1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Treni magnetik Transrapid nuk do të futet në qarkullimin komercial në Gjermani

28 Mars 2008

Treni gjerman Transrapid në përdorim në Shanghai, por për shkak të dyfishimit të shpenzimeve jo në Gjermani.

https://p.dw.com/p/DWJK
Treni gjerman Transrapid në përdorim në Shanghai
Treni gjerman Transrapid në përdorim në ShanghaiFotografi: AP

Treni magnetik i shpejtësisë së lartë, Transrapid, nuk do të futet në qarkullimin komercial në Gjermani. Këtë vendim e morën landi i Bavarisë, ku do të ndërtohej një linjë e tillë midis qendrës së kryeqytetit të landit Mynih e aeroportit, si dhe federata. Shkaku është dyfishimi i shpenzimeve që kërkojnë firmat për ndërtimin e linjës, nga 1,6 miliardë të parashikuara, në 3,2 miliardë. Në gazetën DER NEUE TAG për këtë temë lexojmë:

"Mund të jetë për të ardhur keq që teknologjia e lartë e zhvilluar në Gjermani, sërish nuk do të vihet në përdorim në Gjermani. Por sikur tani të dalin në skenë parashikuesit e katastrofave nga radhët e politikës dhe të flasin për një sinjal katastrofik ndaj botës për Gjermaninë si vend të teknologjisë së lartë, atyre u duhet thënë një gjë: Transrapidi nuk ka dështuar për shkak të ndonjë armiqësie tipike të gjermanëve ndaj teknologjisë, por thjesht në mungesën e parave, e thënë më saktë në një hendek të pajustifikueshëm midis shpenzimeve dhe përdorimit."

Ja edhe HANNOVERSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG:

"Për dekada të tëra i ka mrekulluar njerëzit realizimi i mundësisë së qarkullimit në shina, pa i prekur ato. Kjo mund të thuhet para së gjithash për njerëz nga radhët e politikës, të cilët në trenin magnetik shihnin tramvajin e shekullit të 21-të. Sot, as mbështetësit naivë të kësaj ideje nuk shpëtojnë dot pa pranuar ca gjëra: transrapidi përshtatet me nevojat e qarkullimit në Gjermani si një udhëtim me raketë kozmike për pushime në ishullin spanjoll Majorka. Shmangia e vëmendjes nga detyrat reale të politikës së qarkullimit ishte funksioni që luante "elefanti i bardhë" Transrapid. Sa herë që bëhej fjalë për modernizmin e sistemit gjerman të qarkullimit, pyetjet kritike përfundonin në një debat pa fund për kuptimin dhe synimin e transrapidit. Kjo tani ka marrë fund. Prandaj, dita e djeshme mund të konsiderohet një ditë e mirë për Gjermaninë."