1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina voton

exh (dpa, rtr, afp)25 Maj 2014

Deri tani zgjedhjet presidenciale në Ukrainë janë zhvilluar të qeta. Por në lindje të vendit votimi thuajse nuk është i mundur. Në Slovjansk humb jetën një fotoreporter italian.

https://p.dw.com/p/1C6S1
Fotografi: DW/G. Stadnyk

Në Ukrainë të dielën (25.05.) në mëngjes kanë filluar votimet për zgjedhjet presidenciale. Tre muaj pas rrëzimit të kryetarit prorus të shtetit Viktor Janukoviç, në mes të krizës së rëndë në politikën e brendshme, do të zgjidhet një president i ri. Rreth 35 milionë qytetarë me të drejtë vote mund të japin votat e tyre, qendrat e votimit janë të hapura deri në orën 20, sipas orës lokale. Në kryeqytetin Kiev, Në Lviv në perëndim të vendit, në Harkiv në lindje dhe në Odesa në jug, pak pas hapjes së qendrave të votimit pati fluks të dendur votuesish, njoftojnë korrespondentët e agjencisë së lajmeve AFP.

Në shumë pjesë në lindje të vendit megjithatë nuk ka thuajse asnjë mundësi për të votuar. Në qytetin milionësh Doneck deri tani nuk është hapur asnjë qendër votimi, bëri të ditur administrata e zonës e ngarkuar nga Kievi. Rreth orës 9:30 në gjithë zonën e Doneckut votimi ishte i mundur në vetëm 426 nga gjithsej 2430 qendrat e votimit, u bë e ditur.

Fluks i dendur votuesish në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë
Fluks i dendur votuesish në zgjedhjet presidenciale në UkrainëFotografi: DW/O. Sawatsky

Edhe në Luhansk vetëm një në gjashtë banorë të 1,8 milionë qytetarëve me të drejtë vote ka mundur të votojë. Një shkak për këtë janë komisionet elektorale të dominuara në masë të madhe nga separatistët në të dy rajonet. Që para fillimit të votimeve vëzhguesit e zgjedhjeve kritikuan përpjekjet e shumta për frikësim dhe sulme kundër qendrave të votimit.

Vritet një gazetar italian

Në garën për postin e presidentit marrin pjesë 19 kandidatë, por shanse reale duket se ka fabrikanti i çokollatave me orientim perëndimore Pjotr Poroshenko. Sipas sondazheve miliarderi mund të marrë rreth 45 për qind të votave. Për ish-kryeministren Julia Timoshenko pritet një rezultat prej 8 për qind, ndërsa kandidatët e tjerë nuk pritet të marrin më shumë se 4 për qind. Nëse asnjë nga kandidatët nuk arrin shumicën absolute, do të ketë balotazh mes dy kandidatëve në krye të renditjes në 15 qershor.

Në qendrën e fortë të separatistëve Slovjansk në lindje të Ukrainës të shtunën (24.05.) u gjetën në një shkëmbim zjarri edhe reporterë të huaj. Si pasojë ka humbur jetën fotoreporteri italian Andrea Rochelli. Ministria e Jashtme në Romë bëri të ditur se është informuar nga autoritetet ukrainase për ngjarjen. Për konfirmimin e lajmit duhet pritur identifikimi i viktimës. Edhe përkthyesi i tij ukrainas mësohet të jetë vrarë. Meidet italiane njoftojnë se dy viktimat janë vrarë nga një granatë.

Për zgjedhjet ndoshta më të rëndësishme në historinë e Ukrainës janë mobilizuar rreth 100.000 policë dhe vullnetarë. Veç kësaj votimet kontrollohen nga 1200 vëzhgues ndërkombëtarë. Rezultatet e para priten rreth orës 23.

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, në një telefonatë me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Presidentin francez François Hollande, theksoi se do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve.