1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vëzhguesit e OSBE-së në mision të rrezikshëm

Marcus Lütticke/Auron Dodi2 Qershor 2014

Vëzhguesit e OSBE-së të rrëmbyer në Lindje të Ukrainës ndodhen edhe më tej në duart e separatistëve prorusë. Rusia negocion sipas të dhënave të saj për lirimin e bashkëpunëtorëve të OSBE-së

https://p.dw.com/p/1CAVO
Fotografi: Sergei Supinks/AFP/Getty Images

Detyra e tyre është që të përcjellin një pamje neutrale të gjendjes në Ukrainë. Por gjatë punës ata tërhiqen herë pas here brenda konfliktit. Në rajonin e Luhanskut, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë humbi të enjten (29.05.2014) kontaktin për një grup tjetër vëzhguesish.

Rreth orës 19, ekipi i OSBE-së u ndalua rreth 100 km në veri të Luhanskut nga "persona të armatosur", bëri të ditur OSBE-ja. Grupi përbëhet nga katër bashkëpunëtorë të "Special Monitoring Mission (SMM)" si dhe nga një përkthyes ukrainas.

Separatistët shpallin lirimin

Që të hënën katër bashkëpunëtorë të tjerë u zhdukën në një patrullim rutinë në Lindje të Donetskut. Edhe me ta mungon kontakti, i tha të shtunën një zëdhënëse e OSBE-së DW.

Të dhëna kundërthënëse ka nga drejtuesi i separatistëve, Alexej Çmilenko, i cili sipas agjencisë Interfax bëri të ditur se katër bashkëpunëtorët e OSBE-së janë liruar. Ata janë paralajmëruar dhe u është kërkuar që të ardhmen të mos qarkullojnë në rajon pa lajmërim paraprak, bën të ditur njoftimi.

Misioni i posaçëm i OSBE-së ndodhet në vend me dëshirën e qeverisë ukrainase, për të pakësuar tensionet midis palëve të konfliktit dhe për të nxitur sigurinë. Bashkëpunëtorët janë shpërndarë jo vetëm në Lindje të vendit, por në shumë rajone. Ata publikojnë rregullisht raporte për gjendjen e sigurisë në vend. Ata nuk janë të armatosur dhe nuk kanë detyrë ushtarake. Misionin e mbështesin të 57 shtetet anëtare të OSBE-së, midis tyre edhe Rusia.

Ndikimi i Kremlinit

Megjithëse në mision merr pjesë edhe Rusia, vëzhguesit e OSBE-së pengohen herë pas here në punën e tyre nga separatistët në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut. Wolfgang Richter, ekspert i OSBE-së në Fondacionin Shkenca dhe Politika dhe ish-përfaqësues i Gjermanisë në OSBE e sheh këtë si shenjë që Moska "nuk është më në gjendje të drejtojë dhe manovrojë çdo lëvizje të separatistëve". Megjithatë, ndikimi i Kremlinit vazhdon të jetë shumë i madh. "Fjala ruse është ajo që vendos."

Sipas të dhënave të saj, Rusia po zhvillon aktualisht bisedime me militantët separatistë në Ukrainën Lindore, për t'u angazhuar për bashkëpunëtorët e OSBE-së. "Lirimi po zgjat", i tha ambasadori i Rusisë në OSBE, Andrej Kelin agjencisë Itar-Tass. Kohëzgjatja dhe rezultati i negociatave aktualisht janë krejtësisht të hapura.