1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqi: Protesta kundër politikës për refugjatët

Reihnhard Baumgarten4 Prill 2016

Sprovë për planin BE- Turqi: të hënën do të sillen refugjatët e parë nga Greqia në Turqi. Por përgatitjet ecin ngadalë. Veç kësaj, në Turqi po rritet rezistenca kundër planeve të strehimit.

https://p.dw.com/p/1IOpK
Türkei Kilis Flüchtlinge Schule im Flüchtlingslager
Fotografi: DW/V. Spasovska

Çeşme dhe Dikili - dy qytete të vogla në bregun turk të Egjeut përballë ishujve grekë të Chios-it dhe Lesbosit. Atje do të strehohen që prej së hënës (04.04.2016) refugjatë, që kanë marrë ilegalisht rrugën për në BE.

"Në fazën e parë këtu do të mbërrijnë afganë. Pastaj do të pasojnë sirianë. Por sirianët gëzojnë liri lëvizjeje në Turqi. Si do të funksionojë kjo punë? Si mund t'i mbash ata të lidhur këtu?" Kështu na thotë kryetari i bashkisë së Çeşmes, Muhittin Dalgiç.

Në Çeşme dhe Dikili që prej së hënës do të mbërrijnë refugjatë, të cilët kanë shkuar ilegalisht në Greqi përmes Turqisë. Në të dyja qytetet janë ndezur protestat. Veysi Öncel është pronar i një shoqërie turistike në Çeşme. Ai thotë se ky vit është gjithsesi shumë i vështirë për Turqinë. "Flitet për rënie deri 50 përqind. Në një sezon kaq të vështirë, nuk na duhet edhe një problem shtesë."

Përgatitjet ecin ngadalë

Mustafa Torun është kryetari i Bashkisë i Dikilit, i qytetit tjetër që duket që nga Lesbosi, i cili duhet të pranojë refugjatët e kthyer pas. Ai ankohet për infrastrukturën e pamjaftueshme të qytetit.: "Askush nuk i pyeti për mendimin e tyre njerëzit në Dikili. Dikili investon në turizëm ekologjik dhe në shfrytëzimin e ngrohtësisë së tokës. Refugjatët do të jenë një pengesë. Ne arritëm të gjejmë investorë. Ata me siguri do të tërhiqen."

Siç bëjnë të ditur vëzhgues nga Dikli, përgatitjet për pranimin e refugjatëve ecin vetëm ngadalë. Qendra e strehimit të refugjatëve në qytet ende është një fushë me bar. Gazetarët thonë se të dielën paradite u ngritën dy çadra. Kryetari i Bashkisë Torun thotë se me dëshirën e qeverisë së Ankarasë ai ka ngritur dy shtëpiza WC. Në Dikili, të dielën dolën në rrugë rreth 300 demonstrues. Ata nuk duan që qyteti i tyre me më pak se 42.000 banorë të kthehet në "shesh shpërndarjeje për refugjatët ilegalë". Zëra nga Dikili: ata thonë se nuk e dinë se ç'janë këta njerëz, ankohet Cezmi Karay. "Këta nuk janë vetëm sirianë. Ka edhe luftëtarë të PKK-së mes tyre. Të tjerë janë nga Zimbabveja. Si mund të jem i sigurtë që midis tyre nuk ka terroristë, që ata nuk duan të vjedhin ose të përdhunojnë?"

Rreth 5000 refugjatë ilegalë do të kthehen gradualisht nga Greqia. Njëkohësisht, Turqia përpiqet të pengojë që në drejtim të ishujve grekë të shkojnë refugjatë të tjerë.