1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Baustellen Eurozone

21 Tetor 2011

Në Bruksel në fundjavë zhvillohen aktet e fundit në dramën e Eurozonës: kryetarët e shteteve dhe qeverive duhet të zgjidhin tre probleme komplekse - borxhet greke, krizën e bankave dhe zgjerimin e fondit të shpëtimit.

https://p.dw.com/p/12wA8
Pamje simbolike - kriza e borxheve në BE
Fotografi: dapd

Në takimin me presidentin francez Nicolas Sarkozy në 9 tetor në Berlin, kancelarja gjermane Angela Merkel ende fliste për një "zgjidhje me karakter të gjerë, solide dhe të vazhdueshme" të krizës së borxheve, e cila duhej të gjehej në samitin e ardhshëm të BE-së. Tani, tri ditë para samitit në Bruksel të shtyrë njëherë, Angela Merkel thotë se nuk do të ketë një zgjidhje çliruese, dhe kush e beson këtë, "sheh ëndrra". Pra gruaja më e fuqishme e Evropës, e cila përfaqëson shtetin me aftësinë më të madhe paguese në BE, po tërhiqet.

Negociata në të gjitha nivelet

Pritjet duhet të reduktohen nëse të dielën në samit do të ketë vetëm formula të vakëta kompromisi. Megjithatë evropianët premtuan në takimin e ministrave të financave nga SHBA dhe vendet në ekspansion në kuadër të G-20 fundjavën e kaluar, se do të gjejnë zgjidhje përmbyllëse dhe me rreze të gjerë veprimi. Pjesa tjetër e botës është e shqetësuar pasi kriza evropiane mund të ndikojë negativisht edhe mbi tregjet financiare dhe bankat në SHBA, Azi dhe Amerikën Latine. Presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellick, paralajmëroi se evropianëve "nuk u ka mbetur më thuajse fare hapësirë për gabime". Dy javë më parë Zoellick e kishte akuzuar Angela Merkelin se "i mungonte një vizion" për zgjidhjen e krizës së borxheve.

Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Barroso, tha para një komisioni të Parlamentit Evropian të enjten (20.10.) në Bruksel, se është optimist. "Unë mendoj se të dielën do të jetë i mundur një rezultat shumë pozitiv, me kusht që të gjithë pjesëmarrësit të dëshmojnë vullnetin e duhur politik dhe të jenë të gatshëm për kompromise."

Të mërkurën në mbrëmje (19.10.11) Barroso u takua në Frankfurt mbi Main në një samit të papritur krize me kancelaren Merkel, presidentin francez Sarkozy dhe shefen e FMN-së Christine Lagarde. Aktualisht po negocionet ethshëm në të gjitha nivelet, mes kryeqyteteve evropiane, qendrës së BE-së në Bruksel dhe shoqatave të bankave, theksoi një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Financave.

Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy
Përfytyrime të ndryshme për zgjidhjen e krizës - Angela Merkel dhe Nicolas SarkozyFotografi: picture alliance/dpa

Tre kantieret e mëdha të punës

Greqia: Vendit të zhytur thellë në borxhe do t'i falen një pjesë e borxheve. Në korrik kryetarët e shteteve dhe qeverive ranë dakord me kreditorët privatë, bankat dhe Bankën Qendrore Evropiane për një reduktim të borxhit me 21 %. Por kjo përqindje duket tani e vogël përballë krizës në Greqi. Gjermania dëshëron një reduktim më të fortë dhe flet për falje të 50 deri 60 për qind të borxhit. Franca dhe kreditorët privatë mendojnë se mjafton një reduktim prej 30%. Veç kësaj ministrat e financave të Eurozonës duhet të miratojnë kredinë e radhës prej 8 miliardë eurosh për Athinën, në mënyrë që Greqia të mund të mbijetojë financiarisht javët e ardhshme.

Kriza e bankave: Në pritje të një reduktimi të borxhit grek, për shumë banka të cilat kanë në bilancet e tyre obligacione shtetërore greke apo tituj financiarë të vendeve të tjerë në krizë, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të sigurojnë para në periudhë afatshkurtër. Bankat e shohin njëra-tjetrën me mosbesim, për këtë arsye është Banka Qendrore Evropiane, ajo që vë aktualisht në dispozicion kapital të freskët. Nëse do të ketë një reduktim të fortë të borxhit, atëherë shumë banka, para së gjithash ato greke, spanjolle, italiane dhe franceze do të kenë nevojë për kapital, që të mos falimentojnë. Nëse bankat do të arrijnë ta sigurojnë vetë këtë kapital apo nëse shtetet, qoftë edhe me detyrim, do të marrin pjesë në kapitalin e bankave, mbetet tejet e polemizuar. Franca kërkon që fondi evropian i shpëtimit (EFSF) t'u vijë në ndihmë bankave, në mënyrë që të mos rëndohet buxheti i saj shtetëror. Gjermania mendon si të mundshëm një rikapitalizim, edhe të detyrueshëm të bankave.

Fondi i shpëtimit: Fondi për shpëtimin e euros (EFSF) do të zgjerohet në masë të tillë që edhe Spanja dhe Italia të mund të shesin me norma të pranueshme interesi obligacionet e tyre shtetërore. Volumi i fondit të shpëtimit duhet të zgjerohet me anë të së ashtuquajturës "levë financiare" në një deri dy bilionë euro (2000 miliardë). Se çfarë teknikash financiare duhen përdorur për zgjerimin e fondit, është e kontestuar mes Gjermanisë dhe Francës. Pala gjermane favorizon një lloj sigurimi për blerësit e obligacioneve shtetërore. Atyre do t'u zëvendësoheshin 20 deri 30 për qind e humbjeve eventuale. Pala franceze kërkon përfshirjen e Bankës Qendrore Evropiane (ECB). Ajo mund t'i vinte në dispozicion fondit të shpëtimit kredi në masë të madhe. Por vetë ECB e refuzon këtë. Të gjitha modelet e levës financiare mbartin rreziqe, të vështira për t'u llogatur. Veç kësaj ato duhet të miratohen nga komisioni për financat në Parlamentin Federal gjerman.

Presidenti i Komisionit të BE-së dhe ai i Këshillit të BE-së, Barroso dhe van Rompuy
Presidenti i Komisionit të BE-së dhe ai i Këshillit të BE-së, Barroso dhe van RompuyFotografi: dapd

Ndryshim i marrëveshjeve të BE-së

Përtej tri vatrave aktuale të krizës, kryetarët e shteteve dhe qeverive do të konsultohen edhe për masa afatmesme dhe afatgjata. Kancelarja Merkel pritet të propozojë që shtetet, të cilat marrin para nga fondi i shpëtimit, të heqin dorë nga një pjesë e të drejtave të tyre të sovranitetit. Një trojkë e përhershme nga BE, ECB dhe FMN, duhet të kontrollojë menaxhimin e buxheteve të vendeve të zhytura në borxhe. Mekanizmat e stabilitetit dhe sanksionet në raste shkeljeje do të ashpërsohen.

Eurozona duhet të koordinojë më mirë politikën e saj ekonomike dhe fiskale. Qeveria ekonomike, e cila do të ngarkohet më këtë detyrë, do të marrë kompetenca të vërteta. Për këto hapa është e nevojshme të ndryshohen marrëveshjet evropiane. Kjo bëhet vetëm njëzëri dhe me ratifikimin në vendet anëtare. Si rregull procesi i ratifikimit zgjat të paktën dy vjet. Gjermania kërkon ta shkurtojnë në një vit këtë afat. Ndryshimet e konventave "nuk duhet të jenë tabu", përsërit prej disa javësh publikisht kancelarja Merkel.

Polemikë ka edhe për personelin: kancelarja Merkel dhe presidenti francez Sarkozy duan të shohin presidentin e Këshillit të BE-së Herman van Rompuy, si shef të ri të eurogrupit me 17 vende anëtare. Shefi i deritanishëm i ministrave të financave të Eurozonës, kryeministri luksemburgas Jean-Claude Juncker, nuk e pranon këtë. Presidenti i Komisionit të BE-së Jose Manuel Barroso, thekson se BE e ka tashmë një qeveri ekonomike, dhe ky është Komisioni i BE-së, kreu i administratës në Bruksel.

Autor: Bernd Riegert

Redaktoi: E. Xhani