1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Valdete Daka: Zgjedhjet në veri kanë qenë të suksesshme

Bahri Cani17 Nëntor 2013

Votën në veri të Mitrovicës e dhanë mbi 22 % të qytetarëve. Zgjedhjet kanë kaluar të qeta dhe pa parregullsi serioze, pohon kryetarja e KQZ, Valdete Daka, për DW, një orë pas mbylljes së vendvotimeve.

https://p.dw.com/p/1AJC8
Valdete Daka duke folur
Valdete DakaFotografi: DW

DW: Zonja Daka, si e vlerësoni procesin zgjedhor në ditën e përsëritjes së zgjedhjeve në Mitrovicën Veriore?

Valdete Daka: Procesi ka kaluar shumë mirë. Të gjitha kanë kaluar në rregull dhe janë zbatuar të gjitha masat e planit operacional që i kemi paraparë për një votim të rregullt. Nuk ka pasur ndonjë ngjarje që vlenë të theksohet. Procesi i votimit në veri të Mitrovicës ka kaluar i qetë, ndërkohë që në zgjedhje ka marrë pjesë një numër i madh i votuesve. Sipas të dhënave të deritanishme, kanë votuar 5231 votues ose 22,38 % e votuesve. Ndër to janë rreth 1000 vota me kusht. Konsideroj se ne e kemi përmbushur me sukses obligimin tonë.

Ju dhe KQZ-ja jeni të kënaqur me ecurinë e votimit, por gjatë ditës ka pasur informacione për parregullësi. Në ç'masë e kanë dëmtuar këto parregullësi procesin zgjedhor?

Jo, ndonjë parregullësi që ndikon dukshëm nuk proces nuk ka pasur. Ka pasur ndoshta disa parregullsi të vogla teknike, të cilat nuk ndikojnë në rrjedhën e procesit dhe në rezultatet përfunditmare.

Si e velrësoni punën e organeve të sigurisë: Policisë së Kosovës, Eulexit dhe KFOR-it, pasi që para dy javësh ka pasur lëshime serioze?

Gjatë votimit gjendja e sigurisë ka qenë e qetë. Votuesit kanë qenë të sigurtë dhe nuk ka pasur ndonjë raportim për ndonjë incident apo prishje të rendit të sigurisë. Ndaj mund të thuhet se gjendja e sigurisë ka qenë e mirë.

Pra, organet e sigurisë kanë funksionuar kësaj radhe më mirë?

Po, të gjithë e kanë kryer detyrën e tyre ashtu siç e parasheh ligji dhe ashtu siç duhet në ditën e zgjedhjeve.

Zonja Daka, ku do të bëhet numërimi i votave dhe kur pritet rezultati jozyrtar i këtyre zgjedhjeve, pasi ka pasur informacione se votat nuk do të numërohen në Mitrovicë, por në Prishtinë?

OSBE-ja ka konsideruar se megjithë faktin që votimet kanë kaluar të qeta dhe pa probleme, numërimi i votave në vendvotime gjatë natës do të paraqiste një lloj pasigurie. Ndaj ka rekomanduar dhe ka kërkuar nga KQZ-ja që i tërë materiali zgjedhor të bartet në qendër të numrimit dhe të rezultateve në Prishtinë. Së bashku me materialin në Prishtinë do të transferohen edhe anëtarët e këshillave të vendvotimit, të cilët konform ligjit dhe procedurave do ta bëjnë numrimin e votave.

A është transferuar në jug i tërë materiali zgjedhor dhe a është ai tani më në duar të sigurta?

Po, materiali zgjedhor është në duar të sigurta. Ne e kemi marrë përgjegjësinë për materialin zgjedhor dhe të gjitha fletëvotimet do të numërohen dhe do të jenë të sigurta.