1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vaksinimi kundër gripit të derrave: rrezik i vërtetë apo panik i kotë?

12 Gusht 2009

Në Gjermani ka filluar të testohet vaksina kundër virusit H1N1 - gripit të derrave. Qeveria planifikon ta vërë në përdorim nga fundi i shtatorit. Ende nuk është e qartë se kush do t'i marrë përsipër kostot e vaksinimit.

https://p.dw.com/p/J8VA
Kritikë thonë se nevoja e vaksinimit propagandohet për qëllime fitimi nga industria farmaceutike. Ne foto: nje paciente vaksinohet
Kritikë thonë se nevoja e vaksinimit propagandohet për qëllime fitimi nga industria farmaceutikeFotografi: AP

Pavarësisht se kush do t'i marrë përsipër shpenzimet, vaksinimi duhet të bëhet dhe sa më shpejt

Në Gjermani ka filluar të testohet vaksina kundër virusit H1N1 - gripit të derrave. Qeveria planifikon ta vërë në përdorim nga fundi i shtatorit. Ende nuk është e qartë se kush do t'i marrë përsipër kostot e vaksinimit, të cilat sipas përllogaritjeve të qeverisë kapin shumën prej 600 milionë Euro. Prandaj edhe miratimi i kornizës ligjore të vaksinimit u shty për të mërkurën e ardhshme. Pavarësisht se kush do t'i marrë përsipër shpenzimet, vaksinimi duhet të bëhet dhe sa më shpejt, thonë disa, të tjerë paralajmërojnë të mos përhapet panik i kotë. Anila Shuka më hollësisht.

Ulla Schmidt, ministre e Shëndetësisë në Gjermani, nuk e vë në dyshim nevojën e vaksinimit:

"Vaksinimi është mbrojtja më e mirë para se të shpërthejë gripi, prandaj më duket e pakuptimtë të flasësh tani për para. Për sigurimet shëndetësore në fund të fundit vaksinimi del më i lirë financiarisht se mbulimi i shpenzimeve të trajtimit mjekësor", thotë ajo.

520 milionë njerëz planifikon të vaksinojë qeveria gjermane kundër gripit të derrave

520 milionë njerëz planifikon të vaksinojë qeveria gjermane kundër gripit të derrave. Qysh nga e hëna kanë filluar të aplikohen testet e para në njerëz në një projekt evropian ku marrin pjesë pesë Qendra Akademike nga Belgjika, Zvicra, Gjermania dhe Holanda. 1200 të rritur dhe afro 2000 fëmijë marrin pjesë në testet që zhvillohen në Gjermani. Ata do të mbahen në survejim gjatë dymbëdhjetë muajve të ardhshëm.

Sipas koordinatorit të studimit, nga instituti Paul Ehrlich në Langen, Johannes Lëver (Loewer) nuk priten efekte anësore të jashtëzakonshme.

"Ne nuk presim ndonjë komplikim të veçantë e të befasishëm, përveç komplikimeve të zakonshme të vaksinimit: Pra, skuqja e vendit të vaksinës ose dhimbje, ndoshta ethe për një farë kohe."

Testet synojnë të llogarisin edhe dozën e nevojshme për ta luftuar me sukses virusin

Përveç efekteve anësore, testet synojnë të llogarisin edhe dozën e nevojshme dhe të mjaftueshme për ta luftuar me sukses virusin. Rezultatet e para pritet të dalin pas 43 ditësh, kjo është koha që nevojitet për të krijuar antitrupat kundër virusit. Në se rezultatet janë të kënaqshme, atëherë do të fillojnë menjëherë vaksinimet.

Me prioritet do të trajtohet një grup i caktuar njerëzish, si zjarrfikësit, punonjësit e spitaleve etj. Edhe ministrat e kabinetit të Merkelit do të vaksinohen, bëhet e ditur nga qarqet qeveritare. 50 milionë kuti me vaksina ka porositur deri tani qeveria gjermane, pritet që numri i tyre të shtohet. Por përhapja e gripit deri tani në Gjermani ka qenë në përmasa të kontrollueshme, gjithsej janë regjistruar më pak se 10.000 raste. Prandaj edhe shumë ekspertë e shikojnë me dyshim aksionin e nxituar të vaksinimit.

Industria farmaceutike luan me frikën e pacientëve

"Industria farmaceutike ka mësuar se si mund të fitohen shumë para me vaksina. Pra ata luajnë me frikën e pacientëve për t'i bërë ata të gatshëm për t'u vaksinuar", ankohet farmakologu nga Bremeni, Peter Shënhëfer (Schoenhoefer). Aksione të tilla të nxituara vaksinimi jo gjithmonë kanë pasur rezultatet e dëshiruara, thotë Shënhëferi dhe kujton rastin e gripit të derrave në vitet 70-të në SHBA, ku vaksinimi u ndërpre për shkak të efekteve anësore, të cilat ishin më të rrezikshme se vetë gripi.

Por virologët sot janë të mendimit, se preparatet ndërkohë janë më të sofistikuara dhe ngulin këmbë, që kush lejohet të vaksinohet duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi, para se të jetë tepër vonë. Joerg Hacker nga instituti Robert Koch mendon se në vjeshtë numri i të infektuarve do të rritet me shpejtësi shumë të madhe:

"Kjo jo vetëm për faktin, se vjeshta është sezon gripi, por edhe nisur nga përvoja e vendeve të hemisferës jugore, pra, Argjentinës dhe Meksikës."


Autor: Anila Shuka/ Berlin/dpa

Redaktoi: Auron Dodi