1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140310 Wen Volkskongress

15 Mars 2010

Kryeministri kinez Wen Jiabao shqiptoi në mbyllje të Kongresit Popullor tone pajtuese në adresë të vendeve të tjera. Por në temën e politikës monetare ai tregoi me këmbëngulje se juani nuk do të zhvleftësohet.

https://p.dw.com/p/MTJQ
Kryeministri kinez Wen Jiabao u drejtohet delegatëve në Kongresin Popullor në Kinë
Kryeministri kinez Wen Jiabao u drejtohet delegatëve në Kongresin Popullor në KinëFotografi: AP

Zemërim për bllokadën për klimën

Konferenca e klimës në Kopenhagë u kthye në helm për imazhin e Kinës në Perëndim. Prodhuesi më i madh i gazrave që shkaktojnë efektin serë u perceptua se bën pak për klimën. Dhe në takimet me të gjithë kryeministrat më të rëndësishëm perëndimorë nuk u shfaq kryetari i qeverisë Wen Jiabao, por vetëm zëvendëskryeministri. „Ne nuk ishim ftuar zyrtarisht dhe as sot nuk e kuptojmë," theksoi Wen në mbyllje të Kongresit Popullor.

'Kinës i duhen edhe 100 vjet deri sa të kthehet në vend modern'

Pas kësaj vjen çështja e rolit të Kinës në botë:

„Ata e formulojnë këtë shumë butë. Shpesh unë lexoj se ne jemi arrogantë dhe kërkojmë të triumfojmë ndaj të tjerëve. Në fakt nuk është kështu. Kinës i duhen edhe 100 vjet deri sa të kthehet në vend modern. Kina është paqedashëse dhe nuk kërcënon asnjë vend tjetër. Ne nuk do të luftojmë kurrë për hegjemoni. Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë ndërkombëtare, si politike ashtu edhe ekonomike.“

Kongresi Popullor i dha bekimin rritjes me vetëm 7,5 përqind të shpenzimeve ushtarake, rritja më e ulët kjo që prej dy dekadash.

Globalisht Kina nuk ka forcë ushtarake

Për këtë David Zweig, drejtor i Qendrës Kërkimore për marrëdhëniet ndërkombëtare të Kinës, në Universitetin e Hongkongut thotë se :

„Nga fajkojtë e shkollës kineze të mbrojtjes dëgjohen fjali si: Ka ardhur koha që të zgjerohemi, për dhjetë vjet do t'ia kemi kaluar ushtarakisht Amerikës. Kjo është qesharake. Amerikanët shpenzojnë çdo vit pesë herë më shumë në fushën ushtarake. Globalisht Kina nuk ka forcë ushtarake. Tani për tani ata mund të dërgojnë vetëm anije për të luftuar piraterinë në Afrikë. Forca ushtarake kineze mbivlerësohet, dhe fajkojtë mbivlerësojnë po ashtu veten.“

Por forca ekonomike nuk mbivlerësohet, megjithëse kryeministri Wen kujtoi në konferencën e shtypit ndarjen krejtësisht të padrejtë të mirëqënies si dhe korrupsionin, që trondisin gjithë vendin.

Jo përgjigje direkte për konfliktin me Google

Për vendet e tjera çështjet kryesore janë diku tjetër, si për shembull lajmet e fundit, sipas të cilave gjigandi i internetit Google ndodhet para largimit nga Kina për shkak të censurës dhe sulmeve të piratëve të kompjuterave. Pyetjes për vazhdimin e bashkëpunimit me Google, Wen nuk ju përgjegj direkt.

„Firmat ndërkombëtare trajtohen mirë tek ne. Unë duhet të pranoj se deri tani nuk jam kujdesur për të mbajtur kontakte me biznesmenët ndërkombëtarë. Por në të ardhmen do të takoj më shumë prej tyre.“

Këto janë tone të reja që dalin nga goja e kryeministrit. Kurse për çështjen e vlerës së monedhës, tonet janë ato që kanë qenë prej muajsh, se „Juani nuk mbahet nën vlerën reale. Një shembull, importet e prodhimeve gjermane kanë arritur në vitin 2009 deri në 76 miliardë euro, ky është një rekord historik.“

Autor: Astrid Freyeisen/Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi