1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thirrje historike për paqe mes Turqisë dhe kurdëve

22 Mars 2013

Turqia dhe kurdët kanë hedhur një hap të rëndësishëm për t’i dhënë fund konfliktit prej tre dekadash, që mendohet se u ka marrë jetën 45 mijë vetëve. Armëpushimi i kërkuar nga Öçalani krijon situatë për negociata.

https://p.dw.com/p/182ad
Fotografi: Reuters

Abdullah Oçalan, lideri i burgosur i PKK ka kërkuar armëpushim dhe u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të tërhiqen nga tokat turke. "Ulni armët dhe lereni politikën të dominojë", tha Oçalani në deklaratën e tij, që u lexua nga një politikan kurd përpara mijëra njerëzve, të cilët ishin mbledhur në sheshin e qytetit me shumicë kurde Xhiarbakir për të festuar Vitin e Ri Kurd. Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan e mirëpriti këtë deklaratë dhe theksoi se tashmë pret si do të implementohet.
Deklarata e Oçalanit ka rritur shpresat në Turqi. Ekspertët kishin gjykuar më parë se përpjekjet e qeverisë turke për dialog të nisura në fund të vitit të shkuar kishin qenë me seriozet në këto 30 vjet konflikt. Por ata sërish e shohin të vështirë procesin e paqes. “Ky është fillimi i një peridhe të re, ku do të ketë negociata më serioze me qeverinë turke”, thotë për DW Dr. Nihat Ali Özcan, një ekspert i njohur sigurie i PKK. Dr.Özcan paralajmëron se nuk duhet të ketë shpresa të larta. “Nuk ështe e mundur të arrihet një marrëveshje për problemin kurd brenda natës. Ne jemi duke folur për një proces negociatash, që do të zgjasin për një kohë të gjatë.“

Global Vienna Forum 2013 Erdogan
Kryeministri i Turqisë Recep Tayyip ErdoganFotografi: picture-alliance/dpa

Negociata të gjata dhe të vështira

Qeveria turke vendosi kontakte sekrete me drejtues të PKK-së në Europë për t’i dhënë fund konfliktit, por i ashtuquajturi ‘Procesi i Oslos’ dështoi dhe të gjithë u bënë dëshmitarë të dhunës në vitin 2011 dhe 2012. Duke parë zhvillimet në rajon dhe luftën civile në Siri qeveria turke provoi sërish të niste dialogun në tetor të vitit 2012. Kësaj here qeveria e Erdoganit vendosi ta bënte më transparent procesin duke informuar opinionin publik.
Sipas Dr.Özcan-it, procesi i nisur tashmë është i pakthyeshëm, edhe pse kishte disa dyshime për ndikimin e Oçalan-it tek PKK, pasi ai ndodhet në burg që prej vitit 1999. “Procesi nuk është i kufizuar thjesht tek ulja e armëve. Përfshin çështje të rëndësishme politike dhe ndryshime kushtetuese. Pyetja është nëse Ankaraja do të jetë në gjendie të ndajë një pjesë të pushtetit të saj me kurdët e PKK. Është e qartë se negociatat do të kenë probleme”, thotë ai për DW.

Kurdischer Rebellenführer Abdullah Öcalan
Lideri kurd, Abdullah OçalanFotografi: Reuters

Partia në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) premton më shumë të drejta kulturore për qytetarët kurdë, por edhe më shumë autonomi për administratat lokale. Galip Ensarioglu, deputet kurd me influencë nga AKP, thekson se ulja e armëve shënon nisjen e një periudhe të re për Turqinë. “Oçalan nuk ngriti asnjë pretendim për shtet të pavaruar apo autonomi. Përkundrazi ai foli për të ardhme të përbashkët të bazuar në demokraci dhe të drejta të barabarta. Kjo është shumë e rëndësishme.”

Opozita turke është skeptike

Ndërkohë që qeveria turke është optimiste për të ardhmen, partitë e qendrës së majtë dhe partitë nacionaliste opozitare nuk kanë shumë besim tek procesi. Disa kritikë thonë se kjo është një lëvizje e Erdoganit për të marrë mbështetjen e kurdëve në planet e tij për të ndryshuar kushtetutën, që do të krijonte një sistem presidencial të ri, me më shumë pushtet në duart e tij.

Sezgin Tanrikulu, deputet kurd nga partia e qendrës së djathtë Republika e Popullit (CHP) thotë se Erdogani është përgjegjës për mungesën e një zgjidhjeje më të shpejtë të problemit kurd. “Erdogani është në pushtet që prej 10 vitesh. Ai ka përgjegjësi për dështimin e zgjidhjes së problemit. Në vitin 2002 kur AKP erdhi në pushtet, militantët e armatosur të PKK u larguan nga tokat turke, por fatkeqësisht në atë kohë ata treguan mungesën e një vizioni demokratik dhe e humbën shansin për të zgjidhur problemin kurd”, thotë ai për DW.

PKK Gefangenenaustausch Türkei
Luftëtarë kurdë në veri të IrakutFotografi: Karlos Zurutuza

Procesi i bisedimeve do të zgjasë

Lufta 29 vjeçare e PKK ka marrë jetën e më shumë se 45 mijë personave. PKK thuhet se ka 2000 luftëtarë në Turqi dhe disa mijra të tjerë me bazë në Irak. Sipas ekspertit të sigurisë Dr. Özcan, pavarësisht thirrjes historike të Oçalanit për armëpushim, sërish nuk do të jetë e lehtë. “Nuk besoj se anëtarët e PKK të cilët do të tërhiqen nga tokat turke, do të ulin menjëherë armët. PKK do të mundohet të mbajë pozicionet e saj gjatë negociatave me qeverinë turke”, thotë ai.

Türkei Soldaten Kurdengebiet
Ushtar turk në patrullimFotografi: picture-alliance/dpa


Sipas ekspertit për PKK, organizata do të mundohet të fokusojë strategjinë e saj ushtarake në Siri, çka do të shqetësonte shumë Ankaranë. Turqia e shikon krijimin e një zone të kontrolluar nga PKK në veri të Sirisë si një kërcënim për sigurinë kombëtare. “Negociatat e Turqisë me PKK dhe suksesi i tyre janë të lidhura ngushtë me zhvillimet globale dhe rajonale. Nuk mund të gjendet një zgjidhje të problemit kurd, pa u zgjidhur kriza në Siri”, përfundon ai.

Autor: Ayhan Simsek/ Amarildo Topi
Redaktoi: Auron Dodi