1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle Libyen

21 Mars 2011

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle sërish e mbrojti abstenimin e Gjermanisë gjatë votimit të rezolutës për Libinë në Këshillin e Sigurimit. Westerwelle kërkoi sanksione më të ashpra kundër regjimit të Libisë.

https://p.dw.com/p/10d3S
Ministri i Jashtëm gjerman Guido WesterwelleFotografi: picture-alliance/dpa

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Guido Westerwelle sërish (20.03.2011) i bëri thirrje kreut të Libisë Muamar al-Gadafi, që t' i ndalë menjëherë sulmet ndaj popullsisë së vet. Ai e ka shkelur rëndë armëpushimin e shpallur, tha Westerwelle: „Ne i bëjmë thirrje diktatorit që armëpushimin të mos e shpallë vetëm më fjalë boshe, por që ta respektojë atë me vepra të provueshme."

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit, ku Gjermania abstenoi, është një e "drejtë ndërkombëtare", theksoi Westerwelle: „Mbi bazën e kësaj mund të përdoret infrastruktura që ofron Gjermania, si p.sh. bazat mbrojtëse amerikane. Ne i pranojmë objektivat e kësaj rezolute, por Bundesveri (ushtria gjermane) nuk do të dërgohet në Libi."

Nuk përjashtohet përdorimi i AWACS në mbikqyrje të hapësirës ajrore

Westerwelle vuri në dukje, se ka siguruar kolegen e tij amerikane Hillary Clinton, që SHBA-ja mund të përdorë infrastrukturën ushtarake në tokën gjermane për aksionet kundër regjimit në Libi. Kreu i partisë liberal-demokrate gjermane mbrojti sërish vendimin për të mos u angazhuar me ushtarë në Libi: „Shumë vende edhe në Bashkimin Evropian jo vetëm që e kuptojnë qëndrimin tonë, por ato e respektojnë atë, e mbështesin atë dhe i përmbahen atij.

NO FLASH Kabinett will Afghanistan-Mandat verlängern
Avion zbulues gjerman i tipit AWACS-BoeingFotografi: picture alliance/dpa

Nëse NATO-ja do të sulmojë Libinë, avionët AWACS mund të vihen në funksionim për mbikqyrjen e hapësirës ajrore. Në një rast të tillë ministri i Jashtëm gjerman e konsideron të mundshme, që ushtarët e Bundesverit në avionët AWACS, që përdoren në Afganistan të vihen në mbështetje të forcave të NATO-s. Por për këtë do të nevojitej miratimi i Bundestagut, sepse Bundesveri është një ushtri parlamentare. „Unë nuk dua ta përjashtoj këtë dhe as ta shpall, sepse ndërkohë po zhvillohen konsultime. Pas kësaj vetëkuptohet që menjëherë me këtë çështje do të merret Bundestagu. "

Për ta përmirësuar gjendjen dramatike të popullsisë në Libi, ministri i Jashtëm deklaroi një ndihmë shtesë humanitare në vlerën e pesë milionë eurove. Prej kësaj ndihme duhet të përfitojnë në radhë të parë refugjatët e shumtë në zonën kufitare me Libinë.

Autor: M. Fürstenau /V.Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi