1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Toomey: Snowden nuk mund të jetë tradhëtar

Antje Passenheim / Eliana Xhani18 Dhjetor 2013

Një gjykatës konservator amerikan vendos kundër NSA-së: shërbimi i fuqishëm sekret me mbledhjen masive të të dhënave bie ndesh me kushtetutën amerikane. Një sinjal shumë i rëndësishëm, mendon avokati Patrick Toomey.

https://p.dw.com/p/1Ac33
Fotografi: Patrick Toomey

DW: Çfarë kritikoi saktësisht gjykatësi konservator Richard Leon në vendimin e tij?

Patrick Toomey: "Pas dëgjimit të të dyja palëve gjykatësi arriti në përfundimin se mbledhja e të dhënave nga telefonat e amerikanëve prej rreth shtatë vjetësh, bie ndesh me të drejtën individuale për sferë private. Kjo është pika më e rëndësishme. Vendimi i tij i vlerëson të dhënat meta nga bisedat tona telefonike - pra kur ne telefonojmë, kujt i telefonojmë dhe sa kohë zgjasin bisedat - si informacione shumë private. Dhe këto janë informacione të cilat njerëzit si rregull nuk kanë dëshirë t'i ndajnë me qeverinë. Kur NSA i mbledh këto të dhëna për një kohë shumë të gjatë, mund të krijojë një imazh të detajuar për qytetarët. Kjo bie ndesh me sferën private e cila duhet të jetë e garantuar për këdo dhe është një shkelje e amendamentit numër katër të kushtetutës amerikane. Mbi këtë bazë gjykatësi arriti në përfundimin se programi (i NSA, shën.red.) është antikushtetues. Ai e konsideron të mundshme që paditësit të kenë të drejtë në këtë rast."

Çfarë implikimesh juridike mund të ketë ky vendim për punën e shërbimeve sekrete, edhe lidhur me padi të tjera të mundshme kundër praktikave të NSA-së?

Patrick Toomey:"Pasojat direkte juridike do të shihen më vonë pasi vendimi duhet të miratohet edhe nga gjykata e apelit, përpara se të mund të ndalohet ndonjë pjesë e programit. Por kemi të bëjmë megjithatë me një kontribut direkt, fundamental për diskutimin publik dhe për debatin për legjislacionin. Pikërisht po të kemi parasysh një padi të ngjashme që ACLU (shën.red.: organizata amerikane për të drejtat e njeriut "American Civil Liberties Union") ka paraqitur këto ditë në Nju Jork. Mesazhi i vendimit për publikun është: këto programe mund të paditen në mënyrë transparente në një gjykatë publike. Edhe gjykatësit e emëruar nga një president konservator (shën. red. gjykatësi Richard Leon u emërua nga Presidenti republikan George W. Bush në gjykatën e qarkut në Uashington), arrijnë në përfundimin se programet nuk janë konform kushtetutës dhe se cënojnë të drejtën individuale për sferë private. Kjo është për mua shumë kuptimplotë. Ai do të bindë opinionin publik për problemet ligjore me këto programe dhe kjo do ta vërë nën trysni Kongresin për t'i reformuar ato."

Çfarë ndikimi mund të ketë vendimi i gjykatës për dënimin e Edward Snowden dhe informatorëve të tjerë?

Patrick Toomey:"Me siguri do të ketë ndikim pozitiv nga këndvështrimi publik dhe ndërgjegjësimit se sa të rëndësishme janë zbulime të tilla. Snowden bëri publike përmbajtje që një gjykatës federal i konsideron jo konform kushtetutës. Për informatorët është vendimitare e drejta e garantuar me kushtetutë, pasi ata janë një kanal i rëndësishëm përmes të cilit opinioni publik mëson për mashtrim, keqpërdorim, abuzim apo akte të tjera të punonjësve apo agjencive shtetërore, që bien ndesh me kushtetutën. Për mendimin tim vendimi konfirmon se Edward Snowden nuk është tradhëtari që shohin tek ai shumë njerëz. Ai është një informator i cili ka dhënë kontribut vendimtar në debatin publik për këto programe që ndërhyjnë në sferën private."

Patrick Toomey është avokat për programin e NSA të organizatës ACLU (American Civil Liberties Union). Ai punon në fushat shërbime sekrete, internime pa afat dhe sekrete shtetërore.