1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtria gjermane atraktive pavarësisht rreziqeve

Anne Lichtenberg / Bahri Cani12 Janar 2013

Misionet jashtë vendit, reformat dhe heqja e shërbimit të detyruar kanë bërë që Bundewehr-i të përballet me vështirësi. Por duket se ende ka mjaft kandidatë për ushtarë profesionistë për një kohë të caktuar.

https://p.dw.com/p/17IhY
Bundeswehrsoldaten sind am Donnerstag (14.06.2012) vor dem Schloss Bellevue in Berlin angetreten, um neue Botschafter in Berlin zu empfangen. Botschafter anderer Länder geben beim Bundespräsidenten ihre Beglaubigungsschreiben ab, wenn sie ihre Tätigkeit in Deutschland beginnen. Foto: Maurizio Gambarini dpa/lbn
Bundeswehrsoldaten EhrenformationFotografi: picture-alliance/dpa

Ata vijnë në parim për dy vite dhe mesatarisht mbeten 12 vite. Të paktën dy herë duhet të shkojnë gjatë shërbimit të tyre në misione jashtë vendit. Ata marrin rroga të mira dhe shtesa përkatëse, kanë përkujdesin mjekësor dhe vendi i tyre i punës konsiderohet si i paprekshëm nga kriza ekonomike. Duket atraktive apo jo? Kështu përshkruhet vendi i punës për një ushtar të përkohshëm profesionist në Bundeswehr (ushtria gjermane) dhe duket se kjo me të vërtetë është interesante për shumë njerëz. 

Pas heqjes së detyrimit ushtarak në Gjermani me 1. korrik 2011, Bundeswehri është dashur të bëj ndryshime radikale. Deri atëherë në Bundeswehr vinin rregullisht çdo vit rreth 60.000 rekrutë të rinj, ndërsa tani ushtria gjermane duhet të kërkojë ushtarë përmes konkurseve dhe anonsave në gazeta, vizitave nëpër shkolla dhe prezantimeve në panaire e manifestime të tjera. Megjithë prognozat pesimiste, duket se koncepti ka pasur sukses, sepse kandidatët nuk mungojnë. Më 1 janar 2013 filluan punën e tyre si ushtarë të përkohshëm rreth 3500 të rinj. Ushtria gjermane ka plotësuar në këtë mënyrë që në fillim të vitit rreth 25 % të nevojave për këtë vit. Brenda një viti ajo ka nevojë për 16.150 ushtarë të rinj. Ministria e Mbrojtjes pohon se deri tani ata nuk kanë pasur probleme me numrin e kandidatëve që duan të shërbejnë si ushtar të përkohshëm në Bundewehr. Gjatë vitit 2012 ka pasur mbi 40.000 kandidatë, që do të thotë gati 3 kandidatë për një vend.

Numri i kandidatëve në vendet e tjera është më i lartë

Deputeti gjerman Harald Koch nga partia e Majta thotë se ky numër i kandidatëve nuk është fort i mirë. "Statistikat e vendeve të tjera në Evropë tregojnë se numri i kandidatëve është më i lartë se tek ne", sipas tij. Këtu nuk duhet harruar edhe shifra shumë e lartë prej 30,4 % e të atyre, që e ndërpresin këtë shërbim. "Kjo dëshmon se ajo që premtohet në konkurse nuk realizohet në realitet dhe nuk thuhet se me çfarë gjërash do të përballen të rinjtë në Bundeswehr", vëren Koch.

Megithatë duket se ushtria gjermane ende ka argumente bindëse për të tërhequr numrin e duhur të kandidatëve. Përveç të ardhurave të sigurta, puna e ushtarëve është e shumëllojshme dhe interesante, thuhet në Ministrinë e Mbrojtjes. Bundeswehr-i e ka dhe sistemin e vet të ngritjes në profesion. Ushtarët kanë mundësi të ngritjes profesionale gjatë shërbimit. Ushtarët, të cilët angazhohen për shembull për 12 vjet, efektivisht kalojnë në ushtri rreth 10 vite. Dy vitet e fundit ata mund të bëjnë një shkollim të mëtejshëm dhe të diplomohen në drejtime të ndryshme, në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për ekonominë civile.

