1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Es gibt da viel böses Blut"

9 Nëntor 2011

Kriza e euros nuk po tendos vetëm marrëdhëniet politike në mes të Gjermanisë dhe Greqisë. A po ndikojnë këto zhvillime që edhe gjermanët tani të kenë tjetër mendim për grekët?

https://p.dw.com/p/137Oq
Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: picture-alliance/ ZB

Të korruptuar dhe përtacë - të tillë janë grekët po t'i besosh shtypit bulevardesk gjerman, thotë i inatosur Dimitrios K. Ka 25 vjet që ai jeton në Gjermani por kaq i mërzitur nuk ka qenë asnjëherë më parë. Kryetitujt e shtypit bulevardesk për "grekët e falimentuar" në "vendin e falimentuar" e zemërojnë grekun 45 vjeçar.

Dimitrios K. punon në një agjenci turistike dhe i duhet për çdo ditë të përballet me paragjykime të klientëve gjermanë. Ata besojnë se pushimet në Greqi mund të jenë të rrezikshme për shkak se ata mund të vidhen nga grekët e zemëruar: "Kur ju vendosim përpara katalogët: Spanjën, Francën, Greqinë atëherë asnjë prej tyre nuk merr me vete katalogun e Greqisë për shkak se nuk marrin në konsideratë që të bëjnë atje pushimet."

"Nuk është e lehtë të jesh mik i grekëve"

Edhe Günter Leussler merr frymë thellë kur ai flet për krizën në Greqi. 63-vjeçari është i angazhuar në aktivitetet e shoqatave gjermano-greke dhe i duhet shpesh ta përsëris se: " Aktualisht nuk është e lehtë të jesh një mik i grekëve." Sidomos në bisedat private inxhinieri i ndërtimtarisë e vëren se shumë njerëz janë me sa duket të keqinformuar. Leussler pastaj kalon në rolin e mbrojtësit: "Aty ka shumë paragjykime. Unë me njohuritë e mia mund të kontribuojë vetëm në sqarime." Shumë gjermanë aktualisht i shohin grekët me sy shumë skeptikë. Një skepticizëm që pasqyrohet edhe në rezultatet e hulumtimeve të kohëve të fundit.

Wolfgang Schultheiss, ish ambasador gjerman në Athinë
Wolfgang Schultheiss, ish ambasador gjerman në AthinëFotografi: DW

Frustrim dhe solidaritet me popullsinë

Veçanërisht propozimi i diskutueshëm i kryeministrit Papandreu që njerëzit të vendosin në referendum se a do të pranojnë masat e ndihmës së BE-së për shpëtimin e Greqisë nga kriza ka acaruar shumë opinionin gjerman. Në një anketë të zhvilluar së fundi, 82 për qind e gjermanëve janë shprehur pro largimit të Greqisë nga eurozona, në rast se nuk e duan paketën e ndihmave të BE-së, Nga ana tjetër në një anketë më të hershme dy e treta e të anketuarve ka deklaruar se ka mirëkuptim për protestat e qytetarëve grekë për shkak të masave të kursimeve në vend.

Ky solidaritet me popullatën greke reflektohet edhe në mendimet e kalimtarëve në rrugë. Jani studion drejtësinë në Berlin dhe konsideron se në çështjen e solidaritetit me grekët emocionet nuk duhet të luajnë asnjë rol: "Nuk është aspak e e arsyeshme që të kalohet në urrejtje ndaj një vendi evropian", thotë me vendosmëri studenti 24-vjeçar.

Dhe Antonia, 23, apelon për forcimin e idesë së përbashkët evropiane. Ajo e sheh Bashkimin Evropian si një familje të madhe: "Dhe në qoftë se tezja ime falimenton atëherë unë me siguri që do ta ndihmoja atë." Gjithnjë po flitet për "grekët përtacë" të cilët nuk duan të punojnë sa duhet. "Por unë besoj se ata po përjetojnë masa ekstreme të kursimeve dhe janë qytetarët e thjeshtë ata që po i vuajnë pasojat", thotë studentja Antonia.

Një çështje e mentalitetit

Wolfgang Schultheiss ishte deri në vitin 2010 ambasador gjerman në Greqi. Ai ka frikë se kriza mund të rrezikojë seriozisht miqësinë gjermano-greke: " Deri tre vjet më parë gjermanët kur përmendej Greqia mendonin për ishuj, plazhe të bukura apo filozofët e lashtë. Ata admironin "mënyrën e lehtë të jetesës" të grekëve. Kur u kuptua se Greqia kishte falsifikuar statistikat për të përmbushur kriteret e BE-së, atëherë gjermanët ndryshuan mendimin për grekët.

Schultheiss beson se sidomos dallimet e mentalitetit mes grekëve dhe gjermanëve mund të tendosin marrëdhëniet: shumë gjermanë nuk mund t'i kuptojnë vështirësitë, nëpër të cilat po të kalojnë grekët. Ata për një kohë të shkurtër presin shumë prej popullatës greke: "I tërë mentaliteti dhe struktura e grekëve janë modele të rrënjosura të sjelljes. Dhe problemet si korrupsioni dhe aparati i fryrë shtetëror nuk mund të ndryshojë brenda natës."

Autor: Heike Mohr / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi