1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procedohet projektligji për formimin e ushtrisë së Kosovës

Bekim Shehu
7 Mars 2017

Në bazë të projektligjit, FSK, nuk do ta ndryshojë emrin, por misionin e saj në forcë mbrojtëse të armatosur. Aleksandër Vuqic, thotë se Serbia kurrë nuk do të pajtohet me krijimin e ushtrinë e Kosovës.

https://p.dw.com/p/2YlVv
Kosovo Einweihungszeremonie Präsident Hashim Thaci in Pristina
Fotografi: Reuters/H. Reka

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i dorëzoi kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në ushtri të Kosovës, mirëpo, pa ju  ndërruar emri. Presidenti tha se "iniciativa për transformimin e FSK-së në ushtri është bërë për shkak se ky proces nuk mund të jetë peng i deputetëve të Listës Serbe, të cilën dirigjohen nga Beogradi”. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, për ndërrimin e emrit të FSK-së, nevojiteshin ndryshimet kushtetuese  dhe për këtë duhej edhe miratimi i deputetëve serb në kuvendin e Kosovës gjë të cilën ata nuk e bënin. 

"Roli dhe misioni i ri i FSK-së do të jetë ai i paqes, i stabilitetit, i mbrojtjes dhe natyrisht kurdo që të kërkohet do të jetë pjesë e misioneve ndërkombëtare, do t'i ketë detyrat e përcaktuara me ligj për mbrojtjen e stabilitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, tha Presidenti Thaçi.

Kosovo Einweihungszeremonie Präsident Hashim Thaci in Pristina
Fotografi: Reuters/A. Nimani

Serbia  nuk pajtohet

Nga ana tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuqiç, u shpreh për mediet serbe se "Serbia  nuk do të pajtohet kurrë me formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”. "Shqiptarët në Kosovë duan të formojnë ushtrinë e tyre me Kushtetutën të cilën ne nuk e njohim. Serbia kurrë nuk do të pajtohet me formimin e Ushtrisë së Kosovës. Unë mund të flasë çdo ditë me shqiptarët e Kosovës por ne e dimë se çfarë nuk duhet lejuar”, citojnë mediet  në Serbi Aleksandër  Vuqiçin. Sipas tij, "rajoni është i trazuar, por ka limite të cilat Serbia nuk i kalon”.

Edhe deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës, janë deklaruar disa herë se ata nuk do ta mbështesin formimin e ushtrisë së Kosovës, sepse sipas  tyre kjo është e panevojshme për sa kohë që në Kosovë janë të stacionuara trupat e NATO-s, në kuadër të KFOR-it.

Spannungen zwischen Servien und Kosovo
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/D. Vojinovic

Thaçi: Ne jemi vend i pavarur

Por, Presidenti Hashim Thaçi, tha se "Kosova nuk mund të mbetet peng i disponimit të Beogradit se a duhet të themelojë Kosova ushtrinë e vet apo jo. Ne jemi vend i pavarur, sovran, kemi Kushtetutën dhe ligjet tona dhe vendimet i marrim vet”, deklaroi Thaçi.

"Shtetet fqinje të cilat kanë ushtritë e tyre duhet ta kuptojnë këtë transformim të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, si një hap krejtësisht normal të një shteti sovran dhe të pavarur. Misioni i NATO-s, respektivisht i KFOR-it në Kosovë do të vazhdoj të funksionoj si zakonisht dhe ky transformim nuk do të ketë implikim në misionin dhe detyrat e KFOR-it në Kosovë”, tha Presidenti Thaçi.

Kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili e pranoi projektligjin nga Presidenti, tha se ai qysh nesër do ta procedojë atë në kryesinë e kuvendin. "Që nesër do ta ftoj Kryesinë e Kuvendit që ta procedojmë këtë ligj. Do t'i respektojmë të gjitha procedurat kushtetuese lidhur me këtë çështje. Kosova ka nevojë për rrumbullakimin dhe formësimin e identitet të saj shtetëror. Shumica e kadetëve të FSK-së janë duke u ushtruar në vendet më prestigjioze të botës”, tha Kadri  Veseli.

Pristina Spannungen zwischen Servien und Kosovo
Fotografi: picture-alliance/AA/M. Halilovic

NATO mbështet zhvillimin e kapaciteteve aktuale të FSK-së

Sipas projektligjit, FSK-së pritet të shtohet në numër të ushtarëve, kapacitete dhe pajisje. "transformimi i FSK-së, nënkupton respektimin e karakterit multietnik dhe vazhdimin e partneritetit të ngushtë me NATO-n”, thuhet në projektligj. Presidenti i Kosovës në bazë të kushtetutës është komandant suprem i Forcave të Armatosura të Kosovës.

Zyrtarët e NATO-s kanë theksuar disa herë se NATO mbështet zhvillimin e kapaciteteve aktuale të FSK-së, ndërsa, transformimi i saj mbetet çështje ligjore që duhet ta zgjidhin institucionet e Kosovës. 

Forca e Sigurisë së Kosovës, në bazë të ligjit të deritashëm, ka pasur mision të zbatojë operacione në rast të krizave dhe fatkeqësive elementare në Kosovë dhe nëse është ftuar edhe jashtë saj.