1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Trekëndëshi i Vajmarit" për Politikën e re të Fqinjësisë

Rosalia Romaniec / Esat Ahmeti2 Prill 2014

Gjermania, Polonia dhe Franca duan të çojnë përpara politikën e fqinjësisë së BE-së. Në Vajmar (Weimar) ministrat e Jashtëm kanë rënë dakord për një paketë të ideve. Në takim është diskutuar edhe gjendja në Ukrainë.

https://p.dw.com/p/1BZmF
Fotografi: picture-alliance/dpa

Qeveritë në Paris, Berlin dhe Varshavë përbëjnë një aks të rëndësishëm në Evropë. Prandaj ministrat e Jashtëm të këtyre tre vendeve takohen rregullisht së bashku, për të përcaktuar synimet e përbashkëta. Këto takime quhen ndryshe edhe "Trekëndëshi i Vajmarit". Në takimin e tyre aktual në qytetin e landit të Turingjisë, Weimar, u diskutua ndër të tjera për impulse të reja për politikën evropiane të fqinjësisë. Në një deklaratë të përbashkët kryediplomatët e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, Frank-Walter Steinmeier, Laurent Fabius dhe Radosllav Sikorski, prezantuan ide të cilat do të mund të afrojnë fqinjët e BE-së në Bashkimin Evropian. Deklarata u drejtohet edhe të gjitha rajoneve fqinjësore, duke përfshirë edhe vendet e Afrikës së Veriut. Por në fokus në mënyrë të qartë ishte partneriteti me evropianët e vendeve lindore.

Për shkak se ritmi i afrimit me BE-në në të gjitha gjashtë vendet - Moldavi, Azerbajxhan, Armeni, Gjeorgji, Ukrainë dhe Bjellorusi - është shumë i ndryshëm, "Trekëndëshi i Vajmarit" dëshiron në të ardhmen "më shumë fleksibilitet" në BE. "Këto vende nuk duhet të përballen më me marrjen e vendimeve 'ose-ose', të cilat i mbingarkojnë ato", thuhet në deklaratën e përbashkët. "Vendet duhet të kenë lirinë për të vendosur", shtoi ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier në një konferencë për shtyp në Vajmar (Weimar).

Të ketë më shumë mbështetje ekonomike

Të tre ministrat e Jashtëm duan të përqëndrohen në dy fusha: Më shumë mbështetje për zhvillimet e shoqërisë civile dhe më tepër stimulim përmes bashkëpunimit ekonomik. Përveç marrëveshjes së tregtisë së lirë mund të mendohet edhe për krijimin e "zonave të përbashkëta ekonomike". Polonia, Franca dhe Gjermania do të shohin se sa marrëveshjet për bashkëpunimet e reja mund të jenë në përputhje me marrëveshjet ekzsituese, me sa duket një mësim i nxjerrë nga kriza e tanishme në Ukrainë.

Në foto: Ministrat Laurent Fabius, Frank-Walter Steinmeier dhe Radoslaw Sikorski
Në foto: Ministrat Laurent Fabius, Frank-Walter Steinmeier dhe Radoslaw SikorskiFotografi: picture-alliance/AP Photo

Ukraina vazhdon ende të mbetet në fokus. Gjermania do të dërgojë këto ditë një delegacion në Kiev për të dihmuar me reformat e filluara ligjore. Polonia do të mbështesë qeverinë e Ukrainës në temën e decentralizimit në vend.

Në deklaratën e përbashkët flitet edhe për paratë. Për politikën e fqinjësisë BE deri në vitin 2020 do të vërë në dispozicion më shumë se 15 miliardë euro. "Një shumë e madhe e parave," thonë kryediplomatët por afati për shfrytëzimin e fondeve është shumë i gjatë. Ata duan të fusin në përdorim më shumë instrumente financiare afatshkurtra, në mënyrë që të kenë mundësi të reagojnë shpejt dhe të jenë më fleksibël ndaj ndryshimeve.

Të tre ministrat dënuan përsëri veprimet e Rusisë në Krime si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare. "Në shekullin e XXI-të ne duhet të jemi në gjendje t'i zgjidhim ndryshe pretendimet dhe konfliktet e interesave e jo përmes korrigjimit të kufinjve", tha Steinmeier. Homologu i tij polak Sikorski theksoi se Rusia "duhet të paguajë një çmim të lartë për këtë", duke iu referuar trazirave politike, ekonomike dhe ndërnjerëzore.

Kriza ndihmon Trekëndshin

Kriza aktuale në Evropë i ka ofruar në mënyrë paradoksale "Trekëndëshit të Vajmarit" një mundësi për të ringjallur bashkëpunimin midis tre partnerëve. E themeluar në vitin 1991 - nga Ministrat e Jashtëm Genscher, Dumas dhe Skubiszewski - ky trekëndësh ka punuar gjatë për të promovuar integrimin polak në BE. Që kur se Polonia u bashkua me Bashkimin Evropian, dukej sikur këto vende e kishin të vështirë për të gjetur një sfidë të përbashkët. Kriza në lindje ofron një mundësi për të.