1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trajnimi i policëve turq në Gjermani

18 Korrik 2009

Bëhet fjalë për një projekt pilot, por shpejt ai mund të kthehet në bashkëpunim të qendrueshëm. Dhjetë policë turq u kualifikuan për herë të parë në Akademinë Policore, në kuadër të programit të kualifikimit të BE-së.

https://p.dw.com/p/Is3F
Policia turkeFotografi: AP

"Le të fillojmë me ata që janë për grupet. Në grup ne do të diskutojmë barazinë e grave. A do të flisni individualisht, apo ka një zëdhënës te ju? Ndoshta mund të rrini në këmbë dhe të flisni..."

Kjo lojë me role është diçka e re për pjesëmarësit e kursit. Fillimisht duhet ta marrë fjalën Grupi-Pro, thotë trajneri Serkan Altintop - ata që janë pro një pozite të barabartë të grave në jetën profesionale. Mehmet Karai ngrihet në këmbë dhe mbron pozicionin e tij. "Unë e di se çfarë do të thonë kundërshtarët e tjerë", thotë Karai. "Ata do të thonë se gruaja është shumë e dobët, ajo duhet të rrijë në shtëpi. Po këtu nuk bëhet fjalë për forcë fizike..."

Pasi është ulur zëdhënësi i Grupit Pro, e marrin fjalën kundërshtarët. Kjo metodë, për të mësuar dhe për t'iu afruar duke luajtur temave më delikate, si për shembull të drejtave të grave, është e re për policët nga Turqia, të cilët kualifikohen në Bryl për të ndërhyrë për vendosjen e paqes në botën e jashtme. Jo se ata nuk kanë marrë pjesë edhe më parë në angazhime ndërkombëtare, por për t'u përgatitur, sepse deri tani ata thuajse nuk janë përgatitur për to. Disa informacione paraprake, një mbledhje e madhe para nisjes si hyrje, kaq ishte e gjitha. Që në Bryl të gjitha janë ndryshe, këtë inspektori i policisë Mehmet Kara nga Ankaraja di ta vlerësojë.

"Metodat e mësimit janë krejt të ndryshme. Në vendin tonë nuk mund të bëhet shumë fjalë për trajnim, është më tepër një seminar. Ne kualifikojmë 100 vetë në të njëjtën sallë. Kurse këtu nuk ka më shumë se 12 vetë në një klasë. Ky është ndryshim i madh, sepse ata komunikojnë shumë mirë me nxënësit. Edhe materiali mësimor që përdorin, ata kanë skeda, fotografi nga tema e trajnimit... Ne tani po punojmë për minat dhe ka pasur shumë fotografi për minat dhe materialin eksploziv. Ata janë mësues me shumë përvojë, këtë e di", thotë ai.

Minen
MinatFotografi: DW/Helen Seeney

Edhe kryekomisari i policisë dhe trajneri mësues ëolfgang Zillekens i njeh veçoritë e shkollimit në Akademinë Policore, e cila nuk ekziston në këtë formë thuajse në asnjë vend tjetër.

"Ajo që e bën shumë të veçantë vendin ku ne kryejmë shërbimin është qe në kemi më shumë se 15 vjet përvojë trajnimi dhe në botën e jashtme. Trajnerët, që kemi këtu në akademi. Për shembull unë kam kaluar pesë vjet në Ballkan: në Bosnjë, në Kosovë dhe në Maqedoni. Një gjë të tillë mund të pohosh edhe për trajnerët e tjerë. Ata kanë qenë në Liberi, në Sudan, në Gjeorgji... Pra ne sjellim me vete përvoja nga shumë, shumë rajone. Dhe me këtë përvojë në botën e jashtme, ti sjell me vete edhe një sfond të madh përvoje, që të mundëson edhe trajnimin e të tjerëve", shpjegon Zillekens.

Në Bryl trajnimi bëhet saktësisht sipas standardeve të OKB-së. Ky lloj trajnimi përmban dije sfond për Kombet e Bashkuara si dhe për dokumenta të Marrëveshjeve Ndërkombëtare, taktika negociimi në situata të vështira dhe menaxhim të stresit. Trajnimi bëhet në anglisht, për të krijuar kushte sa më pranë realitetit. Në një depo të Bundesverit pranë Rajnbahut janë ndërtuar veç kësaj edhe dy postkomanda policore, në të cilat simulohet për dy ditë me radhë një angazhim në botën e jashtme.

Symbolbild Menschenrechte in Deutschland auf dem Prüfstand UN Menschenrechtsrat
Të drejtat e njeriutFotografi: picture-alliance / dpa / AP / Montage DW

Edhe tema e të drejtave të njeriut luan një rol qendror, mendon Zillekens, pa kritikuar megjithatë shtete të veçanta. Nga pikëpamja diplomatike një gjë e tillë do të thoshte që të shkoje shumë larg. Por grupe që kualifikohen, si grupi i policëve turq, patjetër duhet të ndiejnë vetë, se në ç'masë kanë të bëjnë me ta të drejtat e njeriut. Për këtë, Zillekensi u shtron studentëve të tij gjithmonë të njëjtën pyetje hyrëse: Cila është organizata më e madhe e të drejtave të njeriut në vendin tuaj?

Që kjo organizatë është policia, ose për më tepër duhet të ishte ajo, asnjë prej nxënësve në fillim nuk i shkonte mendja. Të lidhura ngushtë me këtë janë përmbajtje për trajnim si kompetenca ndërkulturore dhe respektimi i botës së të tjerëve.

Autor: Monika Hoegen

Redakoi: Bahri Cani