1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tregti me organe?

8 Prill 2009

A do të nisë EULEX-i hetimet për rastin e Burrelit?

https://p.dw.com/p/HSzH
Fotografi: AP

Zyrtarë të misionit EULEX thonë se prokurorët e këtij misioni mund të hetojnë çdo rast, që ka të bëjë me krime lufte. Ata nuk konfirmojnë, por as nuk mohojnë mundësinë që të nisin hetimet për rastin e Burrelit në Shqipëri, ku pretendohet se është bërë trafikim me organet e serbëve të Kosovës. Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë, në një njoftim të saj, shkruan se hetimet për këtë rast kanë kaluar tek misioni EULEX. Udhëheqësit e ministrisë së Drejtësisë në Kosovë thonë se ata nuk frikësohen prej asnjë hetimi për UÇK-në, sepse janë të bindur se në Burrel të Shqipërisë nuk ka ndodhur, siç thuhet, trafikim me organet e serbëve të rrëmbyer.

Preduca: rastet për krimet e luftës janë kompetencë e EULEX-it

Zyrtarë të misionit evropian EULEX nuk e përjashtojnë mundësinë e hapjes së hetimeve për trafikim me organet e serbëve të rrëmbyer pas luftës në Kosovë. Por tash për tash ata thonë se akoma nuk kanë informata dhe bazë për të hapur këto hetime. Dyshimet se ish pjesötarët e UCK-së kishin rrembyer serbë civilë dhe u kishin hequr organet në Burrel të Shqipërisë, janë ngritur në Librin e fundit të ish kryeprokurorës së Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte. Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë në një njoftim të saj thotë se administrata e Kombeve të Bashkuara i ka dorëzuar prokurorisë në Serbi dokumente, që lidhen me pretendimet për trafikim organesh pas konfliktit të Kosovës të vitit 1999. Në njoftim thuhet se hetimet mbi trafikimin e organeve të serbëve janë transferuar te misioni EULEX. Shefi i komponentës për sundimin e ligjit në EULEX, Alberto Preduca, nuk konfirmon, nëse ky mision ka marrë dokumente nga Serbia dhe tash do të nisë hetimet për këtë rast. Ai megjithatë thotë se rastet për krimet e luftës janë kompetencë e EULEX-it dhe prokurorët e këtij misioni e marrin seriozisht çdo çështje, që lidhet me krime të rënda.

“Natyrisht në e marrim me seriozitet nevojën e bashkëpunimit me çfarëdo autoriteti që mund t'i ndihmojë prokurorët tanë në përmbushjen e mandatit të tyre. Më shumë se kaq nuk mund të them”, thotë Alberto Preduca.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, thonë se ata nuk i frikësohen asnjë hetimi

Ata janë të bindur se në Burrel të Shqipërisë nuk ka ndodhur sic thuhet trafikim me organet e serbëve të rrembyer. Nekibe Kelmendi, ministre e drejtësisë thotë se ato hetime janë bërë tri herë dhe kanë dhënë rezultate negative për Serbinë dhe pozitive për Kosovën. “sepse nuk ka ekzistuar një dhunë e tillë. Sido që të jetë, në raportin e progresit është theksuar se duhet të merret Komisioni Evropian me këtë hetim të rastit dhe le të hetohet rasti, pse jo”.thotë Kelmendi.

Qeveria e Kosovës, thotë se pohimet e Karla Del Pontes se ish pjesëtarët e UCK-së janë marrë me trafikim organesh të serbëve, janë qëllimkëqia. Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, thotë se këto pohime kanë për qëllim vetëm dëmtimin e imazhit të UCK-së dhe vetë Kosovës.

"Zonja del Ponte ka kaluar në nivel të spekullimeve dhe shpifjeve dhe prapavija e saj nuk është që të vërtetohet ndonjë dyshim, por më shumë që të dëmtohet imazhi i dikujt. Qeveria e Kosovës konsideron se UCK-ja ka bërë luftë të drejtë, luftë mbrojtëse dhe luftë çlirimtare, çka është vërtetuar edhe në rastet e ngritura në aktakuza në nivelin ndërkombëtar nga Gjykata e Ndërkombëtare për Krime të Luftës në Hagë," thotë Hajredin Kuqi.

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, më herët i pati bërë thirrje qeverisë në Prishtinë dhe në Tiranë, që të hapin hetime të pavarura mbi akuzat për rrëmbim dhe transferim të qytetarëve serbë nga Kosova në veri të Shqipërisë. Qeveria thotë se asnjë institucion evropian nuk ka kërkuar nga ajo, që të nisin hetimet për ketë rast. Ndërkohë kryesia e kuvendit të Kosovës është duke menduar që të kërkojë nga organet e drejtësisë nisjen e hetimeve kundër ish kryeprokurorës së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, e cila sipas tyre në librin e saj akuzon pa bazë UCK-në për rrëmbim të civilëve serbë dhe trafikim me organet e tyre.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica