1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi: Zgjedhjet test për Kosovën evropiane

Bekim Shehu1 Nëntor 2013

Në një intervistë ekskluzive për DW Thaçi u bën thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që mbahen ditën e diel.

https://p.dw.com/p/1AA9i
Fotografi: DW/B. Shehu

DW: Zoti Thaçi, jemi dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Nga bashkësia ndërkombëtare këto zgjedhje po cilësohen të një rëndësie të veçantë, madje nga disa edhe historike, çfarë ka historike nga këto zgjedhje?

Thaçi: Këto zgjedhje janë një test evropian për shtetin e Kosovës, për qytetarët e Kosovës. Organizohen për herë të parë pas përmbylljes me sukses të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë dhe fillimit të procesit të stabilizim asocimit dhe pas arritjes së marrëveshjes për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në prill të këtij viti, kështu që me këto zgjedhje Kosova do ta kalojë sprovën evropiane, do ta kalojë një test jashtëzakonisht të rëndësishëm me organizimin e zgjedhjeve fer, të lira demokratike gjithëpërfshirëse, pra do të hapet një kapitull i ri dhe janë historike, sepse për herë të parë marrin pjesë edhe serbët e veriut, pra veriu do të integrohet edhe në kuptimin territorial dhe qytetar.

DW: Sot me datën 01.11, në Kosovë qëndrojnë zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksander Vuciq dhe një ministër serb Aleksander Vulin. Ky i fundit, sipas autoriteteve policore disa herë ka hyrë ilegalisht në Kosovë. Si e cilësoni ju gjithë këtë interesim të qeverisë së Serbisë që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje?

Thaçi: Ne jemi dakorduar në Bruksel që gjatë kësaj periudhe të ndodhin tri vizita të liderëve të Serbisë në Republikën e Kosovës, gjithmonë me kërkesën zyrtare drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës dhe pastaj institucionet të vlerësojnë se a janë të pranueshme këto kërkesa apo jo. Një vizitë ka ndodhur e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daciq i cili ka dhënë një mesazh për serbët që të dalin në zgjedhje. Ky është edhe qëllimi ynë se serbët të dalin sa më shumë në zgjedhje, ndërsa, në të njejtën kohë jemi dakorduar që të ndodhin edhe dy vizita eventuale, një edhe zëvendëskryeministrit të parë të qeverisë së Serbisë, Aleksander Vuciq dhe një e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, gjithmonë me karakter religjioz dhe humanitar, prandaj, çdo herë që respektohen procedurat, ne nuk jemi kundër lëvizjes së lirë. Por, në cdo rrethanë të pretendimit të shkeljes së ligjit të Kosovës, natyrisht qëndrimi jonë është shumë i qartë, shtetërorë dhe refuzues.

DW: Në zgjedhjet lokale tashmë është e përfshirë edhe OSBE-ja, saktësisht për pjesën veriore të Kosovës e banuar me shumicë serbe ku vazhdon të jetë rezistenca më e madhe e serbëve kundër zgjedhjeve lokale. Komunikimi i kësaj organizate me KQZ-ve, nuk ka qenë në nivelin e duhur. Besoni ju që kjo organizatë do të mund të garantojë një proces të drejtë zgjedhorë në veri?

Thaçi: Asnjë organizatë ndërkombëtare nuk mund ta garantojë suksesin e zgjedhjeve, suksesin e zgjedhjeve e garantojnë vet institucionet e Kosovës, partitë politike, qytetarët e Kosovës dhe unë edhe njëherë e them se qytetarët e Kosovës dhe partitë politike e kanë treguar shembullin më të mirë për fushatë të qetë dhe kjo është një shembull për rajonin. Sa i përket ndonjë lëshimi apo mosmarrëveshje teknike ndërmjet KQZ-së dhe OSBE-së, ato janë tejkaluar. Kosova është gati për zgjedhje të standardit evropian më 3 nëntor.

DW: Kryeministër në veri të Kosovës akoma funksionojnë disa struktura paralele serbe, ka një dakordim mes jush dhe kryeministrit të Serbisë që këto struktura të shuhen, por ka edhe një marrëveshje për krijimin e asociacionit të komunave serbe? Sa ekziston rreziku për një paralelizëm të dytë të serbëve në Kosovë?

Thaçi: Nuk do të ketë në asnjë rrethanë paralelizëm të dytë, do të ketë vetëm respektim të institucioneve të Kosovës. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, ne kemi për të zhvilluar dhe ndërtuar një jetë të përbashkët me të ardhme evropiane për vendin. Kosova do ta respektojë marrëveshjen e 19 prillit me përpikëri, ku përfshihet shpërbërja e të gjitha strukturave paralele edhe të policisë edhe të drejtësisë dhe integrimi i tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa, formimi i asociacionit është në përputhje me dokumentin e Brukselit me marrëveshjen e Brukselit, marrëveshje kjo që është ratifikuar edhe nga Parlamenti i Kosovës me mbi 90 vota dhe është përshëndetur prej shumicës së partive politike të Kosovës një marrëveshje kjo edhe legale edhe legjitime dhe e standardit evropian.

DW: Gjermania ishte ndër vendet e pakta të Bashkimit Evropian që vazhdon të vë kushte për Serbinë që të përmirësojë raportet me Kosovën, nëse do që të hyjë në Bashkimin Evropian. Cili është kushti që do t'ia vë Kosova Serbisë pas zgjedhjeve?

Thaçi: Gjermania ka luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në këtë proces. Bashkimi Evropian është unik në qëndrimin sa i përket respektimit të marrëveshjes së 19 prillit. Kjo marrëveshje ka hapur një perspektivë të sigurt evropiane edhe për Kosovën edhe për Serbinë dhe për krejt rajonin dhe ne do të punojmë gjatë procesit integrues evropian që Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.

DW: Kryeministër, qeveria që e drejtoni ju dhe Bashkimi Evropian, filluan negociatat për MSA. Nga prizmi politik, përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë, ishte kusht për fillimin e këtyre negociatave. Sa besoni ju në një fqinjësi të mirë me Serbinë?

Thaçi: Unë i besojë së ardhmes së fqinjësisë së mirë, i besojë së ardhmes evropiane ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, i besojë së ardhmes evropiane të rajonit, prandaj standardet e vetme që do të mbizotërojnë në rajon, janë standardet dhe kriteret evropiane. E dimë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, por nuk duhet të mbetemi viktimë e së kaluarës, por duhet të shikojmë nga e ardhmja. Edhe Kosova edhe Serbia dhe të gjitha vendet e rajonit të jenë nesër pjesë e NATO-os dhe Bashkimit Evropian.

DW: Kryeministër, një javë më parë në Kosovë ishte për vizitë kryeministri i Turqisë, Recep Taip Erdogan, pati një pritje madhështore për të, por pati edhe shumë kritik që thanë se ju po i hapni rrugë Turqisë që të shtrinë ndikimin e saj edhe në Kosovë. Në këtë mes, a ka vend për diskutim për orientimin strategjik të Kosovës?

Thaçi: Kosova është vend evropian, ka perspektivë evropiane, qytetarët e Kosovës janë qytetarët me pro evropian në rajon. Madje nëse behet ndonjë sondazh, kosovarët janë me pro evropian sesa disa vende të vet Bashkimit Evropian. Ne do të ndërtojmë raporte të mira dhe të shkëlqyeshme edhe me Turqinë dhe të gjitha vendet e tjera në botë. Turqia është një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka investime në Kosovë, kështu që edhe vizita e kryeministrit turk Erdogan në Kosovë, nuk duhet të keqinterpretohet, por të vlerësohet si bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, si një Kosovë evropiane.

DW: Kryeministër, çfarë u thoni ju qytetarëve të Kosovës dy ditë para zgjedhjeve. Ta rikujtojë që në zgjedhjet e kaluara sipas vëzhguesve ndërkombëtar kishte shumë parregullsi?

Thaçi: Lëshimet teknike që ndodhën në zgjedhjet e kaluara kam besim të plotë që do të tejkalohen në këto zgjedhje. Organizimi është shumë i mirë, KQZ është duke e kryer një punë të shkëlqyer, ne i kemi dhënë mbështetje të plotë KQZ-së dhe kam besim të plotë në organizimin e zgjedhjeve fer, të lira dhe demokratike e gjithëpërfshirëse dhe për herë të parë këto zgjedhje do të organizohen në të gjithë Kosovën dhe do të marrin pjesë të gjithë. Ky është një rast dhe një mundësi dhe unë besojë se do të kemi sukses.