1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi dhe Vuçiq takohen në Bruksel

Bekim Shehu
23 Mars 2018

Takimi Thaçi dhe Vuciq ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e lartë e BE-së Federika Mogherini. Përmirësimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është pikë e veçantë në strategjinë e zgjerimit të BE-së për Ballkanin.

https://p.dw.com/p/2uqIQ
Treffen von Präsident Hashim Thaci Kosovo und Präsident Aleksandar Vučić Serbien in Brüssel
Fotografi: European Commission

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takohen sot në Bruksel për të vazhduar dialogun e ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini. Shtensionimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është synimi i këtij dialogu.

Gjatë javës të dy presidentët qëndruan në SHBA, por nuk u dhanë detaje nëse këto vizita kanë qenë të koordinuara apo ishte rastësi. Mediet në Beograd dhe Prishtinë njoftuan për takime të dy presidentëve më zyrtarë të lartë amerikanë jashtë syrit të medieve dhe publikut, por kjo është hedhur poshtë si nga Presidenti Thaçi ashtu edhe nga Presidenti Vuciq. Përmirësimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është pikë e veçantë ne strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian për Ballkanin, ku thuhet se "Kosova dhe Serbia duhet të përmirësojnë raportet dhe të arrijnë një marrëveshje që do të jetë detyruese në mënyrë që të ecin drejt integrimeve evropiane”.    

Kombo-Bild Kosovo Hashim Thaci und Serbien Aleksandar Vucic
Fotografi: picture-alliance/AA/EU Council

Rritje e përgjegjësive dhe e angazhimeve

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, para takimit në Bruksel u tha medieve të Kosovës, se nga ky takim ai pret rritje të përgjegjësive dhe angazhimeve. "Po shoh një rritje të përgjegjësive dhe të angazhimeve nga përfaqësuesja e lartë e BE-së Federika Mogherini që normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të hyjë në një fazë të re, në një fazë finale të arrihet një marrëveshje historike që do të nënkuptonte përmbylljen e të gjith kapitujve”, citojnë mediet lokale Presidentin Hashim Thaçi.

Presidenti i Serbisë nga ana e tij ka thënë se Serbia është e gatshme për kompromis me shqiptarët e Kosovës, ndërsa, më herët ka thënë se  Gjermania insiston për një marrëveshje obligative me Kosovën. "Gjermania insiston në marrëveshje juridikisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga viti 2008, por për të gjitha këto vite disa në Serbi kanë gënjyer se nuk është kështu”, citon RTS, presidentin e Serbisë, Aleksandwr Vuciq.

Dialogu për çështje teknike

Krahas dialogut të nivelit të lartë politik Kosova dhe Serbia zhvillojnë edhe dialog për çështje teknike. Një takim i tillë u mbajt tri ditë më parë, ku u diskutua për zbatimin dhe dinamikën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura më parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk u tha të jetë arritur ndonjë progres.

Megjithatë, zyrtarë të Bashkimit Evropian që janë ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi,  kanë thënë se BE-ja pret nga të dyja palët, që në mënyrë konstruktive të angazhohen në bisedime dhe të kenë qasje të orientuar nga rezultati.