1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

050210 Porträt Janukowitsch Ukraine

8 Shkurt 2010

Pesë vjet më parë Janukoviçi e humbi balotazhin përballë Jushçenkos, pas një skandali për falsifikimin e votave. Por pas zgjedhjeve të djeshme duket se ai mund të bëhet presidenti i ardhshëm i vendit.

https://p.dw.com/p/LvgG
Viktor JanukoviçFotografi: AP

Ukrainasit zgjodhën të dielën presidentin e tyre të ri. Ishte një garë gjoks më gjoks midis kryeministres properëndimore, Julia Timoshenko dhe udhëheqësit prorus të opozitës, Viktor Janukoviç.

59 vjeçari baba i dy djemve preferon ta paraqesë veten si të afërt me njerëzit dhe tërheq për këtë vëmendjen në prejardhjen e tij të thjeshtë. Viktor Janukoviçi është rritur në rajonin Donezk, në Lindje të vendit, rajon me pikërëndesë industrinë e rëndë dhe minierat. Ai e sheh veten si një njeri, që ka mbetur i lidhur me jetën, si një njeri, që e di sa e vështirë është jeta e një familjeje punëtori. Janukoviçi kujton me dëshirë rininë e tij të vështirë, kur pas vdekjes së të ëmës u rrit te gjyshja.

Ukraine Wahlen Wahlplakat in Donezk Viktor Janukowitsch
Afishe në fushatën zgjedhore të Janukovicit në DonezkFotografi: DW

"Ne banonim së bashku te gjyshja ime. Ajo fitonte 12 rubla në muaj. Kjo në një kohë, kur para Luftës së Dytë Botërore ajo kishte punuar në një konvejer dhe kishte fituar më shumë para. Por gjatë luftës asaj i humbën të gjitha dokumentet, në këtë kohë ajo punonte si punëtore nga Lindja në Gjermani. Pas kthimit ajo nuk kishte mundësi ta dëshmonte punën, që kishte bërë përpara, prandaj asaj i mbetën 12 rubla pension me këto para jetonim ne."

Jetën e tij në profesion ai e nis si saldator, elektricist dhe mekanik. Por Janukoviçi rrezikohet të përfundojë madje në rrugë të shtrembër, dy herë përfundon ai në rini në burg për grabitje dhe cënim fizik të të tjerëve. Një njollë e errët në biografinë e tij, të cilën ai mundohet ta anashkalojë.

Por ai arrin të ecë përpara, ndjek studimet e larta, merr pozicione drejtuese në uzina dhe futet në vitet 90-të në politikë. Në vitin 2004 ai e sheh veten gati fitimtar, kryetari i Partisë së Rajoneve duket në zgjedhjet presidenciale si fitimtari i sigurtë. Por Janukoviçit, kandidatura e të cilit mbështetej masivisht nga presidenti i atëhershëm rus, Vladimir Putin, i duhet të pranojë në fund se ai ka lejuar falsifikimin e rezultatit. Revolucioni i portokalltë e fshin atë, karrierës së tij politike duket se i ka ardhur fundi.

Kombo Fotomontage Julia Timoschenko und Viktor Janukowitsch
Janukovic dhe TimoshenkoFotografi: picture-alliance/ dpa/ DW-Fotomontage

Por pesë vjet më vonë ai shfaqet prapë - nga pikëpamja ekonomike Ukraina është përtokë - presidenti Viktor Jushçenko dhe kryeministrja Julia Timoshenko janë grindur keq. Shumë zgjedhës janë larguar të zhgënjyer nga ish-mishëruesit e shpresës. Këtë zhgënjim e shfrytëzon Janukoviçi:

"Unë u binda se njerëzit janë ngopur. Ata nuk u besojnë më gënjeshtrave të Timoshenkos. Ata e panë pesë vjet me radhë këtë prezantim falas të luftës së Jushçenkos kundër Timoshenkos, kjo është kohë e mjaftueshme."

Janukowitsch - Anhänger in Lviv
Përkrahës të Janukovicit në LvivFotografi: DW

"Ukrainën njerëzve" kjo është parulla e tij në fushatën elektorale. Por koncepte vërtet të përshtatshme kundër krizës ekonomike ai nuk është në gjendje të ofrojë, u premton me bujari familjeve dhe pensionistëve shërbime më të mira sociale. Kërkesa për stabilitet, por edhe shtensionimi i marrëdhënieve të rënduara keq me fqinjin e madh Rusi, mund t'i kenë sjellë atij zgjedhës. Ndryshe nga Timoshenko, Janukoviçi dëshiron ta ritheksojë në të ardhmen sërish "elementin rus" - në fund të fundit Lindja e vendit ka vulë ruse. Kështu rusishtja mund të bëhet sërish gjuhë zyrtare. Nga një anëtarësim në Nato i Ukrainës ai është distancuar qartë:

"Ukraina është një shtet i pavarur, i cili duhet të ndërtojë politikën e tij, në mënyrë që fqinjët tanë të ndihen rehat, që ne të mos paraqesim rrezik për fqinjët tanë."

Autor: Stefan Laack/Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica