1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tri ditë e tri netë në hetuesi

Bahri Cani22 Maj 2013

Bahri Cani qysh nga fillimi i vitit 1994 ka qenë korrespondent i Radios Detusche Welle-s në Beograd, ku përjetoi edhe kohën e bombardimeve.

https://p.dw.com/p/18cHG
Fotografi: DW/P. Henriksen

Deri në sekondat e fundit të gjithë ne shpresonim se diktatori i atëhershëm serb Sllobodan Millosheviq do të dorëzohet para skadimit të ultimatumit të NATO-s, më 24. 03. 1999 dhe do ta shmangte luftën, bombardimet, mijëra viktima dhe vuajtjet e miliona njerëzve. Tek e fundit, ai e kishte edhe numrin e telefonit të ndërmjetësit amerikan Richard Holbrooke, i cili pas takimit të fundit në Beograd i kishte thënë se do të mjaftonte vetëm një thirrje për të evituar luftën. Por jo: diktatori kishte vendosur të futet në një luftë të pashpresë për Serbinë.

Në orën 20:00 u dëgjua shpërthimi i parë i fuqishëm vetëm disa kilometra larg nesh. Shpërthimi ishte kaq i fuqishëm sa që u drodh e gjithë godina. Pak më vonë bomba e dytë, e tretë... Të gjithë vraponin shkallëve poshtë në bodrum. Morrëm një çantë me dokumenta dhe me para dhe ikëm edhe ne: bashkëshortja ime Alida (Berisha, korrespondente e dikurshme e BBC dhe Evropës së Lirë) dhe unë.

Filluan bombardimet e NATO-s

Bodrumi i godinës sonë ishte i stërmbushur. Kaq „intim“ me njerëz të panjohur nuk kemi qenë kurrë. Në fillim dëgjoheshin vetëm ofshamat, frymarrjet e shpeshta dhe kundërmimi i djersës që çlirohej prej frikës. Nga jashtë bombardimet s'kishin të ndalur. Një fqinj ishte skuqur në fytyrë dhe shante Perëndimin, Amerikën, Gjermaninë...

Dy orë më vonë u dëgjua një klithmë: „Qetësi!“ Në dorën e ngritur lart personi mbante një radio-tranzistor të vogël. „Le të dëgjojmë lajmet e Radios Detusche Welle! Dua të dëgjoj se ç'po ndodh jashtë dhe ç'po thonë armiqët tanë!“ Plot 15 minuta s'bëzante askush. Dëgjohej vetëm zëri i Detusche Welle-s në gjuhën serbe dhe kohë pas kohe ndonjë bombë apo raketë nga jashtë.

Diku nga ora katër e mëngjesit u rralluan bombat. Ngadalë dhe me kujdes filluam të dalim jashtë. Para ndërtesës debatohej se sa do të vazhdojnë bombardimet?

Urrejtja ndaj shqiptarëve

...por për Alidën dhe për mua plasi një bombë edhe më e fuqishme: „E di çka“, filloi të më fliste me zë të lartë një grua e shqetësuar tejmase: „kundër NATO-s nuk mund të bëj asgjë, por sikur t'a kisha këtu një shqiptar, do t'ia furja me këto dy duar“.

Po si mund ta njihni ju një shqiptar?, e pyeta. „Ata derra të papastër i njoh nga theksi, sepse nuk dinë t'i flasin disa shkronja në serbisht!“ Rrallë herë kam qenë më i lumtur për faktin që Alida (e lindur në Beograd) dhe unë e flasim serbishten pa theks.

„A je ti normal, pse po futesh në debat me te?!“, më pëshpëriti Alida në vesh, dukshëm e shqetësuar. „Ikim në banesë, sepse nuk është me rëndësi nëse do të vdesim brenda apo jashtë!“

Në ora shtatë të mëngjesit më morën kolegët nga Deutsche Welle dhe raportova për natën e parë të bombardimeve në Beograd. Edhe Alida përfundoi raportin e saj dhe vendosëm: në bodrum më nuk do të shkojmë.

Përmes sulmeve me destinacion të caktuar NATO synonte ta vinte në lëvizje udhëheqjen e Serbisë
Përmes sulmeve me destinacion të caktuar NATO synonte ta vinte në lëvizje udhëheqjen e SerbisëFotografi: picture-alliance/dpa

Normaliteti i rremë

Disa ditë më vonë u larguam nga banesa jonë dhe vendosëm të kalojmë tek prindërit e Alidës, në Beograd të Ri. Marashi dhe Lajda kishin frikë – jo vetëm nga bombat por edhe nga ndonjë sulm hakmarrjeje nga njerëzit që e dinin se këtu banojnë shqiptarë.

Ditët kalonin duke punuar, ndërsa pas orës 18:00, kur zakonisht dëgjoheshin sirenat e para që paralajmëronin fillimin e sulmeve ajrore, mbylleshim në banesë dhe flisnim deri natën vonë. Unë gati çdo natë shikoja nga ballkoni bombardimet e aeroportit të Beogradit. Shpesh më dukej sikur isha në ndonjë kinema të filmave fantastiko-shkencorë: predhat fluturonin nga lart dhe nga poshtë. Ngadal u krijua një lloj rutine dhe „normaliteti“, ku ditët i ngjanin njëra tjetrës dhe ku bombat dhe shpërthimet ishin pjesë e pandashme e jetës. Tri javë më vonë u dëshmua se „ky normalitet“ ishte plotësisht i rremë.

E hënë, 19 prill. Ditë e bukur me diell. Diku nga ora 11:00 u përshëndeta nga Alida dhe i thashë se po shkoj në banesën tonë, për të ujitur lulet dhe për të parë nëse çdogjë është në rregull. U ula në „golfin“ tim të dashur të kuq dhe u nisa. Vetëm 100 metra më larg, më doli përpara një veturë e bardhë dhe më bllokoi rrugën. Nga pas më bllokoi rrugën një veturë tjetër. Sa çel

 e mbyll sytë, para meje dolën pesë „gorilla“. Pa thënë asnjë fjalë, më nxorën me dhunë nga vetura dhe filluan të më gjuajnë me shqelma e grushta. Më futën në një veturë tjetër dhe vazhduan „vallen“

Më mir fol - se ne i dimë të gjitha!“


Nëpër mendje më shkonin shumë pyetje: kush janë këta njerëz? Policë? Apo ndonjë njësi paramilitare? Apo janë thjesht kriminelë ordinerë, që e kanë kuptuar se jam shqiptar dhe duan të më plaçkisin e vrasin? Ku po më çojnë? A thua edhe mua do të më vrasin, si kryeredaktorin tim të dikurshm Sllavko Quruvija, një javë më parë? Pyetje shumë e përgjigje asnjë.

Pas afro gjysmë ore ndaluan para një ndërtese dhe më futën brenda. Në një dhomë ishin mbledhur ca njerëz. Njëri prej tyre u ngrit në këmbë dhe më tha: „Ti na qenke terroristi shqitpar dhe spiuni gjerman që ka ardhur në Beograd për të kryer akte terrorise dhe për të spiunuar për NATO-n?“

Me kokë i dha sinjal „gorillave“, të cilët hodhën edhe një „valle“. „Më mirë fol menjëherë: ne i dimë të gjitha! E dimë që ti je udhëheqësi i terroristëve shqiptarë në Beograd. E dimë që je spiun i Gjermanisë dhe NATO-s, e dimë që i njeh dhe i ke miq shumë terroristë në Kosovë. Këtu s'do të mund të të ndihmojë askush. Je njeri i vdekur!“, bërtiste pandalur njëri prej tyre. Tani më thuaj: „Si e ke emrin, mbiemrin?"...

Përgjimet

Disa orë më vonë e kuptova se jam në polici. Pasuan tri ditë dhe tri netë të gjata, të pyetjeve të pandërprera, pa ushqim dhe pa ujë, pa gjumë... Shumë shpejt e kuptova se i kishin përgjuar të gjitha telefonatat e mia, të gjitha raportimet, bisedat, takimet me njerëz, në veçanti me shqiptarët dhe gjermanët në Beograd... Vetëm celularin tim nga Gjermania jo.

Jashtë zhvillohej një dramë tjetër. Alida kishte alarmuar të gjithë miqtë, të njohurit në Beograd dhe në vendet e tjera, Deutsche Welle-n, BBC-në, Evropën e Lirë, Zërin e Amerikës, organizatat për të drejtat e njeriut në Beograd, Reporterët pa kufij. Por nga unë nuk kishe asnjë shenjë, asnjë gjurmë. Nga frika në mos e rrëmbejnë edhe atë, natën strehohej diku tjetër... Shpresa për të më gjetur gjallë po zbehej nga dita në ditë, nga ora në orë...

Më në fund i lirë!

Kur u konstatua se nuk paskam qenë terrorist, pas 60 orë pyetjesh dhe kërcënimesh, vendosën të më lenë në gjendje të lirë. Por nuk harruan të më „sugjerojnë“ se duhet të raportoj „ashtu siç thotë shteti dhe jo armiqtë. Ne do të të ndjekim në çdo hap!“

Alida, Lajda dhe Marashi nuk mund t'u besonin syve nga gëzimi, kur trokita në derë, me fytyrë të zbehur, shenja të dukshme nga maltretimet dhe gjashtë kilogram më pak. Ditën tjetër vendosa që për një kohë të mos raportoj. Hulumtimet dhe raportimet serioze edhe ashtu nuk ishin të mundura. E dija se po më përgjonin dhe po më ndiqnin në çdo hap. Shpesh në rrugë dilnin me qëllim para meje njerëz të panjohur me pistoleta në brez, për të ma bërë me dije prezencën e tyre. Por celulari im nga Gjermania edhe më tej ishte i papërgjuar. Ai ishte dritarja ime me botën. Disa kolegë nga Deutshe Welle lajmëroheshin çdo ditë. Kjo më ka dhënë fuqi dhe guxim. Ndaj të gjithë atyre që janë interesuar për ne: FALEMNDERIT, !