1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Timishoara kryeqyteti i suksesshëm kulturor i Evropës

Medana Weident
23 Tetor 2023

Teatër, koncerte, film dhe shfaqje: Timishoara në Rumaninë perëndimore ka një ofertë të pasur kulturore. Kjo e bën kryeqytetin e kulturës evropiane një magnet për vizitorët.

https://p.dw.com/p/4XYY9
Timishoara, kryeqytet i kulturës evropiane 2023, pamje nga pjesa historike e qytetit me restorante e kafene
Timishoara, kryeqytet i kulturës evropiane 2023Fotografi: Medana Weident/DW

Në qytetin e vjetër të Timishoarës në Rumani ka shumë aktivitete. Turistët mbushin rrugët dhe sheshet e qytetit. Ata fotografojnë shtëpitë, kishat dhe pallatet e restauruara. Klasat e shkollave grumbullohen rreth mësuesve të tyre, që u shpjegojnë shkurtimisht historinë e qytetit. Burra dhe gra nxitojnë në konferenca apo festivale ose ulen në kafenetë dhe restorantet buzë rrugës. Ofertat e pasura kulturore dhe temperaturat verore në vjeshtën e kryeqytetit të kulturës janë një magnet për njerëzit nga afër dhe larg. Nga gjuhët e ndryshme që flasin, dallohet që shumë prej tyre vijnë nga jashtë. Sidomos gjermanishtja dëgjohet kudo.

Pamje nga qyteti Timishoara, Rumani
Pjesa historike e qytetit, Timishoara në RumaniFotografi: Medana Weident/DW

Në maj 2023 nga Gjermania në Timishoara erdhi edhe një mysafir i nderuar: Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier. "Ishte në fakt vizita e parë e një kreu shteti gjermanishtfolës që nga perandori Franz Joseph, kështu që ne ishim shumë krenarë”, kujton kryebashkiaku Dominic Fritz në një intervistë për DW. "Timishoara është një nga qytetet më të rëndësishme të Rumanisë dhe prandaj meriton vëmendje. Reagimi i Presidentit gjerman dhe delegacionit të tij e bëri edhe një herë të qartë se kontributi i qyteteve si Timishoara në Evropën tonë të bashkuar është më i vlerësuar se dikur."

Timishoara është një nga tre kryeqytetet evropiane të kulturës për vitin 2023, së bashku me Veszprem në Hungari dhe Elefsinën në Greqi.

Koncerte dhe festivale teatri

Timishoara
TimishoaraFotografi: Medana Weident/DW

Organizatorët, qyteti dhe qytetarët e tij kanë arsye për të qenë të kënaqur. Me mbi 800 ngjarje kulturore në nëntë muajt e fundit, kryeqyteti i kulturës 2023 ishte dhe është një sukses i plotë. Momentet kulmore kanë qenë koncertet e mëdha, duke përfshirë serinë e koncerteve të Festivalit Enescu dhe performancën e këngëve gurre nga Arnold Schënberg. Dy orkestra dhe gjashtë kore, me gjithsej rreth 450 muzikantë nga Timishoara dhe qyteti partner gjerman Gera morën pjesë. Drejtori muzikor Gabriel Bebeselea foli për "vepra brezash", që disa njerëz mund "t`i shohin vetëm një herë në jetën e tyre".

Rumani: Pamje nga Timishoara me ndërtesat neoklasike
Rumani: Pamje nga Timishoara me ndërtesat neoklasike Fotografi: Medana Weident/DW

Një pikë tjetër kulmore ishte festivali i teatrit evropian Eurothalia, organizuar nga Teatri Shtetëror Gjerman Timishoara nën moton "Perspektiva”. Profesionistë të teatrit nga njëmbëdhjetë vende i bënin vetes për shembull pyetje: Si ta dallojmë të drejtën nga e gabuara, sa e lehtë është që të manipulohemi, për shembull në lidhje me luftën e Putinit në Ukrainë? Si të veprojmë me inteligjencën artificiale? Apo me planetin tonë, kur bëhet fjalë për ndryshimet klimatike, apo me mediat? Dhe si t'i zgjidhim problemet si varfëria dhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar?

Timishoara karakterizohet mbi të gjitha nga multikulturalizmi i saj. Për shembull katër institucione të rëndësishme kulturore në tri gjuhë janë të vendosura në një ndërtesë të vetme: Opera, Teatri Kombëtar Rumun dhe Teatri Shtetëror Gjerman dhe Hungarez.

Kryetari gjerman i bashkisë së Timishoarës, Dominic Fritz, i cili vjen nga Schwarzwald dhe është në detyrë që nga vjeshta 2020, kujton vizitën e tij të parë në qytet: "Kur isha 19 vjeç, saktësisht 20 vjet më parë, erdha në Timishoara për herë të parë, u magjepsa sesi ky qytet kishte arritur ta kthejë diversitetin e tij kulturor në një burim inovacioni”, thotë ai në intervistë për DW. "Kulturat dhe perspektivat e ndryshme sjellin gjithmonë ide të reja. Sepse aty ku ka homogjenitet, nuk mund të shfaqen ide të reja." Për shkak të këtij diversiteti Timishoara ka përfituar gjithmonë ekonomikisht. Si i ri ai ka qenë i magjepsur edhe nga historia e revolucionit rumun të vitit 1989, që nisi në Timishoara. Njerëzit dolën me guxim në rrugë për lirinë dhe dinjitetin e tyre dhe për të rrëzuar diktatorin Nicolae Çaushesku.

Teatri gjerman në Timishoara

Pamje e sallës së teatrit në Timishoara, Rumani
Salla e teatrit në Timishoara, RumaniFotografi: Medana Weident/DW

Drejtori i teatrit Lucian Varsandan dhe zëvendësi dhe drejtori i tij artistik në Teatrin Shtetëror Gjerman të Timishoarës (DSTT), Rudolf Herbert, theksuan për DW rolin e institucioneve kulturore gjermane megjithë rënien dramatike të pakicës gjermane gjatë diktaturës së Çausheskut dhe më vonë menjëherë pas ribashkimit. Është e rëndësishme të ruhen traditat shumëgjuhëshe të këtij rajoni. Edhe interesi për kulturën gjermane mbetet i madh. Me 26 aktorë të përhershëm në ansambël teatri prodhon gjashtë deri në shtatë shfaqje të reja në sezon. Pjesët nuk janë të destinuara vetëm për një audiencë gjermanishtfolëse, për këtë arsye janë të pajisura me mbitituj.

Interes të madh ka edhe për pjesë, të cilat trajtojnë historinë e rajonit, siç është kooproduksioni "Sidy Thal" me Teatrin Shtetëror Hebre Bukuresht. Bëhet fjalë për një atentat ndaj një trupe teatrore hebreje në teatrin e Timishoarës në vitin 1938. Pjesa është shkruar nga shkrimtari i qytetit për këtë vit, Thomas Perle. Autori me origjinë rumune u nderua së fundmi me çmimin Nestroy. Pas një leximi në skenë në sinagogën e qendrës së qytetit në Festivalin Eurothalia, premiera është planifikuar të shfaqet me 4 nëntor 2023.

Sukses të madh pati edhe dokudrama "Njerëz. Për Shitje” nga Carmen Lidia Vidu. Bazuar në rrëfimet e dëshmitarëve bashkëkohorë ajo trajton një tjetër kapitull të errët të historisë së fundit: shitjen e gjermanëve rumunë nga regjimi i Çausheskut në Republikën Federale të Gjermanisë.

Rumani: Pamje nga Timishoara me ndërtesat neoklasike
Rumani: Pamje nga Timishoara me ndërtesat neoklasike Fotografi: Medana Weident/DW

Talentet e reja

Talentet e reja në dy shkollat gjermane të vendit, (në Sibiu/Hermanstadt) ekziston një degë gjermane e Teatrit Kombëtar Radu Stanca) sigurohen nga gjimnazi gjermanishtfolës Nikolaus-Lenau dhe shkolla gjermane e aktrimit në Universitetin e Timishoarës me studentë nga Rumania dhe Gjermania, e vetmja shkollë e artit dramatik në gjermanisht jashtë vendeve gjermanishtfolëse. Ajo organizon festivalin "Network”, i cili që nga 10 nëntori 2023 do të ftojë në Timishoara shumë shkolla të teatrit nga Evropa.

Timishoara në Rumani, pamje nga rrugët e qytetit plot gjallëri e turistë
Timishoara në Rumani si magnet për turistëtFotografi: Medana Weident/DW

Një magnet për publikun është ekspozita e hapur së fundmi me veprat e njërit prej skulptorëve më me ndikim të shekullit të 20-të, Constantin Brancusi. Shumica e ekspozitave vijnë nga atelieja e dikurshme e artistit në Qendrën Pompidou në Paris.

Do të duhej që Kryeqyteti Evropian i Kulturës të ndihmojë qytetin dhe rajonin për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm përtej vitit festiv. Kryebashkiaku Dominic Fritz është i bindur: "Shpresoj që kjo vëmendje, këto prozhektorë që bien mbi Timishoara nga mediat dhe turistët, do të na sjellë dobi edhe në planin afatgjatë dhe se kultura do të vazhdojë të jetë një bazë ekonomike për këtë qytet."