1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtria merr kontrollin e pushtetit në Tajlandë

era (rtre, apfe, ape, dpa)22 Maj 2014

Pas disa muajsh trazira politike tani në Tajlandë sundon ushtria. Bisedimet për pajtimin në mes të kampeve politike ndërluftuese kanë dështuar, tha shefi i ushtrisë Prayuth Chan-ocha në televizion.

https://p.dw.com/p/1C4cD
Fotografi: REUTERS

Dy ditë pas shpalljes së gjendjes së luftës në vendin e Azisë Juglindore forcat e armatosura morën pushtetin përmes një grushtshteti në Tajlandë. "Forcat e Armatosura, Forcat Ajrore Mbretërore dhe policia" do të përkujdesen për rivendosjen e rendit publik dhe do të sigurojnë vazhdimin e reformave të iniciuara, tha shefi i ushtrisë në fjalimin e tij të transmetuar në televizionin kombëtar. Nga ora 10 e mbrëmjes deri në ora 5 e mëngjesit është shpallur ora policore.

Prayuth Chan-ocha i bëri thirrje popullit tajlandez për qetësi dhe theksoi se të gjitha autoritetet duhet të vazhdojnë të punojnë normalisht. Ky veprim nuk do të ndikojë në marrëdhëniet ndërkombëtare, deklaroi ai. Dy ditë më parë ushtria kishte siguruar se nuk do të ketë grushtshtet ushtarak. Përkundrazi shpallja e gjendjes së luftës do të kontribuojë në "ruajtjen e rendit dhe qetësisë". Jashtë vendit ky veprim i ushtrisë është kritikuar rëndë.

Që nga nëntori i kaluar mbështetësit dhe kundërshtarët e qeverisë në Tajlandë kanë zhvilluar përleshje të dhunshme. Në përleshjet e përgjakshme jetën kanë humbur pothuajse 30 njerëz. Në fillim të majit Gjykata Kushtetuese largoi nga posti kryeministren Yingluck Shinawatra nën akuzat për abuzim me pushtetin. Që atëherë opozita është duke u përpjekur për të përmbysur qeverinë kalimtare të partisë tajlandeze Puea. Mbështetësit e qeverisë, nga ana tjetër, kanë kërcënuar me luftë civile.