1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tranzit më i gjatë se ç'ishte parashikuar

13 Maj 2010

Dy javë ka Bujar Bobani që ndodhet në paraburgimin e ekstradimit në Gjermani. 36-vjeçari nga Gjakova ishte kapur në aeroportin e Mynihut për shkak të një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë.

https://p.dw.com/p/NMtU
Aeroporti i Mynihut ka kontrolle të rrepta të sigurisë
Aeroporti i Mynihut ka kontrolle të rrepta të sigurisëFotografi: AP

Mbas pesë vjetësh qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bujar Bobani, më në fund kishte vendosur të bënte pushimet në Shqipëri, së bashku me familjen. Babai i dy vajzave nuk e dinte se në aeroportin e Myhinut po e priste Policia Federale e Gjermanisë, me fletë-arrestin ndërkombëtar të urdhëruar nga Serbia, ku 36-vjeçari akuzohet për keqtrajtimin e romëve gjatë periudhës së luftës së Kosovës. Siç thotë për Deutsche Welle-n avokati i Bobanit, Michael Hoffmann: “Kur ishte nisur nga Çikago, Bobani pat deklaruar itinerarin. Bobani ulet në avion e në të njëjtën kohë në Zyrën Federale të Kriminalistikës (BKA) në Wiesbaden vjen një teleks nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku thuhej se zoti Bobani është duke flutuarar në aeroportin e Mynihut.”

Humoristi nga Gjakova, i njohur në Kosovë edhe me nofkën "Beki" - i pat rënë enkas nga Mynihu, për të takuar edhe të motrën që jeton në Rosenheim, Flutër Shashivari. "Ka qenë një shok i madh si për të ashtu edhe për familjen, për gruan dhe fëmijët. Gruaja e vet ka menduar se ka qenë 'kamera e fshehtë' ", rrëfen ajo për Deutsche Welle-n.

Tranziti i tij i shkurtër tashmë po zgjat më shumë se dy javë në paraburgimin e ekstradimit. Prokurori i përgjithshëm i Mynihut, Joachim Ettenhofer, i tha Deutsche Welle-s, se organet serbe duhet të dërgojnë lëndën e Bobanit brenda një afati kohor prej 40 ditësh, pra, deri më 4 qershor. "Kur të kenë hyrë të gjitha dokumentet e nevojshme për ekstradim, ato do t'i bëhen të njohura të përndjekurit, e ky ka të drejtë të thotë fjalën e tij. Më pas Gjykata e Lartë do të marrë vendim se a është i lejueshëm ekstradimi", i tha Ettenhofer Deutsche Welles.

Në rast se Serbia nuk i dërgon dokumentet brenda afatit të kërkuar, atëherë Gjermania është e detyruar ta lërë Bobanin të lirë. Avokati mbrojtës, Michael Hoffmann thotë se ka ndodhur shpesh që lënda nuk ka ardhur. “Prandaj edhe unë nuk kam për të kërkuar nga Beogradi që të dërgojë dokumentet, sepse kjo do t'i shtonte shanset e ekstradimit. Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse të përdor faktorin kohë", thotë ai.

Zgjidhje politike

Ndërsa organet juridike janë në pritje të lëndës nga Beogradi, Ambasada e Kosovës në Berlin po përpiqet ta zgjidhë çështjen edhe në rrugë politike. Sepse, edhe në së Gjykata e Lartë e Mynihut do të vendosë ta dërgojë Bobanin në Beograd, vendimi duhet të pranohet nga qeveria gjermane.

Zëvendëskonsulli i Kosovës në Berlin, Hamdi Reqica, i thotë Deutsche Welles se në Ambasadën Gjermane në Prishtinë janë dërguar ndërkohë dy letra: Njëra nga ministri i drejtësisë, Haki Demolli, dhe tjetra nga kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj. Nga letrat del në pah ndër të tjera se Bobani nuk ka qenë as anëtar i UÇK-së e as i involvuar në luftë.

Reqica, i cili e ka lexuar fletarrestimin e Serbisë, thotë se akuza është shumë e mjegullt. "Nuk ka të dhëna të sakta, ka vetëm thashetheme, nuk përdoren emra, nuk ka data, do të thotë, është një fletarrestim, i cili juridikisht nuk qëndron", gjykon diplomati kosovar, vetë jurist nga profesioni. Shanset për ekstradimin e Bobanit janë të vogla. Këtë e tregon përvoja e deritanishme me arrestime të ngjashme. Më i prekuri ka qenë ish-Komandanti i UÇK-së, Agim Çeku, i cili së fundi ishte arrestuar në Bullgari dhe sërish ishte liruar. Për Reqicën fletarrestimet e Serbisë janë thjesht të karakterit politik. “Ky keqpërdorim i Interpolit nga ana e Serbisë duhet të marrë fund”, kërkon zëvendëskonsulli.

Autor: Anila Shuka/Berlin

Redaktoi: Auron Dodi