1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi: Prishtina nuk ka lëshuar pe

12 Mars 2013

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se Prishtina është pajtuar që komunat me shumicë serbe të kenë asociacionin e tyre, por vetëm brenda Kushtetutës së Kosovës. Baronesha Ashton të enjten viziton Prishtinën.

https://p.dw.com/p/17vcH
Fotografi: AP

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka quajtur të pavërteta deklaratat e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, i cili pas takimit të martën në mbrëmje me shefen e diplomacisë evropiane, baroneshën Catherine Ashton tha se Prishtina ka lëshuar pe dhe është pajtuar që të ndryshojë ligjet dhe Kushtetutën.

Beogradi ka kërkuar autonomi me autoritet legjislativ dhe ekzekutiv për asociacionin e komunave me shumicë serbe, por kjo kërkesë vazhdon të refuzohet nga Prishtina, e cila pajtohet që komunat serbe të kenë asociacionin e tyre, por jo të kenë kompetenca legjislative dhe ekzekutive.

Thaçi: gënjeshtër e kulluar e Nikoliçit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, raportoi të martën para deputetëve të kuvendit të Kosovës për takimet në Bruksel. 

“Dëshiroj të sqaroj para jush se deklarata e mbrëmshme e Nikoliçit përveç që tregon papjekuri të madhe politike nga ana e tij, po ashtu është krejtësisht e pavërtetë, një gënjeshtër e kulluar. Ju e dini që ata humbjet gjithmonë i shpallin si fitore”, tha kryeministri Hashim Thaçi, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ai tha se “asociacioni i komunave serbe për të cilin pajtohet Prishtina është plotësisht në pajtueshmëri me kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale”.

Propozimi i Prishtinës zyrtare për formimin e asociacionit të komunave serbe ashtu sic i parasheh edhe pakoja e Marti Ahtisarit, sipas kryeministrit të Kosovës, përkrahet nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-së. Të enjten në Prishtinë do të qëndrojë shefja e diplomacisë evropiane, Catherien Ashton, e cila është ndërmjetësuese e drejtpërdrejt e dialogut Prishtinë-Beograd.

Cili është mesazhi i Ashtonit të enjten për Prishtinën?
Cili është mesazhi i Ashtonit të enjten për Prishtinën?Fotografi: dapd

Mediat në Prishtinë, por edhe ato në Beograd, këtë vizitë e cilësojnë si presion mbi Prishtinën që të pranojë që asociacioni i komunave më shumicë serbe të ketë më shumë kompetenca sesa që thuhet në pakon e Marti Ahtisarit.

Këshilltari politik i kryeministrit Hashim Thaçi, Bekim Qollaku, i tha DW-së, se vizita në Prishtinë e Baroneshës Ashton nuk ka të bëjë me ndonjë presion mbi Prishtinën, por, sipas tij Ashton do t'i informojë të gjithë udhëheqësit politik në Kosovë, se “Bashkimi Evropian nuk do t'i imponojë Prishtinës asnjë lloj zgjidhjeje”.

Baronesha Ashton jo me zgjidhje në kundërshtim me ligjet e Kosovës

“Vizita e Baroneshës Ashton në Prishtinë është planifikuar në takimin tonë të fundit që kishim në Bruksel. Qëllimi i vetëm i Baroneshës është që t'i takojë liderët politikë, institucionalë dhe jo institucionalë dhe t'i informojë ata se zgjidhjet të cilat i diskuton Prishtina në Bruksel janë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe Bashkimi Evropian nuk ka ndërmend të imponojë zgjidhje që bien ndesh me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, thotë Bekim Qollaku.

Takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiç do të mbahet më 20 mars dhe një tjetër më 6 prill. Kryeministri Hashim Thaçi paralajmëroi se në fund do të nënshkruhet një marrëveshje ndërmjet dy kryeministrave dhe baroneshës Ashton si garantuese. “Nëse arrihet marrëveshje për asociacionin e komunave, atëherë do të jetë më i lehtë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh kryeministri Hashim Thaçi.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi