1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Greva e urisë zhvendoset pak metra larg selisë së qeverisë

Arben Muka / Tiranë18 Qershor 2008

7 grevistët e urisë u afruan pranë selisë së Qeverisë duke tentuar të tërheqin më shumë vëmendjen e kryeministrit për kërkesat e tyre ekonomike

https://p.dw.com/p/EMMT
Gerdec, 17 mars 20087
Gërdec, 17 mars 20087Fotografi: AP

Pas 12 ditë greve urie në afërsi të Gërdecit, grupi i ish punonjësve të fabrikës së demontimit u zhvendos të mërkurën në orët e para të pasdites në një shesh të hapur, pak metra larg selisë së kryeministrisë. Në gjendje të rënduar grevistët u transportuan për në vendin e ri nga aktivistët e Lëvizjes Mjaft, të cilët i kanë mbështetur ata qysh në ditën e parë të protestës së tyre. Sipas tyre kjo ishte një përpjekje për të sensibilizuar qeverinë, në mënyrë që ajo të hynte në bisedime për zgjidhjen e kërkeave të tyre ekonomike. Ata e kanë ndjerë veten të braktisur nga autoritetet për të lehtësuar pasojat e tragjedisë së Gërdecit afër 3 muaj më parë. Ata kanë shpallur një sërë kërkesash ku në thelb kërkohet dëmshpërblim total dhe mbështetje sociale për ata që ishin viktima apo u prekën nga shpërthimet e depove të monicioneve në 15 mars të këtij viti, ku mbetën të vrarë 26 vetë, rreth 300 të tjerë u lënduan, ndërkohë që u shkaktuan dëme të pallogaritshme materiale për banorët dhe bizneset.

Nga përfaqësuesit e qeverisë si dhe të pushtetit lokal të qytetit të Vorës, ku përfshihet zona e dëmtuar, është deklaruar se janë dhënë dhe po jepen fonde kompesimi për viktimat dhe të dëmtuarit e kësaj tragjedie. Për ata që kanë mbetur pa shtëpi shteti ka marrë përsipër pagimin e qerasë për një periudhë që mendohet se është e mjaftë deri në risistemin e të pastrehëve në banesat tyre .

Deputeti i zonës, Astrit Patozi, i cili drejton grupin parlamentar të PD në pushtet iu ka bërë thirrje grevistëve që të mos ndjekin linja politike, pasi ata kanë marrë dhe do të vazhdojnë të marrin fonde nga buxheti i shtetit si dhe donacione të ndryshme.

Por nga Lëvizja Mjaft dhe përfaqësuesit e opozitës shprehet skepticizëm dhe pakënaqësi se trajtimi për dëmet është krejt minimal dhe i pamjaftueshëm nga ana e qeverisë për të kthyer në normalitet jetën në Gërdec dhe fshatrat përreth.