1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi e Daçiq sërish të mërkurën në Bruksel

16 Prill 2013

Të dy kryeministrat, Thaçi e Daciq, janë ftuar edhe njëherë në Bruksel nga shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, me shpresën që të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

https://p.dw.com/p/18Gue
Hashim Thaci, Cathrin Asthon dhe Ivica Dacic
Hashim Thaci, Cathrin Asthon dhe Ivica DacicFotografi: Christos Dogas/ European Commission

Në Bruksel takohen të mërkurën sërish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç. Të dy kryeministrat shkojnë në Bruksel më ftesë të shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, para nisjes për në Bruksel tha nga aeroporti i Prishtinës se “udhëton për në Bruksel me qëllimin më të mirë që të arrihet marrëveshja për nomralizimin e marrdhënieve Kosovë-Serbi”.

“Dua ta potencoj që me arritjen e marrëveshjes nuk do të fitojë vetëm Kosova, por edhe Serbia dhe i tërë rajoni. Do të jetë një lajm i mirë edhe për BE-në. Nëse ka marrëveshje do të krijohen kushtet edhe për zgjedhje të lira në veri të Kosovës, do të formohet asociacioni i komunave më shumicë serbe, por, pa ndonjë mandat legjislativ, ekzekutiv apo ndonjë pushtet të tretë”, tha kryeministri Thaçi.

Tetë takimet e deritashme të zhvilluara me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç në Bruksel, kryeministri Thaçi i vlerësoi konstruktive. Në takimin e fundit me dy prill, Thaçi tha se kanë qenë shumë afër marrëveshjes, prandaj në takimin e së merkurës në datën 17 prill, Thaçi beson se “Serbia do të marrë përgjegjësi dhe do të largohet nga ngurtësia që ka pasur kohët e fundit”.

Thaçi shkon në Bruksel me të njëjtat pozicionime

“Pozicioni i Kosovës është i qartë në përputhshmëri me ligjet e Kosovës dhe standaret evropiane. Ne kemi prezantuar opinionet tona për domosdoshmërinë e shpërbërjes së strukturave paralele serbe në veri. Edhe domosdoshmërinë për krijimin e kushteve për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave në veri dhe do të punojmë maksimalisht që të kemi një sistem unik të drejtësisë në të gjithë territorin e Kosovës dhe një sistem policor sipas standardeve dhe ligjeve të Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Dialogu Beograd-Prishtinë vazhdon
Dialogu Beograd-Prishtinë vazhdonFotografi: DW/Marina Maksimovic

Është pikërisht sistemi i drejtësisë dhe policia në veri të Kosovës, për të cilat Beogradi ka kërkuar që mos jenë nën komandën e Prishtinës, por, kjo është hedhur poshtë në mënyrë ketegorike nga Prishtina zyrtare.

Kryeministri Thaçi tha se nëse të merkurën arrihet marrëveshje me Serbinë, “zbatimin e saj do ta garantojnë institucionet e Kosovës, misioni EULEX, dhe forcat paqeruajtëse KFOR”, ndërsa, do të ketë edhe një afat kohor për zbatimin e saj.

Dobia e dialogut për Kosovën

Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i marrëdhënieve ishin njëra ndër kushtet e Komisionit Evropian, në mënyrë që Kosovës t'i caktohet data e nisjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, thotë se dialogu me Serbinë edhe pse akoma pa rezultate konkrete, megjithatë e ka lehtësuar rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ndërsa, perspektiva e Serbisë nuk duhet lidhur më atë të Kosovës.

“Fakti që Kosova ka hyrë në dialog me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, e ka zbutur qëndrimin kundërshtues të pesë vendeve evropiane, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në këtë linjë, edhe nëse Serbia nuk pranon që të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, atëherë, ky është problem i Serbisë dhe Kosova nuk duhet të pengohet në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane”, thotë Shenoll Muharremi.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi