Ushtria nigeriane ka njoftime për vendndodhjen e vajzave të rrëmbyera
27 Maj 2014Ushtria nigeriane sipas informacioneve të saj, është e informuar për vendndodhjen e 223 nxënëseve të rrëmbyera. "Lajmi i mirë për vajzat është që ne e dimë se ku ndodhen", tha kreu i ushtrisë nigeriane, mareshali Alex Badeh, para gazetarëve në kryeqytetin Abuja. Megjithatë ushtria nuk bëri të ditur asnjë lloj informacioni konkret. Misioni i kërkimit është "sekret ushtarak".
E qartë është që nuk do të ketë aksione të dhunshme për lirimin e nxënëseve, pasi ruajtja e jetës së vajzave është prioritet, bëri të ditur kreu i ushtrisë. "Po ne punojmë për këtë, dhe vajzat do t'i kthejmë në shtëpi", tha Badeh. Ndërkohë rritet zemërimi i të afërmeve të vajzave. Familjet akuzojnë qeverinë për mosveprim dhe përpiqen të rrisin presionin ndaj saj përmes demonstratave. Badeh siguroi protestuesit se po bëhet gjithçka e mundur për të gjetur vajzat dhe hodhi poshtë akuzat për mosveprim nga ana e qeverisë.
Ndihmë ndërkombëtare për shpëtimin e vajzave
Në mesin e prillit në verilindje të Nigerisë, në Chibok, anëtare të grupit Boko Haram rrëmbyen 300 nxënëse, disa prej tyre ia dolën të largoheshin, por ende 223 nxënëse mbahen ende në dhunën e islamistëve. Akti u dënua njëzëri në shkallë ndërkombëtare, ndërkohë Nigeria ka marrë mbështetjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara për gjetjen e nxënëseve. Edhe Franca, Britania e Madhe, dhe së fundmi Izraeli kanë dërguar ekipe specialistësh për lirimin e vajzave.
Boko Haram është i gatshëm të lirojë disa nga vajzat, por në shkëmbim islamistët kërkojnë lirimin e disa aktivistëve të tyre të burgosur. Qeveria nigeriane e refuzon një shkëmbim të tillë. Boko Haram lufton në veri të Nigerisë për një shtet islamist. Prej vitesh ky grup ushtron atentate ndaj autoriteteve dhe ushtarëve, kishave dhe shkollave.