1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Triumf i trefishtë për superstarin Barak Obama

Bergmann, Christina (DW Washington) 13 Shkurt 2008

Barak Obama i fitoi në tri shtete federale njëherësh zgjedhjet preliminare. Në këtë mënyrë, demokrati Obama arrin të mbledhë për herë të parë më shumë vota delegatësh se sa konkurentja e tij, Hilary Klinton.

https://p.dw.com/p/D6uc
Barak Obama më 12 shkurt 2008 në MadisonFotografi: AP
Zgjedhjet preliminare për kandidat për president të SHBA kaluan në një raund të ri. Zgjedhëset dhe zgjedhësit në Maryland, Virxhinia dhe në Uashington DC dhanë votat e tyre. Fitorja e Barak Obamas në të tria shtetet federale pritej- por rezultatet qenë vecanërisht të qarta. Senatori nga Ilinoisi qe për herë të parë në gjendje të mblidhte edhe votat e grupeve të zgjedhësve, të cilët normalisht mbështesin konkurenten e tij Hilary: gra dhe të bardhë, klasën punëtore dhe të organizuarit në sindikata. Barak Obama ecën kështu në valën e tij të suksesit. Në mbrëmje ai udhëtoi për në Madison, në shtetin Viskonisin, ku të martën e ardhshme (19.02) do të zhvillohen zgjedhje. Atje ai festoi tepër i kënaqur dhe i lumtur me mbështetësit e tij.
"Ne e dimë, që rruga jonë nuk do të jetë e lehtë, por ne dimë edhe që cinikët tani nuk mund të pohojnë më, se shpresa jonë është e kotë. Ne kemi fituar në Lindje dhe në Perëndim, në Veri dhe në Jug, kryq e tërthor në vendin, që ne e duam kaq shumë."
Hilary Klintoni në këtë mënyrë nuk mund ta konsiderojë se e ka fituar garën. 2025 vota delegatësh duhet të mbledhë ai ose ajo që dëshiron të bëhet kandidat për president të demokratëve të SHBA. Të dy kandidatët kanë siguruar më shumë se 1 mijë vota, pra janë ende shumë larg shifrës magjike. Për momentin, Barak Obama ka epërsi të lehtë, dhe Klintoni ka probleme: pas menaxheres së saj të fushatës elektorale, tani dha dorëheqjen edhe zëvendësi i saj, dhe nga ana financiare asaj iu desh të fuste dorën në xhepin e saj, për të mbushur arkën elektorale. Në gazeta citohen anëtarë të ekipit të saj, të cilët thonë se nuk kishin llogaritur, që pas "super të martës" do t'u duhej të vazhdonin.
Hillary Clinton Vorwahlen USA Texas
Hilary Klinton në El Paso, Teksas më 12 shkurt 2008Fotografi: AP

Hilary Klinton foli në mbrëmje, pa u shpallur ende rezultatet, përpara mbështetësve të saj në El Paso, Teksas. Ajo dëshiron t'i harrojë sa më shpejt që të jetë e mundur shuplakat e ditëve dhe javëve të fundit dhe e hedh vështrimin përpara. Në Teksas, njësoj si në Ohajo, në 4 mars do të ketë zgjedhje preliminare dhe atje shanset e saj janë më të mira.
"Në tri javët e ardhshme ne do të mbledhim të gjitha votat anembanë Teksasit dhe do të shpallim atje pikëpamjen tonë: që Amerika ka nevojë për një president, i cili të jetë i gatshëm që ditën e parë për detyrat e tij, si komandant të forcave të armatosura dhe për të siguruar edhe njëherë ngritjen ekonomike. Unë jam e provuar, unë jam e gatshme, le të kujdesemi që kjo edhe të ndodhë."
John McCain Vorwahlen USA Virginia
Republikani MakKein Aleksandria/Virxhinia më 12 shkurt 2008Fotografi: AP
Tek republikanët, senatori Xhon Makkein e thelloi edhe më tej fitoren e tij. Megjithë fitoren në të tria shtetet federale, ai deklaroi: "Ne kemi një rrugë të gjatë para vetes në këtë fushatë dhe kemi pasur të përpjetat dhe të tatëpjetat tona, por sic e deshi fati, ky produkt i shansit dhe i zellit, ne po i afrohemi fundit të gjysmës së parë të zgjedhjeve me një rritje të fuqishme."
Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë