1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE mbi zgjedhjet në Kosovë

Mimoza Cika-Kelmendi5 Nëntor 2013

Zgjedhjet lokale të tre nëntorit në Kosovë janë bazuar dhe realizuar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit. Procesi zgjedhor ishte i mirë në shumicën e vendvotimeve, tha shefi i vëzhguesve të BE-së në Prishtinë.

https://p.dw.com/p/1ABp5
Date: 05.11.2013
Fotografi: DW/B. Shehu

Misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të tre nëntorit, vlerëson se megjithë incidentet që ndodhën në veri të Kosovës, procesi zgjedhor ishte i mirë apo siç thuhet “i kënaqshëm”, në shumicën e vendvotimeve që vëzhguesit e BE-së kanë qënë prezent. Këtë konstatim e bëri shefi i misionit vëzhgues të BE-së në Kosovë, Roberto Gualtieri, në një konferencë për media. Ai tha se zgjedhjet për kuvende komunale dhe kryetar komunash, ishin të një rëndësie të posaçme, sepse për hërë të parë mbaheshin në të gjithë territorin e Kosovës.

“Tre nëntori ishte ditë shumë e rëndësishme për Kosovën. Njerëzit kanë shfrytëzuar mundësinë për të dalë për të votuar, për ta shprehur të drejtën e tyre demokratike dhe për t'i zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Në pjesën më të madhe të Kosovës, dita e zgjedhjeve ka kaluar në mënyrë të qetë dhe paqësore”, tha Roberto Gualtieri, duke dënuar sulmet ndaj disa qendrave të votimit që ndodhën në pjesën veriore të Kosovës. “Fakti që njerëzit kanë dalë për të votuar, dëshmon se ata që donin ta sabotonin procesin kanë dështuar”, tha Roberto Gualtieri.

Kosovo Kommunalwahl 2013
Fotografi: DW

Vëzhguesit e BE-së kanë qenë të pranishëm në tërë Kosovën për një muaj që nga fillimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të tre nëntorit. Gualtieri tha se pavarësisht sfidave të veçanta në veri, organet zgjedhore, me ndihmën e rolit ndërmjetësues të OSBE-së në Kosovë, kanë arritur të organizojnë zgjedhjet. Gualtieri theksoi se stafi vëzhgues i BE-së nuk është rrezikuar në momentin kur personat e maskuar u futën në qendrat e votimit në pjesën veriore të Mitrovicës, pasi stafi ishte tërhequr paraprakisht. Për atë se çfarë do të ndodhë me procesin zgjedhor në pjesën veriore, është përgjegjës Komisioni Qendror Zgjedhor.

Komisioni Qëndrorë i Zgjedhjeve, njoftoi se këtë të martë, 05.11, pasdite fillon me procesin e verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve nga katër komunat e veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Pas verifikimit të të gjithë materialit zgjedhor do të nxirret përfundimi për procesin zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe. Shefi i misionit vëzhgues të BE-së në Kosovë, theksoi se zgjedhjet lokale në Kosovë janë bazuar dhe realizuar në bazë të Marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet kryeministerit të Kosovës, Hashim Thaci dhe atij të Serbisë, Ivica Daciq. Tashmë të dy kryeministrat të mërkurën do të takohen në Bruksel me shefen e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi.

Gewalt´/ Kommunalwahl - Kosovo
Fotografi: picture-alliance/dpa

Sidoqoftë, vëzhguesit e BE-së do të qëndrojnë në Kosovë deri në përfundimin e tërë procesit zgjedhor. Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komunash do të zvillohet me 01.12, pasi në 24 komuna, asnjëri nga kandidatët për kryetar nuk arriti shumicën e nevojshme mbi 50%, për tu zgjedhur. Raporti përfundimtar i vëzhguesve të BE-së për zgjedhjet lokale në Kosovë, do të publikohet në fillim të vitit 2014.