1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Transparency: afera e Wulff-it të ketë konsekuenca

22 Shkurt 2012

Organizata anti-korrupsion kërkon nga politika rregulla më të rrepta për donacionet dhe sponzorizimet. Nëse ato do të vendosen atëherë shumica e partive do të kenë me sa duket probleme financiare.

https://p.dw.com/p/147JJ
Fotografi: picture-alliance/dpa

Edda Müller me të vërtetë mund të prishë shumë punë. Kryetarja e organizatës Transparency International (TI) nuk ka asgjë kundër që një vend i pasur si Gjermania të organizojë manifestime, siç është Festa e Verës e Presidentit por kërkon që ajo të financohet nga të hollat e tatimpaguesve e jo nga ekonomia. Për koalicionin kundër korrupsionit, siç e quan veten organizata (TI), me rëndësi është se kush e paguan në fund faturën e shpenzimeve.

Anëtari tjetër i kryesisë së TI-së, Jochen Bäumel është edhe më i qartë se kryetarja Müller. Politika nuk duhet të veprojë si një "lutës" kundrejt ekonomisë dhe në këtë mënyrë të vendosë veten në një "pozicion të dobët", por duhet të veprojë me vetëdije. Bäumel, nuk i vlerëson shumë festat e tilla gjysëm publike. Në shumicën e manifestimeve të këtij lloji të partneritetit publiko-privat mund të takosh shumë rrallë njerëz të zakonshëm, por gjithsesi shumë gazetarë dhe zyrtarë të qeverisë, thekson eksperti i  korrupsionit.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: dpa

Donacionet duhet të publikohen nëse kalojnë mbi 2000 euro

Ky konstatim nuk është i ri, ankohet Transparency. Por nën ndikimin e përfitimeve dhe avantazhet që mendohet të ketë pasur presidenti i dorëhequr gjerman Christian Wulff, sipas pikëpamjeve të organizatës joqeveritare është më i nevojshëm se kurrë miratimi i rregullave dhe ligjeve të reja. "Ofensiva e integritetit" e quan TI nismën e saj dhe bën thirrje për një tufë masash. Në këtë mënyrë donacionet për partitë politike duhet të publikohen që nga 2 000 eurot e jo nga niveli i 10 000 eurove, siç parashikohet tani me ligj.

 Transparency kërkon që donacionet për deputetët të ndalohen parimisht dhe aktivitetet dytësore të jenë plotësisht transparente. Në nivel federal, sipas legjislacionit në fuqi ndihmat nga 5000 euro duhet të lajmërohen tek kryetari i Parlamentit dhe nga 10 000 duhet të publikohen. Të ardhurat shtesë nga burimet e tjera në përputhje me rregullat e  Bundestagut duhet të publikohen nga një lartësi prej 1 000 euro. Mirëpo nga ana tjetër avokatët, dhe të tillë ka shumë në Bundestagun gjerman, nuk janë të detyruar të përmendin emrat e klientëve të tyre kur i këshillojnë ata në fushën e lobimit, shpreh zëmrimin e saj Transparency International.

Pamje nga konferenca për shtyp: Edda Müller dhe Jochen Bäumel
Pamje nga konferenca për shtyp: Edda Müller dhe Jochen BäumelFotografi: dapd

"Favoret nuk duhet të pranohen"

Fusha e gjerë e lobimit është shqetësimi kryesor i organizatës anti-korrupsion. Edhe pse që nga viti 1972 ekziston një listë e hapur me emrat e shoqatave të regjistruara dhe përfaqësuesve të tyre në Bundestag prapëseprapë mungon një kod i detyrueshëm i sjelljes dhe rregullat e qarta për punën e lobistëve, veçanërisht ndikimin e tyre në legjislacion. Për të mundësuar më shumë transparencë dhe për të shmangur konfliktet e interesit duhet që në çdo ligj të dokumentohet se kush dhe në çfarë forme ka qenë i përfshirë në të, kërkon shefja e TI-së Edda Müller.

Përveç kësaj rregulla të rrepta nevojiten edhe kur bëhet fjalë për ftesa, dhurata dhe udhëtime. Për udhëtimet ekziston një rregull, deputetët mund të udhëtojnë falas me tren. "Prandaj nuk duhet të pranohet asnjë favor",  thotë anëtari i kryesisë së TI-së, Bäumel duke pasur parasysh përfitimet tashmë ekzistuese. Që politikanët të ftohen diku për një darkë, sipas tij megjithatë është në rregull.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: BilderBox

Autorë: Marcel Fürstenau / Esat Ahmeti       

Redaktoi: Aida Cama