhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Në takimin që zgjati deri pas mesnate, palët kanë diskutuar edhe mundësinë e shpërbërjes së strukturave paralele serbe dhe largimin e shërbimeve të sigurisë së Serbisë nga Kosova. Por deklaratat e kryeminsitrave pas takimit nuk ishin plotësisht në përputhje me njëra-tjetrën. Thaçi tha se Serbia ka marrë obligimin dhe përgjegjësitë për tërheqjen e strukturave të sigurisë. Ndërsa instituiconet e Kosovës e kanë marrë përgjegjësinë për integrimin e komunitetit serb në jetën institucionale shtetërore të Kosovës, në nivelet qendrore dhe lokale. Nga ana tjetër Daçiq u shpreh se në këtë takim „është hapur çëshjta e paralelizmit të strukturave në veri dhe se palët kanë paraqitur vizionet e tyre për zgjidhjen e këtyre problemeve“.

epa03503814 A Serb police officer (L) seen at the crossing point between Kosovo and Serbia in Merdare, Kosovo, 10 December 2012. Two jointly managed crossing points between Serbia and Kosovo began operating 10 December, in line with an agreement the two sides reached in talks brokered by the European Union. According to the agreement, customs and police officers from Serbia and its mostly Albanian breakaway province Kosovo will control the crossings under the supervision of EU officials. EPA/KUSHTRIM TERNAVA
Pikëdoganore mes Kosovës dhe SerbisëFotografi: picture-alliance/dpa

Zgjedhje lokale për serbët në veri

Për serbët e veriut do të mbahen edhe zgjedhje lokale, siç tha kryeministri Thaçi, sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ata do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre lokal, e më pas serbët do të marrin pjesë edhe në zgjedhjet qendrore të Kosovës.Sa i përket platformës së parlamentit të Serbisë, e cila parashikon mosnjohjen asnjëherë të shtetit të Kosovës dhe krijimin e një autonomie të veçantë për serbët në veri, Thaçi pohon se „ajo platformë ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë e pavlerë dhe kurrë nuk do të hidhet në ndonjëë tavolinë, ku janë bartësit dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës“. Sipas tij, ky dokument „është i pavlerë për Kosovën një herë e përgjithmonë“.

Kryeministrat kanë rënë dakord që takimi i radhës të mbahet nga mesi i shkurtit. Pritet që në këtë takim të finalizohen bisedimet rreth zgjidhjes së çëshjtes së strukturave paralele të Serbisë në veri të Kosovës. Gjatë ditës së enjtes (17.01.2013) ka pasur edhe një përpjekje të rreth 50 aktivistëve të Vetëvendosjes, të mbledhur në Bruksel nga vende të ndyshme perëndimore për ta penguar delegacionin kosovar në këto negociata. Por protesta përfundoi pa ndonjë incident serioz.