"Bundeswehr-i ofron mundësi atraktive për shkollim dhe përgatitje, të cilat nuk ofrohen diku tjetër", thotë eskperti Harald Koch. Ata që kanë shkuar në ushtri menjëherë pas gjimnazit, gjatë qëndrimit atje mund të kryejnë edhe ndonjë fakultet, me shpenzimet e Bundeswehr-it. Kjo me siguri që është atraktive, në kohën kur duhen paguar taksa të larta për studime dhe kur sistemimi në banesa e konvikte kushton shumë.

ARCHIV - Rekruten der Bundeswehr marschieren am 20.07.2011 zum feierlichen Gelöbnis vor dem Reichstag in Berlin auf. Mit mehreren Gedenkveranstaltungen und dem traditionellen Bundeswehr-Gelöbnis wird am 20.07.2012 in Berlin an das gescheiterte Attentat auf Adolf Hitler vor 68 Jahren erinnert. Am Abend schwören rund 400 Bundeswehrsoldaten bei einer feierlichen Zeremonie auf dem Gelände des Verteidigungsministeriums ihren Eid. Kritiker der Zeremonie haben Proteste angemeldet. Foto: Maurizio Gambarini dpa/lbn +++(c) dpa - Bildfunk+++
Rekrutë duke bërë betimin para Parlamentit gjerman në Berlin, 2011Fotografi: picture-alliance/dpa

Kuota e lartë e ndërprerjes së shërbimit

Por e gjitha ka dhe anët e saj negative. Bundeswehri gjendet në kulmin e reformave dhe po kalon nga një ushtri mbrojtëse në një ushtri të përgatitur për misione në vendet e tjera. Koch thotë se me këto ndryshime janë përballur të githë ata, që e kanë nisur këtë profesion. "Ata takojnë shokë, të cilët kanë qenë në misione të tjera, njihen me problemet e tyre dhe në fund konstatojnë: 'për këtë nuk ia vlen të angazhohesh'", thekson ai.

Misionet jashtë vendit janë me të vërtetë një ngarkesë e madhe për ushtarët. Disa prej tyre kthehen të traumatizuar dhe kanë probleme serioze të adaptohen në jetën normale. Në veçanti për familjet kjo është një sprovë shumë e madhe. "Kuota e ndarjeve të oficerëve është rreth 90 %", shpjegon Harald Koch. Ndërsa në raportin për ushtrinë në vitin 2011, të prezantuar nga i ngarkuari për ushtrinë Hellmut Königshaus (FDP), thuhet se kuota e ndarjeve tek ushtarët e angazhuar për një kohë të caktuar është rreth 80 %. Shumë ushtarë e kanë të vështirë të "krijojnë një rreth social".

Një ngarkesë e madhe është edhe ndryshimi i shpeshtë i vendbanimit brenda Gjermanisë.  70 % e ushtarëve udhëtojnë nga një vend në tjetrin për të shkuar në punë. Ata shpesh i shohin familjet e tyre vetëm në fundjavë. Bundeswehr-i është sensibilizuar për këtë problem dhe tani do të bëjë ca ndryshime. "Ne po përpiqemi që ushtarët të mos i largojmë shumë nga vendbanimi i tyre", thotë një zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes. 

Për shkak të mangësisë së kuadrove është mbyllur sektori i spitalit

Harald Koch ëshë shokuar, kur ka parë disa të dhëna në Komisionin për Mbrojtje. Në kohën e ashpërsimit të gjendjes në Afganistan (2009/2010), për shkak të mungesës së kuadrove, është dashur të mbyllet spitali i ushtrisë në Koblenc. "Së pari nuk kam dashur ta besoj, por kam pyetur edhe një herë dhe kjo ishte e vërtetë. Kjo nuk është e mirë", pohon Koch. 

Por edhe sikur Bundewehr-i të mos kishte fare probleme, zhvillimet demografike në shoqëri nuk i shkojnë për shtat ushtrisë. Së shpejti ushtria mund të përballet me mungesën e kandidatëve. Por në Ministrinë e Mbrojtjes thonë se "të gjitha i kanë parasysh"!