1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia mbështet Maqedoninë në procesin e integrimit evropian

29 Shtator 2011

Maqedonia dhe Turqia nuk kanë asnjë çështje të hapur politike, andaj bashkëpunimi ekonomik i tyre duhet të thellohet. Këtë deklaratë bëri kryeministri i Turqisë Erdogan gjatë vizitës së tij dyditore në Maqedoni.

https://p.dw.com/p/12jL3
Kryeministri turk pritet nga homologu i tij Gruevski në Shkup
Kryeministri turk pritet nga homologu i tij Gruevski në ShkupFotografi: MIA

Maqedonia ka të drejtë natyrore që ta përdorë emrin e saj kushtetues, me të cilin është bërë shtet i pavarur. Qëndrimi grek për çështjen e emrit për Turqinë është i pakuptimtë dhe jo i drejtë, ka theksuar kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Erdogan përkrah Maqedoninö në çështjen e emrit

Maqedonia dhe Turqia duan të zgjerojnë marrëdhëniet ekonomike e tregtare
Maqedonia dhe Turqia duan të zgjerojnë marrëdhëniet ekonomike e tregtareFotografi: MIA

”Ne e dimë se ju nuk mund të hiqni dorë nga e drejta për emrin tuaj, që është e drejtë kushtetuese dhe shumë e natyrshme. Qëndrimin e Greqisë për ndërrimin e emrit e konsiderojmë si të pakuptimtë dhe të padrejtë”, është shprehur kryeministri Erdogan.

Gjithnjë sipas kryeministrit turk, Maqedonia është vend, i cili shumë shpejt po përparon, stabil dhe prosperues, andaj ajo padyshim një ditë do të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian. Në planin ekonomik dhe tregtar Maqedonia dhe Turqia synojnë të arrijnë një vlerë të këmbimit tregtar deri në 400 milion dollarë, me synimin që ta çojnë këtë këmbim në vlerën e 1 miliard dollarëve. Maqedonia dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim strategjik, i cili do të mundësojë zhvillimin e sigurtë ekonomik të Maqedonisë, ka thënë kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica